Debatet
PS – Opozita ka hedhur dyshime të forta për trafik armësh nga zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, duke iu referuar dhe raporteve të ndërkombëtarëve
Imami – Ministri Imami ka deklaruar se eksporti i armëve bëhet në mënyrë ligjore dhe se ai i dërgon Kryetares së Kuvendit, Topalli, të gjitha informacionet
Berisha – Kryeministri ka garantuar se Shqipëria nuk ka trafikuar asnjë fishek dhe se të gjitha akuzat për këtë çështje, janë mashtrime dhe trille të opozitës
Raporti zyrtar i Wollfarth mbështet pretendimet e opozitës
Fatjona Mejdini
Shqipëria është një vend në të cilin dyshimet se trafiku i armëve vijon të kryhet janë të forta. Qëndrimi i nxjerrë në pah nga raporti i radhës i OSBE-së, u bë publik katër ditë më parë në Vjenë. Teksa raporti analizon një pjesë të mirë të veprimtarive qeveritare dhe zhvillimeve në vend, ai bën pohimin e fortë se armët e vogla dhe të lehta kanë rrezik të trafikohen. Duke analizuar procesin e çmilitarizimit, raporti jo vetëm bën kritika mbi mënyrën si po organizohet ai, por thekson se nëse armët e lehta dhe të vogla nuk çmilitarizohen, atëherë rreziku është i madh që ato të trafikohen. Raporti duket se është në përputhje me pretendimet e opozitës shqiptare për sa u përket akuzave që përfaqësuesit e saj kanë artikuluar ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe ministrit Arben Imami për trafik armësh. Muaji korrik i këtij viti u karakterizua nga përpjekjet e opozitës për të bërë një kontroll në Ministrinë e Mbrojtjes për këtë çështje dhe refuzimit të ministrit Imami për të lejuar kontrollin brenda institucionit që drejton.
Trafiku
Zyra e OSBE-së në Shqipëri, e drejtuar nga Eugen Wollfarth, dyshon se mosçmilitarizimi i armëve të lehta mund të sjellë trafikimin e tyre nga autoritetet shqiptare. Pohimi është dhënë i qartë në raportin e këtij institucioni për zhvillimet në Shqipëri, i cili u paraqit katër ditë më parë në zyrën qendrore të OSBE-së në Vjenë. “Asgjësimi i lëndëve kimike dhe shkatërrimi i armëve të vogla dhe të lehta (AVL) mbetet një shqetësim. Një numër shumë i konsiderueshëm, por deri më tani ende i panjohur AVL-sh, duhet çmilitarizuar, me rrezikun që këto armë mund të keqpërdoren apo të trafikohen”, theksohet në raportin e paraqitur nga Wollfarth në kapitullin mbi procesin e asgjësimit të armëve të vjetra në vend. I akuzuar nga opozita në lidhje me trafikun e armëve, ministri Imami ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Në mesin e muajit korrik, Imami theksoi përpara anëtarëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, se në vend nuk mund të bëhet trafik armësh. “Nuk mund të ketë trafik. Unë i raportoj Kryetares së Parlamentit, Kryeministrit dhe Presidentit për çështjet tregtare. Kjo është rruga që ndiqet dhe unë zbatoj ligjin”, argumentoi Imami. Në krah të tij doli dhe Kryeministri Berisha, i cili i konsideroi shpifje akuzat e opozitës për trafik armësh, duke theksuar se Shqipëria nuk ka trafikuar asnjë fishek dhe se akuzat e opozitës janë vetëm trillime.
Çmilitarizimi
Raporti i OSBE-së është mjaft kritik edhe për procesin e çmilitarizimit në vend. Pavarësisht se në të theksohet se vetëm gjatë këtij viti janë demontuar një sasi prej 26 mijë tonë municionesh, fitimet e përfituara nga ky proces nuk janë futur në skemën e vijimit të çmilitarizimit në ushtri. “Sa i përket çmilitarizimit, qeveria nisi një plan veprimi, në 2008-n, për të përfunduar procesin për të gjitha municionet konvencionale të tepërta deri më 2013-n. Një sasi shtesë prej 26 000 tonësh u shkatërrua në 2012-n. Pajisjet dhe skrapi të dala nga ky proces janë shitur dhe një sasi municionesh konvencionale të tepërta është eksportuar, megjithëse nuk duket se të gjitha të ardhurat e përfituara janë futur prapë në sistem për të financuar vazhdimin e procesit të çmilitarizimit”, thekson raporti zyrtar i OSBE-së.
Dorëheqja
Drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla, dha dorëheqjen në korrik, pasi deputetët socialistë kërkuan hetim në Ministrinë e Mbrojtjes, për shitjen e lëndëve eksplozive nga një kompani e licencuar për tregtimin e armëve nga Shqipëria, tek e cila Liljana Zyla, bashkëshortja e tij, rezultonte bashkaksionere.
SHBA
Filip Riker inspektoi procesin e demontimit të armëve në Elbasan
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga partnerët më aktivë të Shqipërisë që kanë financuar dhe ndihmuar në procesin e demontimit të armatimeve të tepërta në vend. Interesi i SHBA-së në këtë çështje u bë i qartë dhe gjatë vizitës që pak javë më parë zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën Juglindore, Filip Riker, bëri në uzinën e lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit. I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, Riker deklaroi se shkatërrimi i municioneve të tepërta e bën Shqipërinë dhe rajonin më të sigurt. “Jemi të lumtur që jemi partnerë me Shqipërinë dhe që e kemi Shqipërinë një aleat të plotë të NATO-s. Ishte shumë interesante për mua të shihja nga afër uzinën dhe jam shumë krenar që SHBA-ja ka pasur mundësi të kontribuojë në procesin e çmilitarizimit”, deklaroi drejtuesi i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, gjatë vizitës që zhvilloi në këtë uzinë.