Kryeprokurori i ri, Adriatik Llalla i ka nisur takimet e tij zyrtare me  Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, i cili e përzgjodhi në datën 3 dhjetor në krye të akuzës qendrore.


Në njoftimin zyrtar të presidencës, theksohet se kreu i shtetit pasi e ka uruar zotin Llalla për detyrën e re në krye të organit të akuzës, e ka siguruar për mbështetjen maksimale në luftën kundër korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar.


“Kreu i Shtetit theksoi se institucioni i Prokurorisë duhet të jetë i pavarur dhe jashtë çdo ndikimi nga politika, apo aktorë të saj, në mënyrë që vendimmarrja të jetë e drejtë dhe në zbatim të Kushtetutës dhe ligjës. Presidenti i Republikës nënvizoi domosdoshmërinë e kryerjes së reformave në Prokurori si pjesë e reformës në drejtësi me synim rritjen e besimit të qytetarëve dhe vetë prokurorëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në njoftim.


Ndërkaq mësohet se Kryeprokurori Llalla shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe dakordësinë e tij me Presidentin Nishani, se në këtë sfidë të rëndësishme do të ketë prioritet pikërisht forcimin e besimit të opinionit publik për këtë institucion, si dhe forcimin e besimit te puna e njerëzve që kryejnë çdo ditë detyra delikate në përballje me shkelësit e ligjit. “Prokurori i Përgjithshëm e siguroi Kreun e Shtetit se në këtë detyrë do të jetë garant i vlerave më të larta morale dhe integritetit në radhët e prokurorëve dhe të gjithë punonjësve që ushtrojnë funksione të tjera në organin e akuzës, si dhe do të ushtrojë funksionin e lartë me përkushtimin maksimal për ta vënë institucionin e Prokurorisë në shërbim të së mirës më të madhe publike”, përfundon njoftimi.


11 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)