Persona të afërt me pushtetin, pas “blerjes së gjakut” tek familjet e të vrarëve të Gërdecit dhe 21 janarit, tentojnë edhe tek familja e ish të dënuarit politikë


Misteri i “sekserëve”


Familja e të ndjerit Lirak Bejko është vizituar ditët e fundit nga miq, dashamirës dhe qytetarë të shumtë. Mes tyre ka pasur edhe sekserë të qeverisë, një “sëmundje” e hershme e ndodhur edhe më parë në vend, ku njerëz të afërt me pushtetin negociojnë me familjet që kanë humbur njerëzit e dashur, të cilët kanë protestuar kundër saj. Rasti i familjes së Hekuran Dedës, i vrarë barbarisht më 21 janar 2011 para selisë së kryeministrore, është ende i freskët. Në atë kohë, vëllai i tij denoncoi publikisht se individë të caktuar i kishin shkuar në mes të natës në shtëpi, vetëm disa orë pasi Hekurani kishte marrë një plumb vdekjeprurës në kokë. Ata i premtuan lekë dhe autorin e vrasjes dhe si këmbim, familja Deda të lejonte Kryeministrin për ngushëllime. Madje, vëllezërit e Hekuranit përmendën edhe emra konkretë dhe me ta janë në procese gjyqësore, për shpifje. Gjithsesi, Kryeministri nuk u lejua dhe sekserët “morën përgjigjen e merituar”. Më parë, e njëjta “skemë”, pra “blerja e gjakut”, e cila njihet edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit, ka ndodhur edhe me familjet e viktimave të Gërdecit.


Pa kaluar shumë kohë nga këto ngjarje aspak e këndshme për qeverinë, sekserët dalin sërish dhe negociojnë me familjen Bejko, kësaj here për të lejuar që homazhet të bëhen apo jo tek Instituti i të Përndjekurve. Ideja e qeverisë është që të mos lejojë që shokët e tij të protestojnë në rrugët e Tiranës gjatë funeralit, siç u deklarua më parë nga ish të përndjekurit, të cilët pohuan se “me trupin e Lirakut do të dalin para Kryeministrisë”. Deklarata duket se nuk u ka pëlqyer aspak qeveritarëve, të cilët kanë filluar të lëvizin “nën rrogoz”. Me shpejtësi kanë dërguar te familjet njerëz të tyre, madje edhe të përndjekur, duke kërkuar nga familja që funerali të bëhet “vetëm privat”, dhe të mos marrë përmasa proteste, pasi imazhi i qeverisë në këtë rast, në sytë e opinionit publik, do të ishte shumë i keq. Madje, kjo formë proteste, që ngjason me ngjarjen e 14 shtatorit 1998, mund të sillte irritim të turmës.


Megjithatë, duke qenë se familja Bejko është në zi, ata nuk kanë preferuar të “denoncojnë” sekserët. Ata pohojnë se kanë hapur dyert për miqtë dhe dashamirësit e Lirakut dhe se mbështesin kauzën e njeriut të tyre të dashur, i cili u vetësakrifikua, pasi iu mohua një e drejtë me ligj. Nëna, vëllezërit dhe bashkëshortja, në disa dalje publike para dhe pas vdekjes së Lirakut, kanë pohuar se e kanë mbështetur plotësisht dhe se kanë pohuar se “kjo ishte një ngjarje e paralajmëruar”. Nga ana tjetër, shokët e Lirakut kanë denoncuar këta sekserë, madje edhe me emra. Ata pohojnë se sekserët mbajnë poste në administratë, dhe se janë ish të përndjekur, të cilët janë “kamufluar” si të tillë para syve të familjes. Gjithsesi, vendimi përfundimtar për ceremoninë mortore të Lirak Bejkos i takon vetëm familjes së tij, nënës, vëllezërve dhe bashkëshortes, që do të vendosin nëse do të lejojnë që trupi i tij të shkojë apo jo tek Instituti i të Përndjekurve.


 


Te vendi i djegies


Ndërkohë, grevistët e urisë kanë shkuar sërish dje te vendi ku Lirak Bejko i vuri flakën vetes. Në vendin ku pak ditë më parë ishte vendosur çadra, tashmë kanë ngelur disa qirinj dhe lule, homazh për Lirak Bejkon dhe shkrime në mure. Shokët, mes lotëve, tregojnë për karakterin e fortë të tij, si dhe vendin ku 47-vjeçari kalonte pjesën më të madhe të kohës. Fjalëpakë, por i guximshëm, këto janë cilësitë e Lirakut, të cilat Besim Valteri i përmend shpesh kur flet për mikun e tij, ndërsa mes dhimbjes na tregon se fjalët e fundit të Bejkos, lëshuar nga spitali i Barit kur ishte për kurim, kanë mbetur si jehonë në memorien e ish-grevistëve të urisë. Ish të burgosurit politikë, krahas dhimbjes për mikun e tyre, thonë se këto ditë po punojnë për krijim e një organizate, e cila do të mbajë emrin e Lirak Bejkos.


 


Jeta në burg e Lirak Bejkos


Lirak Bejko


Lirak Bejko, 47 vjeç, ishte dënuar nga diktatura komuniste me 20 vjet burg, nën akuzën e agjitacion propagandës. Ai u arrestua nga Sigurimi, pas tentativës për arratisje, për shkak se u tradhtua nga disa persona. Bejko iu nënshtrua seancave të gjata të hetuesisë, ku përjetoi një dhunë ekstreme. Madje, sipas shokëve të tij dhe vetë dëshmisë së tij dhënë kohë më parë, ai përjetoi edhe seanca elektroshoku që e çuan disa herë në spital. Lirak Bejko bëri vetëm 7 vjet burg në kampet në Sarandë dhe u lirua vetëm pas rrëzimit të regjimit komunist. Ai mori një pjesë të këstit të parë të dëmshpërblimit financiar dhe ishte një ndër zërat më të fortë nga ish të persekutuarit në kërkim të zbatimit të ligjit për kompensimin financiar. Bejko ishte emigrant në Greqi e Gjermani, ku edhe u kurua për shkak se shëndeti i tij ishte goditur rëndë nga dhuna në burg, si dhe nga tuberkulozi. Muajin e kaluar, ndërsa Bejko ishte në grevë urie, Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 1 milion lekë të vjetra gjobë, si dhe punë në shërbim të komunitetit, për shkak të sulmit që Bejko bëri së bashku me Gjergj Ndrecën ndaj deputetit Ilir Rusmali.


47-vjeçari Lirak Bejko u vetëdogj me benzinë në datën 10 tetor 2012, në çadrën e ngritur nga ish të dënuarit politikë, të cilët kërkonin nga qeveria të kompensoheshin për vitet në qeli në kohën e diktaturës. Akti i tij pasonte tentativën për vetëflijim të Gjergj Ndrecës, shokut të tij. Ai lëngoi për disa javë në spitalet në Shqipëri dhe Itali, para se të shuhej në një poliklinikë në Bari, si pasojë e plagëve të marra nga djegia me benzinë. s.ç


Kronologji


8 tetor – Disa orë pas djegies me benzinë të Gjergj Ndrecës, Lirak Bejko u fut në grevë. Ai zuri vendin e shokut të tij të qelisë në vitet e diktaturës


10 tetor – 47-vjeçari shokoi opinionin e gjerë publik me aktin e vetëflijimit. Pamjet ishin tmerruese, ku Liraku ishte mbuluar nga flaka


14 tetor – Në një deklaratë për mediat, Lirak Bejko u kërkoi shokëve të mos digjen, pasi plagët janë të padurueshme, ndërsa tha që të vazhdohet greva


2 nëntor – Mjekët italianë konfirmuan se Bejko nuk i mbijetoi operacionit të dytë, pasi plagët i ishin infektuar. Djegia ishte mbi 50 për qind e trupit


 


Shokët


“Ky pushtet e vrau, ky e shau dhe tani dërgon ‘sekserë’ në familje”


Shokët e të ndjerit Lirak Bejko, i cili ndërroi jetë në qytetin e Barit të Italisë, si pasojë e plagëve të marra nga djegia me benzinë, dënojnë aktin e qeverisë për të dërguar “sekserë” në familjen e 47-vjeçarit për t’i paguar lekët e funeralit. Ish të përndjekurit pohojnë se paratë do të mbulohen nga vetë ata, me kontribute nga xhepat e shpuar, dhe nuk do të lejojnë që qeveria të “fusë hundët edhe në funeralin e pishtarit të demokracisë”. “Në këtë moment, nuk do të analizojmë veprimet e qeverisë dhe partisë në pushtet, të cilat po mundohen ta politizojnë çështjen. Ne kujtojmë që disa ditë më parë, partia e quajti Lirakun drogaxhi, dhe tashmë i çon një mesazh ngushëllimi”, pohon Skënder Tufa, duke shtuar se këto veprime janë të pamoralshme. Ata i bëjnë thirrje qeverisë për të hapur dyert e Institutit të ish të Përndjekurve, qetësisht, me qëllim kryerjen e homazheve. “Nesër (sot) do të shkojmë tek instituti që të marrim leje për kryerjen e homazheve për Lirakun. Ne jemi një grup ish të përndjekurish nga e gjithë Shqipëria dhe do të organizojmë me detaje homazhet dhe ceremoninë mortore. Nuk kemi nevojë për ‘lëmoshë’ nga qeveria dhe se shpenzimet për familjen Bejko janë mbuluar nga kontributet tona modeste, por të ndershme”, pohojnë shokët e 47-vjeçarit, duke këmbëngulur që homazhet të bëhen tek instituti, pasi siç deklarojnë, “është kisha jonë”. Sipas tyre, i gjithë organizimi për funeralin do të jetë paqësor dhe kërkojnë vetëm që këtij personi, të cilin e quajnë hero, t’i bëhen nderimet siç i takojnë. “Ky pushtet i qelbur e vrau, ky e shau, dhe tani lan duart duke i dërguar një mesazh ngushëllimi familjes. Ky është pushtet i ekstremeve, dhe qeveria po e tregon fytyrën e vërtetë”, pohon Skënder Tufa, duke shtuar se ata do të fokusohen vetëm te varrimi i Lirak Bejkos.


 


Ceremonia mortore


Trupi i të ndjerit Lirak Bejko vjen në Shqipëri ditën e martë në mëngjes. Kolegët e tij të grevës së urisë, së bashku me ish të dënuar të tjerë, janë mbledhur për të diskutuar detajet e ceremonisë së lamtumirës. Ata thonë se do të shoqërojnë trupin e Lirak Bejkos nga Porti i Durrësit pranë familjes së tij në Tiranë, ku do të qëndrojë 24 orë. Më pas, ish të dënuarit kërkojnë hapjen e Institutit të ish të Përndjekurve Politikë për kryerjen e homazheve.


“Do të mposhtim çdo pengesë që do të na dalë përpara. Do të mundohemi ta bëjmë funeralin më madhështor, dhe jam i sigurt se kështu do të dalë, se me ne do të jenë të gjithë njerëz të ndershëm”, tha Islam Spahiu, ish i dënuar.


“Ne shpresojmë që kisha e daljes së tij të jetë themeli i Shoqatës së të Përndjekurve, që sot është instituti. Unë nuk mund ta pranoj dot hyrjen në institut, kur ai është shtetëror, por moralisht duhet ta hapin atë. Vajtja e tij drejt banesës së fundit është vajtje e një cope të secilit nga ne. Kush nga djegia e tij është djegur dhe i vjen turp, them që duhet të vijë. Kush është ngrohur, le të mos vijë”, u shpreh Edmond Halimi, ish i dënuar.