Presidenti jep arsyet për mosdekretimin e ambasadorit për Vatikanin, Ardian Nderca: Më quajti të paaftë


Ambasadorët – Presidenti pranoi se refuzimi i dekretimit të Ardian Ndrecës si ambasador në Vatikan kishte ardhur pas fyerjeve që Ndreca kishte lëshuar më parë në adresë të Presidentit. Ndreca kishte thënë se Nishani nuk ishte mendërisht dhe fizikisht i aftë për të kryer detyrën e lartë


Fatjona Mejdini


Bujar NishaniPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, theksoi dje se ishte befasuar dhe madje lënduar nga disa qëndrime të ministrave dhe deputetëve të mazhorancës. Në një intervistë përballë gazetarit Sokol Balla në “Top Channel”, Nishani deklaroi se nga ana e tij ishte munduar të tregohej sa më korrekt dhe mirëkuptues me mazhorancën e re të drejtuar nga Kryeministri Rama, por që në fillim kishte hasur në një sulm nga ana e përfaqësueshme e shumicës. Sipas Nishanit, ky sulm nisi që me gjestin e parë që bëri qeveria “Rama”, duke hequr nga institucionet shtetërore fotografinë e Presidentit dhe duke përfunduar nga mënyra joligjore me të cilën kërkohej të shkarkohej përfaqësuesi ushtarak i Shqipërisë në NATO, Kristaq Gërveni. Nishani deklaroi se nuk kishte një sulm mes institucioneve qendrore dhe Presidencës, por një sulm i njëanshëm që atij i kishte ardhur nga personazhe të dorës së parë të mazhorancës. Pakënaqësitë më të mëdha Nishani i shprehu ndaj ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, dhe po kështu ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Nishani deklaroi se ai gjithashtu kishte pakënaqësi ndaj mënyrës sesi Ministria e Jashtme, e drejtuar nga Ditmir Bushati po vepronte me emërimet e ambasadorëve shqiptarë. Ai madje pohoi se nuk kishte dekretuar, për pasojë bllokuar, dy nga këta ambasadorë që ishin emrat e Ardian Ndrecës për në Vatikan dhe Ermir Gjinishit për në Emiratet e Bashkuara Arabe. Për Ndrecën, Nishani u shpreh se nuk e kishte dekretuar për shkak të qëndrimeve të tij ndaj Presidentit të Republikës, në këtë rast vetë Bujar Nishanit. Sipas Nishanit, Ndreca është shprehur se Presidenti nuk ishte i aftë mendërisht dhe fizikisht për të kryer detyrën e tij. Nishani theksoi se nuk mund ta jepte dekretin për një njeri të tillë, pasi personaliteti i tij ishte i dyshimtë.


 


Marrëdhëniet me mazhorancën


Kreu i shtetit shpjegoi se pse ai ishte i lënduar nga ministrat e kabinetit “Rama”. Duke folur për debatet që ai ka pasur me ministren Kodheli për çështjen e strategjisë së Mbrojtjes dhe duke kaluar te rasti ‘Gërveni’ ai theksoi se kishte vënë re një politizim të panevojshëm qëndrimesh dhe një humbje qetësie të pajustifikueshme. “Unë jam ndier i befasuar dhe i lënduar nga paraqitja e papritur e Kodhelit në media me akuza konkrete ndaj meje. Bëhet fjalë për një dokument që nuk është firmosur nga unë më parë… Unë në fjalën time e vlerësova punën e ministres, ndaj ka qenë e papritur, e pajustifikuar dhe lënduese. Ka qenë një shfaqje e ngarkuar politikisht dhe ende për këtë çështje nuk ka pasur një reflektim pozitiv të Ministrisë së Mbrojtjes… Po kështu, çështja “Gerveni”, ku ministria merr kompetencat e mia. Bëhet fjalë për një ushtarak që ka gradën e Gjeneralit mes shumë vitesh dhe sfidash. Rregulloja e disiplinës ka disa shkallë, nuk mund të shkohet te shkarkimi i menjëhershëm. Drejtuesit e institucioneve duhet të jenë të qetë dhe të matur se kanë të bëjnë me fate njerëzish”, theksoi Nishani. Ai shtoi se po kështu ministri i Brendshëm kishte përdorur takimin me të për të bërë më pas një konferencë në derën e Presidencës, duke hedhur akuza mbi të. Po kështu, Nishani nuk harroi të rendiste dhe një sërë arsyesh që sipas tij tregonin se sulmi ishte i njëanshëm. “Unë dekretova qeverinë e re dhe kam treguar një sjellje dinjitoze dhe korrekte, duke evituar kohëzgjatjet shfrytëzimin e hapësirave burokratike. E kam thirrur Parlamentin në afatin më të parë të mundshëm. Për çudinë time, hapi i parë ishte heqja e fotografisë sime nga institucionet, ky për mua ishte një akt i pastër politik. Asnjë figurë e historisë nuk mund të përfaqësojë sot kryetarin e shtetit shqiptar”, tha Nishani.


 


Shërbimi sekret


Presidenti i Republikës i doli në mbrojtje dje Shërbimit Informativ Kombëtar, që u vu përpara disa ditësh në qendër të sulmeve të mazhorancës së majtë. Së pari, Nishani justifikoi urdhrin skandaloz që u ishte dhënë agjentëve të SHISH në terren për të hetuar të gjithë drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit. “Kur kam qenë ministër i Brendshëm i kam kërkuar Bahri Shaqirit informacion në lidhje me efektivat e policisë që mund të ishin të inkriminuar. Është detyrë e SHISH të kërkojë informacion për këdo”, tha Presidenti Nishani. Ai kundërshtoi gjithashtu edhe pretendimet e mazhorancës për certifikatën e sigurisë të Visho Ajazi Likës. “Kryetari i SHISH nuk ka nevojë për certifikatë sigurie, asnjë drejtues i këtij institucioni më parë nuk e ka pasur. Ligji duhet të shihet me kujdes”, tha Presidenti. Ai kundërshtoi gjithashtu thëniet publike të Kryeministrit Rama në lidhje me temat e diskutuara në takimin e parë zyrtar mes Kryeministrit të ri dhe Presidentit. Nishani tha se Rama nuk ia ka përmendur në asnjë moment shqetësimet për Shërbimin Sekret, ndërsa Rama kishte thënë publikisht pas takimit, se kjo kishte qenë një ndër temat e bisedës.