Kreu i PS-së: Kandidati i përbashkët duhet të plotësojë të paktën tri cilësi
Opozita ka lineuar dje identikitin e kandidatit për president ndërkohë që në fundin e javës priten zhvillime të rëndësishme për këtë çështje. Ndërkaq, lideri socialist, ka bërë të ditur edhe ofertën e opozitës ndaj mazhorancës për të nisur negociatat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Konkretisht, sipas Ramës, oferta është e thjeshtë: nëse mazhoranca do të pranojë nisjen e konsultimeve për presidentin e ri, atëherë edhe opozita do të jetë bashkëpunuese dhe do të japë votën e saj për të gjitha ligjet e domosdoshme që kërkojnë 3/5 e votave dhe futën në kushtet e BE-së për statusin kandidat. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama deklaroi se “Bazuar në logjikën e angazhimit tonë për të ndërtuar proces mes palëve, por edhe në mesazhet krejt të qarta të miqve e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, është e udhës që hapja e procesit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, të përkojë me mbylljen e të gjitha angazhimeve tona të këtij sesioni parlamentar në përpjekje për t’i siguruar vendit statusin e kandidatit”. Katër janë ligjet që presin votat e opozitës: konkretisht Gjykata Administrative, reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe amendimi i Kushtetutës për presidentin. Kreu i PS-së, deklaroi se “Tanimë ka përfunduar drafti konsensual për Gjykatën Administrative dhe ta votojmë pa humbur kohë. Të mos lejojmë e as të mos bëhemi shkak për asnjë shtyrje të mëtejshme të reformës zgjedhore dhe të mbyllim në gjysmën e parë të këtij muaji. Të diskutojmë me të gjitha palët për përfundimin e reformës parlamentare sipas standardeve më të larta demokratike, në kushtet kur njëra palë, përkatësisht Partia Demokratike këmbëngul në mosndryshimin e dy rregullave që penalizojnë opozitën dhe debatin parlamentar. Të përgatisim menjëherë propozimin tonë për heqjen/kufizimin e imunitetit të deputetëve, zyrtarëve të lartë të shtetit dhe gjyqtarëve, e ta depozitojmë në Parlament me synim kalimin e kësaj çështjeje nga tribunat politike në duart e përfaqësuesve të popullit”. Pikërisht këto oferta, Rama pritet t’ia bëjë të ditur edhe Komisionerit Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, gjatë takimit të sotëm.
Kriteret
Opozita, ndërkaq ka bërë të qarta kriteret që duhet të plotësojë kandidati për postin e Presidentit të Republikës dhe i ka dhënë një “JO” të fortë daljes së emrave në publik si kandidatë, që në një farë mënyre ka qenë një kundërshtim për fushatën e Nanos.
“Është shumë herët të flitet për emra dhe jo vetëm është herët, por është edhe kundërproduktive në këtë fazë që duhet të jetë përgatitore për një proces”, ka deklaruar kreu i PS-së, duke fshikulluar ashpër indirekt fushatën e paraardhësit të tij. Ndërkaq, në lidhje me kriteret, Rama ka qenë më i qartë:
“Shqipërisë i duhet një President që të plotësojë së paku tri kërkesa në interes të vendit dhe të popullit shqiptar: T’i japë një shtysë vendimtare procesit të marrjes së statusit të kandidatit duke u zgjedhur përmes një procesi politik e jo përmes një procedure mekanike të bazuar te numrat. Të jetë garant i Kushtetutës e posaçërisht i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë nga shumica e sotme apo e nesërme qeverisëse. Të përbëjë një faktor sigurie e paanësie për palët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kriteri i parë parashikon, një figurë shumë të pëlqyer nga ndërkombëtarët që ka një imazh të mirë në publik dhe profil të lartë. Kriteri i dytë flet për një person që ka dhënë prova të forta moskompromisi dhe kushti i tretë flet qartë: të jetë një garant i zgjedhjeve të ardhshme, pra i besuar nga opozita.
Identikiti
Imazhi: 1- T’i japë një shtysë vendimtare procesit të marrjes së statusit të kandidatit duke u zgjedhur përmes një procesi politik e jo përmes një procedure mekanike të bazuar te numrat.
Drejtësia: 2-Të jetë garant i Kushtetutës e posaçërisht i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë nga shumica e sotme apo e nesërme qeverisëse.
Zgjedhjet: 3-Të përbëjë një faktor sigurie e paanësie për palët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
