nuland-luNë fund të takimeve të saj, Victoria Nuland ka mbajtur një konferencë për mediat, ku ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e reformës në drejtësi. Nuland tha se reforma është jetike për të ardhmen e Shqipërisë.


Nuland bëri me dije se është bërë një propozim hibrid, me ide nga qeveria dhe opozita dhe është në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.


Ajo theksoi se ky është një muaj i vështirë por edhe i rëndësishëm, pasi pritet të miratohet një prej reformave më të rëndësishme për vendin. Sipas saj, kjo reformë i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë. “91 për qind e shqiptarëve e kërkojnë reformën në drejtësi”, pohoi ndihmës sekretarja amerikane.


Gjithashtu Nuland deklaroi se Shqipëria ka një vend të veçantë në zemrën e saj.


“Shtetet e Bashkuara janë shumë krenarë që janë aleatë dhe partnerë me Shqipërinë. Shiqëpria ka një vend të veçantë në zemrën time, pasi unë kam shërbyer si ambasadore në NATO kur Shqipëria u bë anëtare.


Është e drejtë të them se ky është një moment tjetër vendimtar për demokracinë. Reforma në drejtësi, për të cilën po punon parlamenti, për të cilën po punon si qeveria edhe opozita është tejet jetike për të ardhme e demokracisë shqiptare.


Do t’i japë fund kulturës së pandëshkueshmërisë dhe Shqipëria do të ketë një sistem drejtësi që do të funksionojë. 91 për qind e shqiptarëve janë duke kërkuar reformën në drejtësi. Të dyja palët kanë punuar fort dhe drafti është drejt përfundimit.  SHBA she BE janë krenarë që kanë pasur mundësinë të lehtësojnë në negociata.


Ky është një propozim hibrid që ka marrë propozime nga të gjitha palët dhe është në përputhje me Komisionin e Venecias. Ky propozim ka mbështetjen time, nga Uashingtoni dhe lideri i saj. Ka ardhur kohë që të arrihet në një marrëveshje. Është koha të bashkojnë  forcat dhe të japin atë që ky vend po pret”, deklaroi Nuland.


 


10 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)