Ndërkombëtarë & konstitucionalistë


Misioni i Bashkimit Europian, EURALIUS, i cili është mjaft aktiv në ndihmën që i jep Shqipërisë për çështjet e drejtësisë kërkoi që çështja e reformës kushtetuese duhet të diskutohej gjerësisht dhe të ndahej nga çështjet e tjera. Përfaqësuesi i këtij misioni deklaroi dje në seancën e konsultimeve të mbajtur nga Kuvendi i Shqipërisë se kërkohej më shumë kohë për një reformë të tillë dhe se EURALIUS ishte i gatshëm të jepte eksperiencën e tij në këtë çështje. “Diskutimet e para për këtë janë një hap i rëndësishëm për reformat që ju doni të ndërmerrni, ndërsa konfigurimi konstitucional i sistemit gjyqësor kërkon kohë dhe pjesëmarrje më të madhe sociale”, deklaroi përfaqësuesi i këtij misioni. Por ai u ndal gjatë dhe në çështjen e imuniteteve, duke kërkuar heqje të menjëhershme të tyre. “Reforma në imunitete për nëpunësit shtetërorë është një çështje që është diskutuar aq gjatë dhe që, sipas nesh, duhet të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ai.


 


EURALIUS


“Diskutimet e para për këtë janë një hap i rëndësishëm për reformat dhe duhet një diskutim i madh me të gjitha palët”


Misioni i BE-së për drejtësinë ndodhet në Shqipëri prej 6 vitesh


Ekspertët


Prej kohësh konstitucionalistët e njohur në vend kanë kundërshtuar ndryshimet kushtetuese të bëra nga dy forcat e mëdha politike në vitin 2008.


Konstitucionalistja e mirënjohur në vend, Aurela Anastasi, u shpreh dje në favor të paketës së ndryshimeve në Kushtetutë të propozuara nga opozita. Sipas Anastasit, paketa me ndryshimet kushtetuese, e propozuar nga opozita, synon të korrektojë disa dizekuilibra që u krijuan me ndryshimin e Kushtetutës në vitin 2008 nga dy paritë e mëdha në vend. Po kështu, profesoresha e të drejtës publike deklaron se ndryshimet që propozon PS, sjellin më shumë konkurrencë në radhët e juristëve, të cilët aspirojnë për pozicione të rëndësishme në hierarkinë e sistemit të drejtësisë. “Modeli që na paraqitet këtu mundohet të korrektojë ato disekuilibra që u krijuan nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, përmes vendosjes së shumicës së cilësuar në emërimin e gjyqtarëve. Të futësh konkurrencën mes partive politike dhe për këtë na duhet parimi i luajalitetit kushtetues, me qëllim që palët të bien dakord në zgjedhjen e kandidaturave më të mira”, theksoi Anastasi.


 


OSBE


Procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë, në KLD dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, janë të një rëndësie mjaft të madhe për garantimin e pavarësisë së gjyqësorit.


Zyra e OSBE-së në Tiranë, e angazhuar për çështjet e drejtësisë dhe mediat, kërkoi dje në Kuvend që gjyqtarët të zgjidheshin jashtë Këshillit të Lartë të Drejtësisë nisur nga rekomandimet e Kievit, të cilat kërkohen të ndiqen edhe në Shqipëri. Sipas përfaqësueses së OSBE-së, ky institucion ka kërkuar që në vitin 2010 zbatimin e këtyre rekomandimeve. “Ky dokument përfshin rekomandime specifike për t’u siguruar që procedurat e emërimit të parandalojnë ndikimin e panevojshëm mbi gjyqësorin. Një mënyrë për ta arritur këtë, në kontekstin ndërkombëtar, është garantimi i kualifikimeve profesionale të gjyqtarëve, nga një komision i pavarur ekspertësh, ose një organ tjetër i pavarur nga KLD-ja, që është organi i emërimit. Një gjyqësor i pavarur dhe synimi i shtetit të së drejtës janë idealet më të larta”, theksoi përfaqësuesja e OSBE-së në Kuvend. Po kështu, për nismën e opozitës, përfaqësuesja e këtij institucioni theksoi se OSBE-ja vlerëson diskutimin e nismave të tilla.


Prezenca e OSBE-së ka mbështetur qëndrimin në detyrë të kryeprokurores Ina Rama deri më 2013-n


 


Gjykata e Lartë


“Imuniteti nuk duhet të përdoret në asnjë rast si një mburojë për t’i shpëtuar ndëshkimit, fakt i cili për fat të keq ka krijuar në sytë e opinionit publik kulturën e pandëshkueshmërisë”


Gjykata e Lartë u shpreh dje pro në parim për përdorimin e një shumice të cilësuar parlamentare për zgjedhjen e anëtarëve të kësaj gjykate. Në këtë mënyrë, kjo gjykatë u shpreh pro draftit të opozitës. “Në arsyetimin tonë, një numër më i lartë deputetësh (praktikisht bëhet fjalë për 3/5 e tyre) është një motiv dhe kriter për një zgjedhje konsensuale pozitë-opozitë. Si rrjedhojë, qasja përkatëse do të ishte preferenciale ndaj kandidaturave jopartizane e për pasojë më të besueshme si institucionalisht ashtu edhe në sytë e publikut. Të mos harrojmë që besimi i publikut te drejtësia (gjyqësori) është parakusht për forcimin e shtetit të së drejtës”, theksohet në relacionin e Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër, kjo Gjykatë thekson se formula e propozuar sjell edhe një rregullim tjetër për sa i përket kohës dhe procedurës me të cilën Kuvendi i zgjedh këta anëtarë.


Aktualisht, anëtarët e kësaj gjykate zgjidhen vetëm nga votat e mazhorancës