olldashiMinistri i Transportit dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka reaguar lidhur me deklaratat e një dite më parë të shefit të opozitës në Fier, “se socialistët nuk kërkojnë t’i ulim taksat për një grusht miliarderësh”. Në një deklaratë për mediat Olldashi thekson se ky vendim i Ramës vjen pasi Koço Kokëdhima asnjëherë nuk i ka paguar të gjitha taksat dhe sipas tij ky është modeli që ofron Rama, të punojë për vete dhe miqtë e tij, jo për qytetarët.


“Mes sulmeve të marra të Edi Ramës për lumenjtë dhe absurditeteve të tjera të thëna natën e kaluar në një shesh të Fierit thuajse të zbrazur, ai tha diçka që të gjithë qytetarët nuk duhet ta harrojnë. Rama tha se ne nuk kërkojmë t’i ulim taksat për një grusht miliarderësh. Kjo siç duket, ngaqë Koço Kokëdhima asnjëherë nuk i ka paguar të gjitha taksat. Përveçse ai ka fituar më shumë se 20 milion dollarë tendera nga lekët e taksapaguesëve; Koço i detyrohet qytetit të Tiranës 1.2 milion dollarë. Ky është modeli i Ramës, të punojë për vete dhe miqtë e tij, jo për qytetarët” deklaron Ministri.


Por tjetër qasje ka Partia Demokratike, sipas Olldashit, të punojë në interes të qytetarëve dhe ky është një ndryshim që fierakët mund ta prekin, ndryshe nga akuzat boshe të Ramës.


“Ne kemi shtruar rrugë në Fier, rrugë si Levan-Damës, Levan – Vlorë, Fier-Lushnjë, Unaza e Myzeqesë dhe kemi rikonstruktuar rrugë si Fier-Cakran.Dhe mbaruam së rikonstruktuari rrugën Fier-Levan.Ne kemi investuar në ndërtimin dhe rikonstruktimin e 49 shkollave. Ne kemi ndërtuar qendra shëndetësore dhe ambulanca si ato në fshatin Rerës të Bashkisë Patosos e në fshatin Hysgjokaj të komunës Hysgjokaj dhe kemi rindërtuar të tjera si ajo në FshatinTërbuf në komunënTërbuf. Ne kemi mundësuar subvencione për t’i ardhur në ndihmë 3.486 fermave.Kemi ndihmuar fermerët me sistemin ujitës, ngritjen e serave dhe mbrojtjen nga përmbytjet. Ne kemi investuar në rihapjen e Muzeut Arkeologjik në Apolloni. Dhe për shkak të taksës të sheshtë 10%, e cila sulmohet gjithmonë nga Rama, vetëm në qarkun e Fierit janë hapur 3.658 biznese të reja” shprehet kreu i MPTT.


“Ne kemi ende shumë për të bërë, dhe do t’I bëjmë së bashku, sepse ne jemi të fokusuar në veprime konkrete dhe jo në akuza absurde.Përpara” përfundon Olldashi.







18 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)