Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka mbajtur një fjalim ditën e sotme në Takimin e Lartë të  sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku mori pjesë me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon.


Gjatë fjalës së tij, Nishani iu referua shtetit të së drejtës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ku theksoi se në vendin tonë, sundimi i ligjit është bërë parim udhëheqës “për një demokraci të re e të fuqizuar si dhe në gurin themeltar të një shoqërie të konsoliduar e në harmoni, të një ekonomie tregu të hapur e solide, të një qëndrueshmërie rajonal dhe paqeje dhe sigurie afatgjatë”.


“Sot Shqipëria gjendet në pararojë të mbështetjes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ne përkrahim luftën e të gjithë popujve për liri anembanë botës që nga Siria deri në Mianmar. Çdo regjim që dhunon ligjin e lirisë duhet të japë llogari në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, theksoi Nishani.


Pasi ka nënvizuar  faktin se Shqipëria ka mbështetur dhe gjithmonë do të vazhdojë të mbështesë mandatet e Gjykatave Ndërkombëtare për rolin e tyre në luftën ndaj pandëshkueshmërisë si dhe në vendosjen e standardeve të një drejtësie botërore në interes të paqes dhe sigurisë, nishani iu referua Serbisë si një vend i rajonit që nuk po kontribuon siç duhet për të arritur paqen e dëshiruar në gadishullin e Ballkanit.


“Është për të ardhur keq që nganjëherë, vendimet dhe mendimet e Gjykatave Ndërkombëtare nuk merren parasysh nga shtetet, të cilat i kanë ngritur dhe paraqitur fillimisht si çështje gjyqësore. Kështu ishte edhe rasti me mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pavarësinë e Republikës së Kosovës.


Në rajonin tim, atë të Ballkanit, popujt e etnive të ndryshme: shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë kanë përjetuar disa nga luftërat më të tmerrshme në emër të nacionalizmit të keqpërdorur. Mendjet shoviniste përligjën ideologjinë e superioriteti të tyre mbi popujt e tjerë duke legjitimuar gjenocidet dhe masakrat që pasuan”, tha Nishani.


Ai më tej i është referuar Kosovës dhe pavarësisë, ku ka përmendur rolin e EULEX si një tregues i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, me qëllim integrimin e të gjitha vendeve të tij në BE.


24 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)