Takimi
Prokurori i ri i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, zhvilloi dje takimin e parë në këtë pozicion me Presidentin e vendit, Bujar Nishani. Në takimin e zhvilluar në Presidencë, duke e uruar zotin Llalla për detyrën e re në krye të organit të akuzës, Presidenti Nishani e siguroi atë për mbështetjen maksimale në luftën kundër korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar. Kreu i Shtetit theksoi se institucioni i Prokurorisë duhet të jetë i pavarur dhe jashtë çdo ndikimi nga politika, apo aktorë të saj, në mënyrë që vendimmarrja të jetë e drejtë dhe në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve. Nga ana e tij, Llalla theksoi se në këtë sfidë të rëndësishme do të ketë prioritet pikërisht forcimin e besimit të opinionit publik për këtë institucion, si dhe forcimin e besimit te puna e njerëzve që kryejnë çdo ditë detyra delikate në përballje me shkelësit e ligjit. Ai e siguroi Nishanin se në këtë detyrë do të jetë garant i vlerave më të larta morale dhe integritetit në radhët e prokurorëve dhe të gjithë punonjësve që ushtrojnë funksione të tjera në organin e akuzës.