Presidenti
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje në një takim shtatë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pasi i uroi për detyrën, Presidenti Nishani shprehu bindjen se trupa e re e KQZ-së do të përfaqësojë me integritet punën e këtij institucioni dhe i siguroi për mbështetjen e tij në dhënien, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e procedurave burokratike në kuadër të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme parlamentare. Zyra e shtypit bën të ditur se “kreu i shtetit i inkurajoi anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në sfidat që kanë përpara të orientohen vetëm nga Kushtetuta, e drejta dhe ligji zgjedhor, pavarësisht situatave që mund të krijohen gjatë procesit zgjedhor dhe paszgjedhor”. Presidenti Nishani nënvizoi se zgjedhjet u takojnë qytetarëve shqiptarë dhe nuk janë domen i asnjë force politike. Kreu i shtetit solli në vëmendje edhe ftesën për t’u konsultuar me partitë politike parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, takime të cilat do të mbahen në fillim të javës së ardhshme. Nishani i informoi anëtarët e KQZ-së edhe për Kodin e ri të Etikës, i propozuar nga OSBE-ja, për sjelljen e partive politike gjatë fushatës së ardhshme elektorale dhe procesit zgjedhor. Gjithashtu kreu i shtetit u kërkoi anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të punojnë për ngritjen sa më shpejt të një infrastrukture ligjore, administrative dhe logjistike që do të ndihmonte në mbarëvajtjen e punës së institucionit. Në emër të KQZ-së, kryetarja Lefteri Lleshi siguroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në punën e tij do të jetë i orientuar vetëm nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.