Bashkë me të, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm vë në pranga një biznesmen dhe dy bashkëpunëtorë të tyre
Një oficer i sektorit të antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka rënë në prangat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pasi bashkë me tre persona të tjerë, janë kapur në qendër të Tiranës me 8 kg kokainë dhe 52 kg heroinë. Specialisti, i cili ishte zhvendosur nga Dibra për në drejtorinë qendrore të policisë, me qëllim që të luftonte trafikun e drogës, është kapur në zonën e ish-Bllokut gjatë një operacioni të shpejtë të forcave speciale të Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë e SHKB-së në Ministrinë e Brendshme, e cila prej disa muajsh kishte marrë nën hetim oficerin. Ministria e Brendshme deklaroi zyrtarisht se operacioni u zhvillua rreth orës 18:30, në rrugën “Ibrahim Rrugore”, pranë urës që lidh ish-Bllokun me zonën e Shallvareve, ku fluksi i njerëzve ishte shumë i lartë. Gjatë këtij operacioni, i cili u zhvillua në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Tiranës, në kushtet e flagrancës u arrestua Anoril Naim Cani, 31 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në departamentin e antikrimit të organizuar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Bashkë me të, në pranga kanë përfunduar edhe tre persona të tjerë, që sipas të dhënave janë Gentian Vlash Gjoka, 38 vjeç, lindur dhe banues në Cërrik, Ilir Petrit Shehaj, 46 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i cili njihet edhe me pseudonimin “Gjyshi” dhe ka aktivitete biznesi në Tiranë. Gjithashtu është arrestuar edhe Madrit Dule, 38 vjeç, banues në Vorë. Ata akuzohen për veprën penale “grup i strukturuar kriminal” “trafik të lëndëve narkotike. Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme thanë se në momentin e arrestimit, personave të lartpërmendur u janë kapur 8 kg pluhur i bardhë, që dyshohet për kokainë, mbi 31.3 kg heroinë, një pistoletë TT, 3100 euro dhe 111 mijë 420 lekë të reja. Sipas të dhënave hetimore, ata ishin në vëzhgim prej disa muajsh, ndërkohë që dje po lëviznin me tre makina të ndryshme për të transportuar lëndën narkotike. Burimet policore thonë se heroina dyshohet që vinte nga Turqia. Ndërkohë, operacioni është shtrirë dhe vijon në Vorë, Elbasan dhe Tiranë për kontrolle në banesat dhe bazat e dyshuara, ku mësohet se janë kapur edhe 21 kg të tjera heroinë.
Red. Akt.