Avramopulos – Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Avramopulos, deklaroi një muaj më parë në Parlamentin grek se Athina do të kërkojë zbatimin e marrëveshjes së firmosur në 2009-n, që u hodh poshtë nga Kushtetuesja
Ekspertët – Nga Ministritë e Jashtme të dy palëve kanë nisur prej kohësh kontaktet për marrëveshjen e re, por ende nuk ka autorizim as nga Athina zyrtare dhe as nga Tirana për draftin
Komisioni – Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme nuk ka bërë asnjë seancë dëgjimore për këtë çështje, edhe pse opinioni publik shqiptar po diskuton dhe Panariti shpalli vizitën e tij
Tahiri: Nishani të japë plotfuqinë dhe të përjashtohen ish-negociatorët
Opozita shqiptare ka bërë të ditur kushtet e saj në lidhje me negociatat që qeveria shqiptare ka nisur me palën greke për marrëveshjen e re të kufirit detar. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, ka kërkuar që negociatat të bëhen transparente, të përjashtohen nga bisedimet zyrtarët që kanë hartuar dhe diskutuar paktin e vitit 2009 që u konsiderua antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, si dhe të nxirret përgjegjësia përkatëse për negociatorët e mëparshëm. Në deklaratën zyrtare të mbajtur në selinë e Partisë Socialiste, Tahiri theksoi se “pa u tharë mirë boja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pa u bërë e ditur ndonjë masë konkrete për zbërthimin dhe marrjen parasysh të këtij vendimi nga qeveria shqiptare, por mbi të gjitha pa u nxjerrë përgjegjësitë përkatëse ligjore, qoftë dhe penale, për secilin nga negociatorët e marrëveshjes së mëparshme për kufirin detar në kanalin e Korfuzit, qeveria shqiptare duket se po nxiton të përfundojë një marrëveshje të re me shtetin fqinj për ndarjen e detit, me të njëjtën mungesë transparence, errësirë e fshehtësi, por akoma më keq, mbi të njëjtat parime të cilat u rrëzuan unanimisht nga Gjykata Kushtetuese. Pasi ka thumbuar ish-ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, i cili firmosi marrëveshjen me Athinën në 2009-n, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, deklaroi se “në këtë 100-vjetor të pavarësisë, ne nuk do lejojmë një tjetër marrëveshje si ajo e para që u hartua në errësirën e korridoreve e nën tavolinat e qeverisë së Sali Berishës, marrëveshje që cenonte sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Nuk do lejojmë që pas 100 vjetësh pavarësi, Sali Berisha të zhbëjë territorin dhe sovranitetin kombëtar për interesa të politikës së tij antikombëtare”. Me këtë rast, opozita i është drejtuar kreut të shtetit shqiptar zyrtarisht: “Ndaj i kërkojmë Presidentit të Republikës të bëjë menjëherë publike plotfuqinë, me anë të së cilës ka ose do të autorizojë objektin dhe grupin negociator e të ekspertëve për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, duke i bërë thirrje që të përjashtojë të gjithë ata persona që u përfshinë në negocimin e marrëveshjes së parë e që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese”. Socialistët kërkojnë që të ndryshohet grupi negociator, si dhe të bëhet publike çdo hap i bisedimeve me Ministrinë e Jashtme greke. “Kërkojmë zbardhjen e bisedimeve të deritanishme në rast se ka, publikimin e kërkesave të deritanishme në rast se ka, si dhe transparencë të plotë në çdo hap të diskutimit dhe negocimit, deri në finalizimin e marrëveshjes së ardhshme, kurdo qoftë ajo”, deklaroi deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, i cili kërkoi përfshirjen e ekspertëve të pavarur, shoqërisë civile, specialistëve të vendit e të huaj, përkrah grupit negociator të qeverisë. “Vendi, toka, deti dhe sovraniteti kombëtar nuk i përkasin qeverisë e as mund t’i blejë dot me para Sali Berisha, por i popullit dhe i përket vetëm atij”, tha nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së.
Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë, që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës) derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjirit të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke, deri përmes Kanalit të Korfuzit.
Panariti – Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, do të vizitojë zyrtarisht Greqinë në muajin shtator
Negociatorët – Opozita kërkon që ish-negociatorët të mos marrin pjesë në bisedimet e reja dhe të nxirren përgjegjësitë
Transparenca – PS kërkon që çdo hap i bisedimeve me zyrtarët grekë duhet të bëhet transparent për publikun dhe problemet që hasen
Ekspertët – Kërkohet përfshirja në një diskutim publik të ekspertëve të njohur vendas, të huaj, por dhe shoqëria civile
Nishani – Opozita i kërkon Presidentit të Republikës që të japë menjëherë plotfuqinë e tij për grupin negociator
Zëdhënësja
PD: Rama dhe Spahiu, këta binjakë apartidë
Partia Demokratike ka sulmuar fuqishëm Partinë Socialiste, por edhe Aleancën Kuqezi, njëkohësisht në lidhje me akuzat për fshehtësinë e negociatave me Athinën. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi, deklaroi se “së fundmi, së bashku me çakallin e tij faqezi shpifin, trillojnë për marrëveshje sekrete, ujëra territoriale e të tjera. Partia Demokratike u deklaron shqiptarëve se Rama dhe çakalli i tij faqezi nuk kanë dhe nuk mund të kenë interesa kombëtare, por vetëm interesa personale ndër më të shpërfytyruarat. Duke u ndalur dhe te çështja e kufijve detarë, Bardhi theksoi se Rama dhe Spahiu po shpifin me deklaratat se qeveria shqiptare ka nisur negociata me atë greke për ujërat detare. “Pasi morën faturën e përpjekjes së tyre dy ditët e fundit, Rama dhe ortaku i tij faqezi shpifin, trillojnë për negociata sekrete të qeverisë me vendin fqinj për dhunim të Gjykatës Kushtetuese dhe trillime të tjera si këto.
“Këta binjakë siamezë apartidë në korr të përbashkët kërcënuan shqiptarët se do të thërrisnin referendum për marrëveshjen e detit, ndërkohë Kushtetuta e vendit nuk lejon kënd të thërrasë referendume për qëllime antikombëtare”, shtoi më tej zëdhënësja në deklaratë. Por selia blu shton se asnjë nga qëndrimet e opozitës nuk pengon thirrjen e referendumit për çështjen e kufizimit të imuniteteve.
Akuza
AK: PS kërkon të marrë pjesë vetë në bisedime
Aleanca Kuqezi ka thumbuar selinë rozë pas deklaratës së bërë në lidhje me qëndrimin zyrtar për negociatat për marrëveshjen e re detare me Athinën. Edhe pse jo me një deklaratë zyrtare, në një post në faqen zyrtare të Aleancës Kuqezi në “Facebook”, theksohet se “Partia Socialiste dorëzohet. Pranon negociatat për kufirin me Greqinë mes Berisha-Samaras, por me kusht që të marrin pjesë edhe vetë në bisedime. TRADHËTI e dyfishtë”. Pak ditë më parë, kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, ka deklaruar se në betejën e Aleancës Kuqezi për mbrojtjen e kufirit detar me Greqinë kanë dhe mbështetje të fuqishme të faktorit perëndimor, kryesisht disa shteteve të rëndësishme. Sipas Spahiut, disa miq të mëdhenj të Shqipërisë shikojnë pas tentativës së Berishës për shitjen e kufirit detar, një premisë për destabilizim të rajonit për interesa të ngushta politike. Spahiu nuk saktësoi se cilat shtete mbështesin qëndrimin e tij, por la të kuptojë se janë shtete perëndimore, pjesë e NATO-s. Kohët e fundit, qeveria shqiptare po rinegocion marrëveshjen detare me Greqinë dhe Aleanca Kuqezi ka deklaruar se do ta kundërshtojë, qoftë dhe me forcë, prekjen e kufirit. AK zhvilloi një manifestim në ujërat e Jonit, ku ka vënë flamurin kombëtar aty ku ndodhet dhe pika e kufirit shqiptar, që më pas e bënë edhe militantët e “Agimit të Artë” në Korfuz, duke vendosur flamurin grek.