Presidenti deklaroi se do të respektonte vendimin e mazhorancës
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaroi dje, se ai nuk do të ndërhynte në debatin mbi kohën në të cilën i skadonte mandati kryeprokurores Ina Rama dhe do të miratonte shkarkimin e saj në momentin që mazhoranca parlamentare do ia sillte mbi tryezën e punës. I ftuar në emision “Opinion”, Nishani deklaroi se ai nuk do të bëhej pjesë e kësaj çështjeje dhe pohoi se ende nuk e kishte menduar emrin e ri të pasardhësit të Ina Ramës. Gjithsesi, Nishani la të kuptohej se ai nuk mund ta propozonte Ina Ramën për një mandat të dytë në krye të organit të akuzës, sepse performanca që ka aktualisht Prokuroria e Përgjithshme nuk është në nivelin e duhur. “Nuk kam marrë një vendim për emrin e prokurorit të përgjithshëm, por ky institucion nuk është aktualisht në lartësinë e duhur, ky institucion duhet ta luftojë më shumë korrupsionin”, deklaroi Nishani, duke theksuar se tashmë do të niste të mendonte për emrin e ri. Aktualisht në vend ka nisur debati mbi kohën në të cilën i qëllon të mbarojë mandati kryeprokurores aktuale. Mazhoranca është e qëndrimit se nëntori është muaji në të cilin Ina Rama duhet të lërë zyrën e saj, ndërsa vetë kryeprokurorja dhe drejtuesi i institucionit të OSBE-së, Eugen Wollfarth, kanë theksuar se prilli i vitit 2013 është koha e përfundimit të këtij mandati. Me shumë gjasa çështja do të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, por Presidenti Nishani e diferencoi veten nga marrja e një roli në lidhje me këtë ngërç ligjor. Presidenti Nishani u shpreh dje optimist në lidhje me marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë në këtë tetor. Pas takimeve të nivelit të lartë që Nishani zhvilloi në Bruksel, ai theksoi se optimizmin për një vlerësim pozitiv këtë vit, ia kishte shtuar edhe bashkëpunimi mes PD-së dhe PS-së për sa i përket heqjes së imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Në lidhje me çështjen e emërimit të kreut të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror, Presidenti theksoi se ai nuk kishte pasur asnjë dyshim në lidhje me profesionalizim dhe integritetin e Visho Ajazi Likës. “Drejtuesi aktual i SHISH-it është një njeri me integritet të lartë dhe profesionalist. Nisur nga kjo, mendoj se bashkëpunimi me partnerët e këtij institucioni do të vijë duke u forcuar edhe më tej”, deklaroi Nishani, duke nënkuptuar këtu partnerët amerikanë, të cilët në mënyrë të vazhdueshme kanë mbështetur SHISH-in. Në lidhje me çështjen e ndarjes së kufirit ujor me Greqinë, Nishani konfirmoi faktin se ende mes palës greke dhe asaj shqiptare nuk kishte ndodhur rinegocimi i marrëveshjes. Ai deklaroi se ishte interesuar personalisht te drejtuesit e Ministrisë së Jashtme në lidhje me këtë çështje dhe se kishte marrë garancinë që çdo procedurë ligjore do të ndiqej me përpikëri përpara se të negociohej me vendin fqinj. Kjo do të thotë që, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese, Presidenti i vendit, Bujar Nishani, do të japë konfirmimin përpara se negocimi të fillojë. Po kështu, Nishani deklaroi dje, se ai vijonte të jetonte ende në banesën e tij personale dhe i quajti rikonstruksione modeste ato që po bëheshin për akomodimin e familjes së tij në Pallatin e Brigadave, pavarësisht se nga buxheti i shtetit ishte harxhuar 50 milionë lekë për këtë çështje.