Berisha-Nishani-Topalli po diskutojnë për procedurat. Oketa jep alarmin
BLEDAR HOTI
Në muajin nëntor, mazhoranca pritet të nxjerrë në skenë emrin e Prokurorit të ri të Përgjithshëm. Sipas burimeve të “Shqip” mësohet se prej kohësh po zhvillohen konsulta mes tre drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar, Presidentit Bujar Nishani, Kryeministrit Sali Berisha dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli. Mësohet se takimi i fundit i përbashkët është kryer në një nga vilat qeveritare jashtë Tiranës ku të tre krerët kanë diskutuar në lidhje dhe me emrat e mundshëm për postin e kreut të organit të akuzës. Të gjitha emrat e diskutuar të kandidatëve nuk vijnë nga organika e Prokurorisë së Përgjithshme. Të gjithë të përmendurit janë njerëz që punojnë në institucione të tjera të rëndësishme, porse Kryeministri ende nuk ka arritur të gjejë njeriun e besuar. Presidenti i Republikës duket se po përpiqet të gjejë një konsensus me PD-në për emrin e prokurorit të ri, duke anashkaluar konsultat me partinë më të madhe të opozitës. PD-ja nga ana e saj po përgatitet me një skenar të mundshëm, atë të përballjes në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm. Dekreti i pritshëm i Nishanit në nëntor dhe votimi nga ana e Kuvendit mund të detyrojë vetë Ina Ramën të trokasë në dyert e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të paligjshëm vendimin. Gjithsesi kjo është edhe skema e PD-së, e cila synon të përfshijë politikën në debatin për prokurorin e ri. Lideri i PD-së, Berisha, duhet të përballet dhe me kreun e LSI-së, Ilir Meta, katër votat e të cilit janë determinuese në zgjedhjen e kryeprokurorit. Mësohet se Meta ka një emër të tijin, që vjen nga bota akademike, për të cilin është në dijeni dhe vetë kreu i PD-së. Vetë Presidenti Nishani ka deklaruar se brenda muajit tetor do të ketë mbi tryezë dosjen e Prokurorit të Përgjithshëm, duke bërë të ditur njëherësh se koha kur mbaron mandati do të shqyrtohet me stafin e tij.
Përplasjet për mandatin
Mazhoranca nuk mund t’ia kufizojë mandatin kryeprokurores Ina Rama. I këtij mendimi është deputeti i Frymës Demokrate të Re, Gazmend Oketa, i cili thekson se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 nuk mund të ndikojnë në mandatin e kreut të organit të akuzës shqiptare. “Ndryshimet kushtetuese nuk kanë përcaktuar efekte prapavepruese, është një procedurë tejet normale ligjore. Nga ky këndvështrim, mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual është një mandat i pakufizuar, pasi ndryshimet kushtetuese në gjykimin tim mendoj se vlejnë për prokurorin e ardhshëm. Duke u nisur nga kjo analizë mendoj që kemi tre variante ku varianti më afër frymës kushtetuese është ai i mandatit të pakufizuar të prokurores aktuale”, deklaroi për “As TV”, Oketa. Deputet i FRD-së shprehet se emërimi i prokurorit të ri dhe shkarkimi i Ina Ramës duhet të bëhet në bazë të legjislacionit të kohës, kur ajo u zgjodh në atë post. Sipas tij, emërimi i prokurorit të përgjithshëm po përdoret shumë herët politikisht. Partia Demokratike prej kohësh ka nisur anatemimet ndaj kryeprokurores, madje po shpejton në procedurat për të realizuar këtë ndryshim. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli në një deklaratë për mediat bëri të ditur se “nuk ka shtyrje të mandatit të kryeprokurores dhe se Kushtetuta shprehet qartë se kur ai i mbaron”. Kundër këtij synimi të PD-së i janë vënë dhe ndërkombëtarët. Ambasadori Wollfarth pas një takimi me Ina Ramën shprehu qëndrimin e tij në lidhje me mandatin e Prokurores së Përgjithshme. “Do të ishte e rëndësishme të përdorej kjo kohë për gjetjen e personaliteteve të rëndësishme për kandidat të kualifikuar që të kryejnë këtë punë sa kërkuese edhe të pavarur. U bëj thirrje palëve që ta shfrytëzojnë këtë kohë që mbetet që të gjendet personi i përshtatshëm për këtë post dhe ta lënë këtë çështje jashtë fushatave politike. 2013 ka për të qenë një vit shumë i gjallë për shkak të zgjedhjeve, por pas ndryshimeve kushtetuese të 2013-s, ndoshta maji i 2013 është muaji për ndryshimet që duhen, por duhet shfrytëzuar koha për gjetjen e kandidatit të kualifikuar”, u shpreh Wollfarth pas takimit.
Mësohet se takimi i fundit i përbashkët është kryer në një nga vilat qeveritare jashtë Tiranës ku të tre krerët kanë diskutuar në lidhje dhe me emrat e mundshëm për postin e kreut të organit të akuzës