Roszak – Matthew Roszak është Managing Partner i kompanisë “SilkRoad Equity”, pjesë e konsorciumit me “Vetro energy”
Filipowski – Andrew J. Filipowski është kryetari dhe shefi ekzekutiv i kompanisë “SilkRoad Equity”
Puskar – Esad Puskar është përfaqësuesi i kompanisë “Vetro SilkRoad Equity” në tenderin për blerjen e “Albpetrol”
Vendimi – Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës pritet të japë një vendim për fituesin e tenderit
Dokumenti
Vendimi i Gjykatës së Distriktit Verior të Illinoisit cilësoi fajtor Matthew Roszak
Ylli Pata
E mbani mend Efraim Diverolin, biznesmenin 21-vjeçar nga Majami? Po partnerin e tij, David Packouz, partnerin e tij, të cilët ngritën nga hiçi një kompani që siguroi kontrata të majme nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes për të shitur armë në Afganistan. E më pas nisën të blinin fishekë në Shqipëri, por u përfshinë pa dashje në skandalin që shpërtheu pas katastrofës së Gërdecit? Kompani fantazma që sigurojnë akses në tregun global ku marrin pjesë qeveri dhe ndërthuren interesa të mëdha. Një histori, paksa e ngjashme duket se do të shoqërojë edhe privatizimin e kompanisë “Albpetrol”.
Dritëhije, në fakt më shumë hije po shpërndahen dita-ditës pas aferës për shitjen e kompanisë gjigante të naftës dhe gazit në Shqipëri, “Albpetrol” dhe blerësve potencialë të tyre. Një kaos informacioni që vjen nga Tirana, por edhe nga përtej detit, që rrit dyshimin mbi blerësit potencialë të asetit më të madh që ka Shqipëria e që po e dërgon në treg. Gazeta “Shqip” ka siguruar dokumente që tregojnë fakte jo shumë pozitive njerëzit që janë përfshirë në operacionin “Albpetrol”. Përkatësisht, një nga drejtuesit e kompanisë “SilkRoad Equity”, e cila është pjesë e konsorciumit që dha ofertën prej 850 milionë eurove për blerjen e “Albpetrolit”, është shpallur fajtor nga një gjykatë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkelje të ligjit mbi kompanitë, përdorim të formacionit për qëllime personale dhe mashtrim. Bëhet fjalë për Matthew Roszak, i cili është një nga aksionerët e SilkRoad Equity, së bashku me Andrew J. Filipowski, i cili është dhe kreu i kësaj kompanie. SilkRoad Equity së bashku me “Vetro energy”, përbëjnë konsorciumin “Vetro Silk Road Equity”, i cili është në krye të garës për blerjen e “Albpetrol”. Matthew Roszak, aktualisht partner në menaxhim pra ortak i “SilkRoad Equity” është cilësuar faktor nga Gjykata e Distriktit verior të Illinois-it në qershor të vitit 2006. Gazeta “Shqip” ka siguruar vendimin e plotë të gjykatës, ku janë të akuzuar përveç Roszak, edhe 4 persona të tjerë: Darris Edgecombe, Douglas Jozwiak(kunati i Roszak), Trifon Veladakis dhe Mark Michel. Në vendimin e gjykatës përmendet edhe Andrew J. Filipowski, i cili gjatë hetimeve gjyqësore del se ka pasur marrëdhënie të ngushta biznesi me Matthew Roszak në lidhje me kompaninë “Blue Rhino Corporation”. Aktualisht Roszak dhe Filipowski janë partnerë në kompaninë që është pjesë e konsorciumit që bëri ofertën e majme për “Albpetrolin”. Gjykata e Illinoisit ka shpallur fajtor Matthew Roszak se ka abuzuar me pozicionin e tij duke përvetësuar materiale dhe informacione nga drejtori i kompanisë “Blue Rhino” në lidhje me bashkimin e kësaj kompanie. Sipas gjykatës, Roszak përdori informacionin për të blerë kompaninë “Blue Rhino” për vete dhe në bashkëpunim me të akuzuarit Darris Edgecombe dhe Duglas Jozwiak(kunati i Roszak). Gjykata e Illinoisit ka vendosur që blerja e kompanisë “Blue Rhino” ka qenë e paligjshme dhe i dënon të akuzuarit që të kthejnë vlerën e përvetësuar, si dhe të paguajnë gjobat e padisë civile ndaj tyre.
Të akuzuarit
Matthew Roszak, 33 vjeç (në vitin 2006) është rezident në Glenview, Illinois. Roszak është shef i financës i një kompanie në Karolinën e Veriut, e zotëruar nga ish-drejtori i “Blue Rhino”. Roszak është gjithashtu kunati i Joswiak. Joswiak, 37 vjeç(në 2006) është rezident në Elk Grove Village, Illinois. Ai punon si teknik telefoni në një kompani dhe është kunati i Roszak. Edgecombe, 37 vjeç(në 2006) është rezident në Itaska, Illinois. Ai është pronar i një kompanie shpërndarjeje materialesh plastike. Edgecombe është shoku, i Roszak, Jozwiak, Beladakis dhe Michel. Beladakis, 50 vjeç është rezident në Naperville, Illinois dhe është pronar i një tjetër kompanie me materiale plastike në Itaska. Ai është partner me Edgecombe. Michel, 36 vjeç është rezident në Geneva, Illinois dhe është regjistruar si përfaqësues dhe mik i Edgecombe.
Afera
Në vendimin e gjykatës së distriktit verior të Illinoisit, dalin fakte mbi marrëdhëniet e hershme të Matthew Roszak dhe Andrew Filipowski. Sipas këtij vendimi, këta dy persona, që aktualisht janë zotërues të “SilkRoad Equity” kanë pasur marrëdhënie që në kohën kur Filipowski ishte drejtor i “Blue Rhino”, e cila u ble nga Roszak bashkë me të akuzuarit e tjerë. Sipas vendimit, Roszak shërbeu si kreu i kompanisë më pas të falimentuar të internetit që zotërohej nga Filipowski. Madje, Roszak punoi në blerjen dhe bashkimin e 50 kompanive. Që nga viti 2003 theksohet në vendimin e gjykatës, Roszak ka qenë krahu i djathtë financiar i Filipowski në disa blerje, shitje, apo bashkime kompanish. Roszak, thekson vendimi i Gjykatës ka akses në informacionet mbi bizneset e Filipowskir, përshirë edhe kompaninë “Blue Rhino”. E cila më pas u ble nga Matthew Roszak.
Kontakti
“Shqip” u përpoq të kontaktojë në telefon me zotin
Matthew Roszak, nëpërmjet numrit të celularit +1-847-840-2356, të publikuar në websitin e kompanisë. Ndërkohë, i është dërguar edhe një e-mail, për të sqaruar në lidhje me vendimin e gjykatës, por nuk ka marrë përgjigje.
