Me propozim të Berishës emërohet zv.ministri i Inovacionit. SHBA-ja e shqetësuar


BLEDAR HOTI



Që në 15 ditshin e parë të qenies së tij si President i vendit, Bujar Nishani firmos dekretin për shkarkimin e Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Në vend të tij është emëruar zëvendësministrin i Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë, Visho Ajazi Lika. “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 92, germa “f”, dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 5, paragrafit 2 të Ligjit nr. 8391, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, me propozimin të Kryeministrit dekretoi lirimin nga detyra të Drejtorit të SHISH-it, zotit Bahri Shaqiri dhe emërimin në detyrën e Drejtorit të SHISH-it, të zotit Visho Ajazi Lika”, thuhet në njoftim e Presidencës. Lika edhe më parë ka punuar në shërbimin sekret shqiptar, gjatë kohës kur në krye të këtij institucioni ishte Bashkim Gazidede. Ish-pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ai hyri në SHIK pas emërimit në krye të tij të Bashkim Gazidedes. Lika mendohet se ka qenë njeriu më besnik i tij në kohët e SHIK-ut të 1997. Kreu i shtetit Nishani, në deklaratat e tij, përpara marrjes së detyrës zyrtare, pati deklaruar se emërimi dhe shkarkimi i kreut të SHISH-it është një kompetencë e Kryeministrit, duke e cilësuar veten thjesht si një noter të këtij vendimi. Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu e dekretoi Bahri Shaqirin në postin e Drejtorit të SHISH-it, më 27 Janar 2005. Ai më parë punonte dhe si shef i Kabinetit të drejtorit të atëhershëm të SHISH-it, Kujtim Hysenaj.


Reagimi i SHBA-së


Vendimi “surprizë” i dy drejtuesve të lartë të shtetit ka gjetur të papritur aleatin kryesor të Shqipërisë, SHBA-në. Burime diplomatike pranë këtij institucioni mësohet se janë gjendur të befasuar përpara një vendimi të tillë. Një burim zyrtar i nivelit të lartë në ambasadën e Shteteve te Bashkuara i tregoi “Top Channel”-it se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vënë në dijeni më parë, nuk janë informuar zyrtarisht për shkarkimin e Bahri Shaqirit. Madje këtë lajm e kishin mësuar nga televizionet. “Koha dhe arsyeja përbëjnë pikëpyetje”, deklaruan për VOA burime të ambasadës amerikane. Ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu ka qenë dje gjatë gjithë ditës në Tiranë. Mësohet se ia ka lëvizur dhe drejt aeroportit të Rinasit për të pritur zv.ambasadorin e ri, pas mbarimit të mandatit të Deborah Jones.


Prokuroria


Por kjo lëvizje e behtë duket se pritet të pasohet edhe me largimin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Sipas burimeve brenda mazhorancës, mësohet se në muajin tetor mund të ndërmerret nisma për largimin e Kryeprokurores. Tashmë me largimin e Bamir Topit dhe caktimit të Bujar Nishanit, duket se Kryeministri Sali Berisha e ka rrugën të hapur për të noterizuar dhe caktimin e Kryeprokurorit të ri. Burime bëjnë të ditur për gazetën “Shqip” se posti i Kryeprokurorit mund t’i lihet një kandidature që mund të propozohet nga aleati kryesor i PD-së, Lëvizja Socialiste për Integrim. Sipas Kushtetutës, neni 149 “1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi. 2. Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit”.


 


SHBA


Ambasada e SHBA-së shprehet se është e befasuar nga vendimi i Nishanit


 


Skeda


Visho Lika është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Matematikë (1976-1981). Nga maj 1993-qershor 1997, mbante postin e diplomatit dhe të drejtorit në Ministrinë e Jashtme, në kohën e Presidencës së Berishës. Ai ka shërbyer për 5 vite si drejtor i kundërzbulimit të huaj në shërbimin sekret të asaj kohe. Ish-pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ai hyri në SHIK pas emërimit në krye të tij të Bashkim Gazidedes. Pas arratisjes së Bashkim Gazidedes në prill 1997, Vasho Ajazi Lika kryesoi de facto SHIK-un deri në dorëzimin e tij tek pasardhësi, Arben Karkini. Që nga dhjetori i 1999-s është në qeveri, si zv.ministër i Inovacionit dhe Teknologjisë.


 


 


 


Reagimet


Çfarë turpi, u rrënua pavarësia


 


Edi Rama


Turp, sepse rrënoi pavarësinë e SHISH-it; sepse e bëri këtë pa u konsultuar me aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë; sepse ktheu kohën pas!


Kreu i PS-së thekson se vendimi do të ketë pasoja negative për jetën politike e institucionale


Menjëherë pas bërjes publike të vendimit të Presidentit për shkarkimin e kreut të SHISH-it, Bahri Shaqiri dhe të zëvendësimit të tij nga Visho Likës, ka reaguar dhe lideri i opozitës, Edi Rama. Ai e ka cilësuar Nishanin si një shërbëtor të denjë të Berishës, me të cilën firmosi, pa u konsultuar më parë për largimin e Shaqirit. “Për llogari të Kryeministrit, Presidenti zëvendësoi Drejtorin e Shërbimit Sekret me një shërbëtor të Saliut, njësoj siç është dhe vetë. Çfarë turpi!”, shkruan Rama në rrjetin social Tëitter. Lideri i opozitës, Rama, më tej shprehet se dekreti i Nishanit ka rrënuar pavarësinë e shërbimit sekret shqiptar. “Turp, sepse rrënoi pavarësinë e SHISH-it; sepse e bëri këtë pa u konsultuar me aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë; sepse ktheu kohën pas! Ky vendim i Presidentit është akti më ekzemplar i varësisë së tij nga Kryeministri e do të sjellë pasoja negative për jetën politike e institucionale”, thekson më tej kreu i PS-së, Edi Rama.


 


 


Ilir Gjoni


“Berishës i duhej një pupac i tillë, që gjithmonë të përgjigjet: “Bujari ju dëgjon”. Gjithçka që po ndodh sot është një déjà vu e 1992-1997″


Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë tha se shkarkimi i Shaqirit tregon se Nishani tashmë është një kukull e Kryeministrit


“Shkarkimi i Drejtorit të SHISH-it, zotit Bahri Shaqiri, është një turp për shtetin shqiptar, për Kryeministrin dhe Presidentin e Republikës. Turp, jo se Bahri Shaqiri nuk do të zëvendësohej një ditë,por turp për mënyrën se si Shteti sillet me nëpunësit e tij. Nuk ndodh askund në botë që një shefi të shërbimit inteligjent t’i komunikohet njoftimi për shkarkimin nga detyra pa e thirrur më parë e pa diskutuar me të. Një veprim i tillë, nga ana e Kryeministrit dhe Presidentit, është një shenjë e qartë shpërfilljeje për aleatët tanë strategjikë. Sali Berisha u hakmor për paranojën e tij të 21 janarit, kur me pafytyrësinë e një gangsteri të tipit Arturo Ui, akuzoi zotin Shaqiri, Kryeprokuroren dhe ish-Presidentin se po i bënin puc me stilolapsa e çadra pistoletë. Vënia nën kontroll e të gjitha institucioneve të sigurisë nga Sali Berisha e bën atë të rrezikshëm për demokracinë shqiptare”, tha për gazetën “Shqip” nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni.


 


Aleanca Kuq e Zi


Aleanca Kuq e Zi e konsideron tashmë një kapitullim të institucioneve të pavarura, shkarkimin e Drejtorit të SHISH-it


AK-ja shprehet se tashmë SHISH-i do të kthehet në një seksion të PD-së


“Sali Berisha po i tregon e po i vërteton shqiptarëve se në 22 vite nuk ka ndryshuar, është po i njëjti, por më i sofistikuar, duke marrë nën kontroll të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë. Aleanca Kuq e Zi ka qenë pro gjithmonë këndvështrimit të SHBA-së, të cilët kanë insistuar në pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të SHISH-it, të cilët tashmë janë vetëm një dekret larg pengmarrjes. Në këto kushte, Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje faktorit ndërkombëtare që të rikonsiderojë marrëdhëniet me Sali Berishën, Kryeministrin e Shqipërisë, por jo të shqiptarëve, pasi sjelljet e fundit të Kryeministrit tregojnë qartë se ai është i gatshëm të rrezikojë dhe marrëdhëniet me SHBA-në, me BE-në dhe me NATO-n, vetëm për të arritur qëllimet e tij të errëta. Aleanca Kuq e Zi e konsideron tashmë një kapitullim të institucioneve të pavarura shkarkimin e Drejtorit të SHISH-it dhe i kërkon Berishës të ketë vetëm durim, derisa në vitin 2013 shqiptarët dhe Aleanca Kuq e Zi do t’i japin mësimin e merituar, duke e nxjerrë në pension”.


 


 


Fatos Klosi


Kjo tregon që ai do të ketë një njeri të vetin atje, por të vetin jo pse do të ketë besim tek ai, por se me të, ai do të bëjë gjëra të frikshme


Ish-shefi i SHISH-it shprehet se një vendim tillë është për t’u trembur


“Kryeministri ka dashur ta heqë (zotin Shaqiri) që kur erdhi në vitin 2005. Kjo tregon që ai do të ketë një njeri të vetin atje, por të vetin jo pse do të ketë besim tek ai, por se me të, ai do të bëjë gjëra të frikshme. Ky është problemi i vërtetë. Nuk është herët për paragjykime. Ne e dimë eksperiencën e atij që është caktuar. Ai ka pasur një eksperiencë në SHISH dhe ai Shërbim, vërtet, ka qenë anatemuar për probleme, midis të tjerave, mbase më të rëndësishmen, për një pjesëmarrje të fuqishme në ato që ndodhën në zgjedhjet e vitit 1996, kështu që nuk e quaj shumë herët. Nuk duhet të harrojmë eksperiencën. Kryeministri kishte rast për të emëruar të tjerë sa të duash, nuk është mangët Shqipëria për nëpunës të shtetit. Një konsultim me partnerët, sigurisht, për mua, do të ishte i nevojshëm. Unë kam parasysh, vite më parë, kur u bë një përpjekje e ngjashme për ta hequr Drejtorin e Shërbimit, erdhi këtu vetë Shefi i NATO-s dhe u konsultua me qeveritarët tanë dhe nga kjo gjë ata u tërhoqën”, tha Klosi për VOA-n.


 


Reagimi


FRD-ja


“Berisha po uzurpon të gjitha institucionet kushtetuese. Shqipëria po i largohet BE-së dhe standardeve të NATO-s dhe po shkon drejt modelit “Lukashenko”. Kambanat e alarmit po bien për qytetarët shqiptarë dhe për faktorin ndërkombëtar”.