Një plagosje është shënuar mbrëmë në Tiranë. Raportohet se ngjarja ka ndodhur pak para vrasjes së 28-vjeçarit, Vilson Tafçiu.
Policia njofton se në spital, në gjendje kritike për jetën ndodhet një 37 vjeçar, i cili është goditur disa herë me një mjet shpues e prerës nga një i ri. Pak orë pas krimit është vënë në pranga 19-vjeçari me inicialet A.H.
"Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas, tek shinat e trenit, rreth orës 20:05 të mbrëmjes së datës 20.01.2020, për motive të dobëta ka goditur disa herë me një mjet shpues e prerës shtetasin I. Z., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe pas rreth dy orë kërkimesh dhe kontrollesh në zonë, bënë të mundur gjetjen, kapjen dhe arrestimin e 19-vjeçarit", njofton policia.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën "Plagosja e rëndë me dashje".