Kushtetuta


Të premten zhvillohet seancë dëgjimore me konstitucionalistët dhe grupet e interesit 


BLEDAR HOTI


Kuvendi cakton Majkon dhe Hotin si relatorë


Pandeli Majko dhe Paulina Hoti do të jenë në radhët e mazhorancës dhe opozitës si relatorët për çështjet e ndryshimeve kushtetuese të paraqitura nga Partia Socialiste. Dje pasdite, Këshilli i Legjislacionit, së bashku me Komisionin e Ligjeve zhvilloi një mbledhje “blic” ku vendosi në hullinë e saj procedurale procesin e shqyrtimit të paketës së PS-së për amendimin e Kushtetutës në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve apo anëtarëve në institucionet e pavarura, si KLD, Prokurori i Përgjithshëm, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Opozita ka propozuar që këta drejtues e anëtarë të zgjidhen me shumicë të cilësuar të votave. Në këtë mbledhje nuk ka pasur asnjë debat apo diskutim. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh se palët kanë rënë dakord paraprakisht në përcaktimin e relatorëve. Socialistët propozuan ish-kryeministrin Pandeli Majko. Ai ishte relatori i opozitës dhe për çështjen e ndryshimit të Kushtetutës për heqjen e imunitetit. Demokratët kanë propozuar deputeten Paulina Hoti. Këshilli i Legjislacionit gjithashtu vendosi që të premten të zhvillohet seanca dëgjimore me konstitucionalistë, juristë dhe grupet e interesit.


Në seancën e 6 shtatorit, demokratët kërkuan dy javë kohë në mënyrë që të njihen më gjerësisht me paketën e propozimeve të PS për ndryshimet kushtetuese. Me votim, kjo kërkesë u miratua, ndërsa socialistët përsëritën që brenda shtatorit propozimet të jenë miratuar. Por tërheqja e papritur e Kryeministrit Sali Berisha ndaj qëndrimit refuzues të shqyrtimit të paketës së PS-së për ndryshimin e kushtetutës. Në mbledhjen e grupit të PD-së, Berisha u shpreh i gatshëm të fusë në mënyrë të përshpejtuar shqyrtimin e paketës, me qëllim që para 20 shtatorit të merret një vendim final për imunitetet. “Unë e mirëpres këtë vendim të tyre. Le të bëhen dëgjimet. Meqenëse shtatori është një afat kritik për vlerësimin e arritjeve të Shqipërisë do t’u lutesha që të bëjnë gjithçka për të afruar në përputhje me rregullat, datën e votimit në Parlament të heqjes së imunitetit dhe ligjeve të propozuara nga Partia Socialiste. Nëse kjo procedurë do kompletohej brenda afatit për të cilin po bëhet fjalë, ky do ishte lajmi më i mirë që do t’i dërgonim partnerëve tanë kudo në botë. Në rast se votohet kjo, është një arritje e madhe. Pa asnjë lloj konotacioni partiak. Është një arritje e Shqipërisë. Përndryshe opsioni tjetër mbetet gjithnjë plotësisht i mundshëm”, tha Berisha në mbledhjen e grupit. Demokratët fillimisht janë shprehur kundër paketës së PS-së, duke deklaruar se nisma e opozitës synon qeverisjen e pakicës.


 


Peçi: Shkarkimi i Ina Ramës në nëntor është antiligjor


Ish-ministri i Drejtësisë, ish-këshilltari i presidentit në kohën e Presidencës Topi, Spiro Peçi, e cilëson si antiligjore heqjen e Kryeprokurores Ina Rama në muajin nëntor. Sipas tij, nëse ndërmerret ky hap në nëntor, duhet të cilësohet si shkarkim dhe jo si mbarim i mandatit të Kryeprokurores. “Ndërmarrja e veprimeve për ta konsideruar një mbarim të mandatit në nëntor të këtij viti, meqenëse është emëruar në nëntor të 2007-s, nuk do të ishte largim për shkak të mbarimit të mandatit, por  shkarkim nga detyra, që për mua do të ishte i paligjshëm. Efektivisht Kushtetuta e ka të përcaktuar kur mund të shkarkohet një Prokuror i Përgjithshëm para mbarimit të mandatit. Mund të shkarkohet me kërkesë të Kuvendit e miratim nga Presidenti, kur ka shkelur Kushtetutën, kur ka shkelur rëndë ligjin e kur ka kryer veprime që cenojnë rëndë figurën e Prokurorit të Përgjithshëm”, deklaron për “AS TV”, Peçi. Ish-ministri i Drejtësisë, shprehet i bindur në faktin se llogaritja e mandatit 5-vjeçar të Prokurores së Përgjithshme fillon që në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të 2008-s.


“Llogaritja e mandatit për Prokuroren që është sot në detyrë bëhet nga data që ka hyrë ligji deri kur mbushet 5 vjet dhe 5 vjet i mbush, sipas ndryshimeve të Kushtetutës, në maj të vitit 2013. Prokurorja e Përgjithshme mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese por jo pa dalë vendimi i largimit të saj, sepse efektivisht nuk janë cenuar deri më sot ato marrëdhënie pune që ajo ka në bazë të Kushtetutës së vjetër”, u shpreh Peçi.


 


Argumentimi


Ish-ministri shprehet se llogaritja e mandatit duhet të bëhet në momentin kur hyn në fuqi ligji