Gjykata supreme e konsideron ligj fiskal, programi mbetet në fuqi.
Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosi sot se ligji i shumëpërfolur i administratës së Presidentit Obama që i jep sigurime shëndetësore të gjithë amerikanëve, është i drejtë dhe duhet të qëndrojë në fuqi. Vendimi përbën një fitore vendimtare për presidentin dhe Partinë Demokratike, pasi në Gjykatën Supreme, edhe disa anëtarë konservatorë votuan pro ligjit.
Shumë analistë e konsideruan gjykimin e këtij ligji si përplasjen më të rëndësishme politike në një dekadë në SHBA, që nga viti 2000 në përplasjen ligjore Bush kundër Gore. Përveç diskutimeve politike, vendimi i gjykatës ndihmon në vendosjen e rregullave që do të ndikojnë në jetën e të gjithë amerikanëve, nga djepi deri në varr si dhe do të ndikojë ndryshime të rëndësishme në të gjithë ekonominë dhe shoqërinë amerikane.
Ligji u miratua në vitin 2010 dhe synonte të fuste në skemën e sigurimeve shëndetësore me dhjetëramilionë amerikanë duke përdorur fonde shtetërore. SHBA-të janë vendi i vetëm i zhvilluar në botë që nuk kanë shërbime shëndetësore falas për njerëzit me të ardhura të pakëta.
Republikanët kanë deklaruar se lufta kundër këtij ligji do të vijojë dhe kandidati për president Mitt Romney ka premtuar ta zhbëjë.
Neni më i rëndësishëm i ligjit, i cili kundërshtohet nga 26 shtete, kërkon që të gjithë qytetarët të paguajnë sigurim shëndetësor dhe të gjobiten në rast se nuk e bëjnë këtë gjë.
Republikanët thonë se me këtë llogjikë, qeveria do të detyrojë qytetarët të blejnë çdo gjë.
Ligji ofron fonde shtetërore për familjet e varfra dhe ato të shtresës së mesme për blerjen e sigurimit shëndetësor, kur këto familje nuk kanë mundësi financiare. Dhjetëramilionë amerikanë pritet të përfitojnë nga ky ligj. Shumë presidentë të mëparshëm amerikanë e kanë patur si objektik këtë gjë, përfshirë Roosvelt-in Truman, Johnson, Nixon dhe Bill Clinton.
28 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)