Edi Rama
Fatkeqësisht dyshimi im se AK-ja ishte një sorrë e pushtetit për të çoroditur popullin opozitar e jo një shqiponjë e opozitarizmit, ka marrë formë gjatë procesit qesharak e të shëmtuar që imponoi ajo parti për të (mos)negociuar me PS-në dhe është provuar sot, kur Kreshniku i nacionalizmit është shfaqur si xhuxhmaxhuxhi i radhës në përpjekjen e kotë për ta shitur një produkt të diktaturës së korrupsionit si një forcë vetmitare opozitare që aleat të vetëm paska popullin! Çfarë turpi ky i shpërdorimit të simbolit kuqezi për të fryrë një kamerdare shpëtimi për pushtetin e korrupsionit, që me demek po lufton, duke tërhequr prej hunde njerëz të ndershëm e të lodhur nga politika e nga partitë aktuale! Çfarë pështirosje prej atyre kërkesave të shtruara skuthërisht mes tekstesh provokative, ku mbërrihej deri në marrëzinë e një lufte të ftohtë ballkanike, dhe këmbënguljes për të desantuar 5 diversantë deputetë në listat e PS-së apo për të përcaktuar se për çdo 10 mijë vota AK-ja duhet të merrte një portofol ministror! Çfarë talljeje me idealet e me aspiratat e Myslym Pashait e të Pëllumb Xhufit që e kanë mbështetur me zemër këtë farsë të Saliut, i gjithë ky sharlatanizëm spektakolar! Shkurt fjala, Aleanca Kuqezi, të dashur miq, s’qenka gjë tjetër përveçse grahma e fundit e Saliut dora vetë. Ndërsa vetë Kreshniku, xhuxhmaxhuxhi i oborrit të Saliut, na dha me këtë rast, ilustrimin më të freskët të proverbit të famshëm që thotë se nacionalizmi është streha e fundit e maskarallëkut.
