Tahiri:


Pas Lulit është Mon Kukaleshi. I famshmi Kunat. Personazhi tipik që zhvat. E pas kunatit të shokut Lul, është Kapterri. Personazhi gati komik që brenda bashkisë godet gratë, sekuestron kanoçet e romëve


Lorina Mixha


Kreu i Bashkisë së Tiranës ka festuar dje përvjetorin e parë të punës. Ndërsa ka marrë urime nga miq e dashamirës, ka dëgjuar edhe “thuprën” e hidhur të opozitarëve, të cilët i kanë renditur të gjitha premtimet dhe i kanë peshuar në kandar ato që ka premtuar e ato që ka bërë gjatë qeverisjes së tij njëvjeçare.


Deputeti Saimir Tahiri, i ka listuar kreut të bashkisë të gjitha ato premtime që sipas tij, kanë qenë mashtrime e jo premtime të mbajtura. Nga ana tjetër, kreu i këshilltarëve opozitarë, Aldrin Dalipi, përgatiti një tjetër rezyme të të gjitha problematikave të kryeqytetasve në një vit pune të Lulzim Bashës. Por kryebashkiaku, pavarësisht akuzave dhe ankesave të opozitarëve, në analizën e tij të punës ka dhënë një për një detajet e punës së tij gjatë një viti dhe çfarë do të bëjë në 12-mujorin e ardhshëm. Thelbi i së gjithë analizës së Bashës dje, ishte që për çdo premtim të një viti më parë, jepej një tjetër premtim.


Kështu fjalët “do të”, “është në proces”, “brenda këtij viti” gjendeshin në pjesën më të madhe të referimit të kryebashkiakut.


Në rast se kreu i bashkisë do të merrte me laps dhe letër në dorë pretimet e tij një nga një dhe të shënonte nga një “tik” për secilën prej tyre dhe të thoshte për secilën “u kry”, do t’i kishte mbyllur njëherë e mirë gojët e hidhura. Por përdorimi i “do të”, si dhe lënia pezull e një liste të gjatë premtimesh prioritare në listën e tij u ka lënë shkak opozitarëve, qytetarëve, votuesve se kreu i bashkisë, në një vit, nuk ka bërë atë që ka premtuar.


Premtoi ujë 24 orë, por vetëm sa mori në menaxhim Drejtorinë e Ujësjellësit të Tiranës, premtoi punësim, por vetëm nënshkroi marrëveshje me Dhomën e Tregtisë për punësimin e studentëve. Ndërsa punonjësit e bashkisë, në një vit, pothuajse janë zëvendësuar të gjithë. Premtoi kartën e studentit, por pas një viti, jemi ende në fazë aplikimi. Basha premtoi dyfishim të gjelbërimit, por liqeni artificial, sot po copëtohet nga punimet e zgjerimit të Rrugës së Elbasanit. U premtua plani rregullues i Tiranës, por në fakt janë bërë thjesht takime dhe sugjerime, asgjë në letër. U premtuan hipotekat, por procesi ka mbetur pezull, pasi bashkia ka dhënë vetëm lejet e përdorimit.


U premtuan uljet e taksave, por në fakt u ulën vetëm ato të parëndësishmet për biznesin dhe tregtarët.


“Do të sigurohet menaxhimi i trafikut dhe përmirësimi i sigurisë rrugore, i cili parashikon ndërhyrjen në 60 semaforë dhe vendosjen e 9 semaforëve të rinj, 6 pajisje VMS (Tabela Informacioni në rrugë me Informacione të ndryshueshme), 23 kamera për vrojtim ditë e natë. I gjithë sistemi do të menaxhohet nga Dhoma e Qendrës Operacionale e Kontrollit, e cila parashikohet në projektin që është duke u zbatuar”, deklaroi kreu i bashkisë


Ai vijoi duke thënë: “Kanë përfunduar projektet ose janë në fazë tenderimesh, rikualifikimi urban i 13 blloqeve urbane, ndërtimi dhe rikonstruksioni i 47 rrugëve, 2 urave , 15 shkollave, 14 kopshteve dhe 7 çerdheve, 3 sistem – kanalizime. Të gjithë këto projekte nisin nga zbatimi brenda këtij viti.


“Premtoi mijëra vende pune për të rinjtë e Tiranës. Një herë 30.000, një herë tjetër 50.000. Pastaj 100.000, pastaj 200.000. Sa më afër dita e zgjedhjeve, aq më shumë vende pune premtonte Luli. Të gjitha gënjeshtra. Jo vetëm që nuk hapi asnjë vend pune, por filloi spastrimet në institucionin ku hyri me dhunë. Shkarkoi nga puna e nxori në rrugë burra e gra, të rinj e të reja, specialistë që kishin dhe mbi 20 vjet në punë në Bashkinë e Tiranës”, tha deputeti i PS-së Saimir Tahiri. Sipas tij, edhe varrmihësit në Varrezat e Sharrës e Shishtufinës u shkarkuan.


“Edhe punonjësit që mirëmbanin varrezat. Edhe punonjësit e gjelbërimit që merreshin me ujitjen dhe krasitjen e lulishteve të Tiranës. Edhe elektricistët e thjeshtë. Edhe mirëmbajtësit e rrugëve. Edhe punëtorët e krahut. Të gjithë u shkarkuan e po të gjithë u zëvendësuan me atë racën e militantit dallkauk që i priste kokën dashit në hyrje të bashkisë”, deklaroi Tahiri.


“I mbajmë mend dhe sot të gjitha ato premtime të bujshme të kryebashkiakut, dhe në veçanti sot që mbushet një vit, ky bilanci i paralajmëruar i dështimeve është në sytë e qytetarëve”, tha kreu i këshilltarëve opozitar Aldrin Dalipi, në përvjetorin e parë të Lulzim Bashës në krye të bashkisë.