Më datë 5 nëntor, takime me Ruçin, Patozin, Kokën, Idrizin, Mediun dhe Dulen


Presidenti i Republikës fton partitë politike të pozitës dhe opozitës për të ulur bashkërisht në zgjedhjen e datës së zgjedhjeve. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur dje se “Presidenti Nishani fton partitë politike parlamentare të bisedojnë e të konsultohen për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin”. “Në zbatim të detyrimit kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani ka ftuar në takime përfaqësuesit e partive politike parlamentare, për të biseduar dhe për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Takimet do të zhvillohen ditën e hënë, dt. 5 nëntor 2012, në mjediset e Presidencës”, thuhet në një njoftim për shtyp. Kreu i shtetit do të realizojë kështu takim të veçanta me drejtuesit e grupeve partive parlamentare, si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta. Patozi i PD-së, Ruçi i PS-së dhe Koka i LSI-së, si tre drejtues të grupeve parlamentare janë të ftuar në këtë takim. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se ftesa i është drejtuar kryetarëve të PR-së, Fatmir Mediu, të PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe Idrizi i PDIU-së. Aktualisht, në Kuvend është dhe një parti tjetër e krijuar rishtazi. Fryma e Re Demokrate përfaqësohet nga Gazmend Oketa në Parlament. Por Presidenti, sipas burimeve, nuk e ka ftuar Oketën, i cili është tashmë deputeti i FRD-së. Nuk dihen arsyet po kjo mund të lidhet me faktin se ky është subjekt politik i sapoformuar. Ndoshta kjo lidhet dhe me faktin se FRD-ja lindi si subjekt politik nga njerëzit që u shkëputën nga PD-ja.


KQZ, mbledhja e parë të premten


Kuvendi ka rikompozuar 7 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një javë më parë. Mësohet se këtë të premte, KQZ-ja do të zhvillojë mbledhjen e parë të konstituimit. Sipas burimeve mësohet se KQZ-ja do të zhvillojë mbledhjen e dytë të hënën, e cila parashikon dhe realizimin e shortit se cilët nga prej anëtarëve të do të kenë një mandat 3-vjeçar. Shoqatat e ndryshme kanë bërë thirrje që Presidenti të shpallë sa më parë datën e zgjedhjeve, pavarësisht se afati i kreut të shtetit është data 7 dhjetor. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë kërkoi dje nga politika përmbushjen pa humbur kohë të detyrimeve në funksion të kryerjes së zgjedhjeve parlamentare të 2013-s brenda afateve. Përfaqësuesit e kësaj strukture, të cilët janë tepër të angazhuar përgjatë proceseve zgjedhore, deklaruan se duhet të merren masa të menjëhershme për realizimin e teknologjisë së re informative në Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2013, të cilat sipas afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor duhet të kishin filluar jo më vonë se në datën 1 tetor 2012. B.HOTI