Krimi


Policia e Lushnjës shpall në kërkim dy të dyshuarit


“Dashamir Çyrbja u zu me një agjent tatimor privat se nuk kishte të paguante qiranë për kioskën”


Edmond Hoxhaj


komisariati i policise lushnjeKonflikti me një roje private, i cili mblidhte qiranë për vendet në tregun e Lushnjës, i ka marrë jetën një tregtari fruta-perimesh nga Shijaku, pasi është qëlluar me dy plumba pas koke. Dashamir Çyrbja, 35 vjeç, nga Xhafzotaj, babai i dy fëmijëve është qëlluar për vdekje me armë zjarri teksa ndodhej pranë magazinave të tregut të fruta-perimeve të qytetit të Lushnjës. Policia ka identifikuar si autorë të dyshuar dy persona dhe po punon për kapjen e tyre.


Ka qenë ora 08:30 e mëngjesit të djeshëm, kur 35-vjeçari Çyrbja, ashtu si çdo ditë, ka shkuar në tregun e fruta-perimeve të qytetit të Lushnjës për të nisur punën, me të cilën mbante familjen. Kur Dashamiri ka hapur tendën ku shiste, ka mbërritur aty një prej punonjësve të firmës që ka marrë me koncesion vite më parë prej Bashkisë së Lushnjës menaxhimin e tregut dhe i ka kërkuar që të paguajë taksën ditore. Nga burime të gazetës nga vendngjarja mësohet se agjenti tatimor ka debatuar me Dashamirin, i cili mësohet t’i ketë pohuar se nuk kishte para, pasi nuk kishte shitur asgjë ditët e fundit. Viktima mësohet t’i ketë kërkuar që ta presë edhe disa ditë për të kryer pagesën, por kjo gjë duket se e ka inatosur agjentin tatimor, i cili ka këmbëngulur për t’i marrë paratë. Sipas tregtarëve të tjerë, ata kanë ndërhyrë dhe e kanë shuar sherrin mes Dashamirit dhe agjentit tatimor privat. Por, vetëm pak çaste më vonë kanë vërejtur kolegun e tyre tek rendte me vrap, e më pas kanë dëgjuar dy të shtëna me armë zjarri. Ata kanë parë se si tregtari 35-vjeçar është rrëzuar në tokë dhe kanë shkuar ta ndihmojnë, duke e shoqëruar për në spital. Por 35-vjeçari Çyrbja ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital për shkak të hemorragjisë së shumtë. Sipas mjekoligjorëve, viktima ka marrë dy plagë në qafë, ku një prej plumbave i ka dëmtuar një prej arterieve kryesore, ç’ka ka sjellë si pasojë humbjen një sasie të madhe gjaku brenda një kohe të shkurtër. Ndërkohë, dëshmitarët okularë kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimin për zbulimin dhe kapjen e autorëve.


Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit është bërë i mundur identifikimi i dy autorëve të dyshuar që kanë bashkëpunuar në vrasjen e 35-vjeçarit Dashamir Çyrbja. Ndërkaq, ka nisur kërkimi për dy të dyshuarit, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur nga policia për shkak të sekretit hetimor. Mësohet se një prej të dyshuarve është edhe agjenti tatimor privat, i cili ka debatuar pak çaste para ngjarjes me viktimën. Policia ka ngritur postblloqe të shumta në qytetin e Lushnjës dhe në të gjitha daljet e tij. Blutë e Lushnjës e të Fierit kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e policisë së Beratit dhe të Rrogozhinës për kapjen e dy autorëve të dyshuar, të cilët janë larguar nga vendngjarja me një autoveturë.


Nga burime të gazetës është mësuar se motivi i vrasjes së 35-vjeçarit dyshohet të jetë konflikti që ka lindur mes tij dhe agjentit tatimor për mospagesën e tarifës ditore për kioskën që kishte marrë me qira i ndjeri në tregun e fruta-perimeve. Ky sherr duket se ka bërë që agjenti tatimor privat të humbasë kontrollin, të marrë armën, e të qëllojë mbi 35-vjeçarin Çyrbja, duke e lënë të vdekur. Tregtarët e tjerë të fruta-perimeve kanë pohuar për gazetën se Çyrbja kishte më shumë se 15 vjet që vinte prej fshatit Xhafzotaj të Rrethit të Durrësit dhe tregtonte aty. Ai e kryente këtë rrugë përditë qëkurse ishte ndërtuar tregu i fruta-perimeve. Sipas tyre, Dashamiri nuk ka pasur asnjëherë konflikte me tregtarë të tjerë në këtë zonë.