Artan Broci emërohet në Gjykatën e Lartë
Presidenti Bujar Nishani “nuk di të ndalet” në nxjerrjen e dekreteve për anëtar gjykatash. Pas rokadave dhe lëvizje të anëtarëve të gjykata, nga e Lartë dhe Kushtetuese dhe anasjelltas kreu i shtetit ka nxjerrë nga skrivania një tjetër emër. Ikja e Fatos Lulos drejt Gjykatës Kushtetuese, solli një vend vakant në Gjykatën e Lartë. Për të mos u “ftohur” karrigia e lënë bosh nga Lulo, Presidenca bën të ditur se ka propozuar një tjetër. “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Artan Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Presidenca bën të ditur se me vendimin nr. 2, datë 26.04.2013, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë është deklaruar mbarimi i mandatit të anëtarit, Fatos Lulo, i cili është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese me dekretin nr. 8121, datë 24.04.2013 të Presidentit të Republikës, emërim ky që ka marrë pëlqimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me vendimin nr. 25/2013, datë 25.04.2013. Dy ditë më parë, Kuvendi votoi për katër dekretet e Presidentit për emërime gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese. Tom Ndreca, Admir Thanza, Fatos Lulo dhe dhënia e pëlqimit për kryetar të gjykatës së Xhezair Zaganjorit ishin disa nga vendimet e Kuvendit në seancën më të fundit plenare. Kuvendi pritet të realizojë procesin e votimit deri të enjten, pasi Komisioni i Ligjeve të zhvillojë seancën formale dëgjimore. Kur mazhoranca i ka ditët e numëruara, po tentohet plotësimi i menjëhershëm i vendeve vakante me gjyqtarë, duke propozuar njerëzit pranë saj. Me këto lëvizje, PD-ja po synon të blindojë problemet që ajo mund të ketë me gjyqësorin në të ardhmen.
