Fryma e Re Demokratike ka zyrtarizuar sot degën e saj në qytetin e Kamzës. Në takim ka marrë pjesë    Sekretari i Përgjithshëm dhe deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa, i cili duke ju referuar dekorit të Kamzës për kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ka theksuar gjatë fjalës së tij se flamuri kryesor duhet të jetë ai Kombëtar dhe jo ata të partive të vjetra në Shqipëri.


Duke folur mbi situatën politike në vend Oketa u shpreh se: “Uzurpimi i institucioneve nga maxhoranca po shtrihet edhe mbi Prokurorinë e Përgjithshme, e cila ishte institucioni  i vetëm i pavarur që kishte mbetur,tashmë do të shohim se sa do e luftojë qeveria korrupsionin pasi nuk e pengon askush”.


Ndërsa nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj ka ngritur problematikat me të cilat përballet komuniteti, si ai i furnizimit me ujë, mungesën e ambienteve shkollore apo kushtet e vështira në to. “Kamza duhet të jetë pjesë e integruar e metropolit jo e lënë pas dore siç ka ndodhur këto 20 vjet”, u shpreh Biberaj. Më tej ai është shprehur i bindur se qeveritarët e korruptuar të cilët kanë abuzuar me fondet dhe i kanë distancuar qytetarët e Kamzës nga metropoli megjithëse janë shumë pranë tij gjeografikisht do të vihen përpara drejtësisë.


22 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)