Sekretari i FRD
Nënkryetari i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, ngriti dje shqetësimin në lidhje me situatën e papranueshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor. Në emër të partisë që përfaqëson Oketa, theksoi se ndërkombëtarët duhet të jepnin kontributin e tyre në zgjidhjen e kësaj situate. “Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, njëherësh edhe anëtarit të Komisionit të Politikës së Jashtme, dëshiroj të shpreh sot para qytetarëve shqiptarë shqetësimin e përbashkët lidhur me të gjithë problematikën zgjedhore, përfshirë situatën e papranueshme me KQZ-në, zëvendësimet njëpartiake të KZAZ-ve dhe strukturave të tjera administruese të zgjedhjeve, pafuqinë e partive të vjetra për të gjetur kompromis ligjor për kthimin e normalitetit, si dhe klimën e mosbesimit mbi cilësitë e procesit zgjedhor”, deklaroi Oketa. Sipas Oketës, në këtë moment gara midis partive është shndërruar në garë me pushtetin, me keqpërdorim të burimeve publike dhe me polarizim të klimës politike dhe institucionale. Nënkryetari i KQZ-së theksoi se vetëm dy muaj para zgjedhje ka mungesë të instrumenteve garantuese për standardet e duhura zgjedhore. Ai deklaroi se kjo situatë konsiderohet problematike edhe nga SHBA-ja dhe po kështu nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian. Sipas tij, politika shqiptare nuk mund t’i injorojë këto shqetësime. “Injorimi i tyre apo më keq, ecja në drejtim të kundërt, sulmet ndaj faktorit ndërkombëtar, dëshmojnë edhe njëherë se vendi ndodhet në tranzicion dhe se palët përgjegjëse cenojnë marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë, duke sjellë edhe pengesa dhe vonesa për të ardhmen europiane të vendit”, deklaroi Oketa.