Katër persona të së njëjtës familje kanë mbetur të vdekur, ndërkohë që një fëmijë 5 vjeç është plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti tragjik të ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Durrës-Kukës. Ngjarja e rëndë është shënuar, rreth 5 km larg qytetit të Kukësit, në vendin e quajtur Ura e Kolshit.
Sipas policisë, si rrjedhojë e motit të keq dhe lagështirës në rrugë, makinë në të cilën udhëtonin anëtarët e një familjeje ka rënë të humnerë duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tre personave: Ilmi Cengu, 45 vjeç, nga fshati Shtiqen i Kukësit dhe banues në Tiranë, drejtuesi i mjetit; Zylfie Cengu, bashkëshortja e tij si dhe nusja e djalit të tyre.
Ndërkohë, Diana Cengu dhe V. Cengu, 5 vjeç, të plagosur në gjendje të rëndë u transportuan për ndihmë të specializuar në Spitalin Ushtarak, por Diana Cengu nuk arriti të mbijetonte dhe humbi jetën rrugës për në spital.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka mundësuar nxjerrjen trupave të pajetë, ndërkohë që ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e aksidentit me pasoja tragjike.
Një i vdekur e dhjetëra të plagosur në disa aksidente në Tiranë, Fier, Elbasan e Bulqizë
Reshjet intensive të shiut, të cilat kanë rënë pa ndërprerje gjatë gjithë ditës së sotme në të gjithë territorin e vendit janë bërë shkak për disa aksidente me të plagosur ndërkohë që është shënuar një viktimë.
Si rrjedhojë e një aksidenti të ndodhur gjatë mbrëmjes së sotme në vendin e quajtur Klos Katund, në aksin rrugor Bulqize-Burrel ka humbur jetën 52-vjeçari Ramiz Cakoni dhe kanë mbetur të plagosur 2 persona të tjerë. Sipas të dhënave të policë, makina tip Benz me të cilën udhëtonte 52-vjeçari dhe disa familjarë të tij ka dalë nga rruga për shkak të shpejtësisë dhe terrenit të lagësht, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të mjetit dhe plagosjen e dy peronave të tjerë, të cilët janë dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme në spital.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme, 6 persona kanë mbetur të plagosur në një aksident automobilistik të ndodhur në dalje të autostradës Levan-Vlorë, si rezultat i përplasjes së një mjeti tip ‘Audi’ me një ‘Alfa Romeo’.
Po ashtu, rreth orës 09:30 minuta të mëngjesit të sotëm në segmentin e Qafë Kërrabës, rrugës për në Elbasan, është shënuar një tjetër aksident automobilistik, kur një furgon me pasagjerë është përplasur me një autoveturë. Policia bëri të ditur se të plagosur gjatë këtij aksidenti mbetën 3 persona, të cilët u dërguan menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit.
Ndërkohë, po ditën e sotme, në kryeqytete, nga përplasja e dy makinave në zonën e Institutit kanë mbetur të plagosur 2 persona.
27 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)