Ministria e Punëve Publike dhe Transportit reagoi sot pas denoncimit publik të deputeti socialist, Eduard Shalsi, i cili ka depozituar një akt-padi në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me çështjen e reklamave shtetërore. Pak orë pas depozitimit të padisë, zëdhënësja e MPPT-së ka deklaruar se ministri Sokol Olldashi i ka dërguar një letër Prokurorisë së Tiranës, ku ka kërkuar një hetim të plotë të çështjes.
“Në radhë të parë përshëndesim faktin që, më në fund, Edi i z. Rama iu drejtua institucionit të akuzës, pasi për ditë me radhë është rrekur në mënyrë qesharake të bëjë edhe hetuesin, edhe prokurorin edhe gjykatësin, pa bërë dot në fakt asnjerin. Sqarojmë përsëri se nuk bëhet fjalë për reklamë, por për njoftime shpronësimi.
Së dyti, dua t’ju informoj se me të marrë njoftimin përmes medias, ministri Sokol Olldashi, i është drejtuar me një letër, që është protokolluar pak minuta më parë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kërkuar një hetim të plotë të kësaj çështje dhe për të shprehur gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për të vënë në dispozicion të organit të akuzës çdo dijeni dhe çdo dokumentacion që lidhet me çështjen.
Vetëm një hetim i plotë dhe i shpejtë i çështjes së depozituar në prokurori do t’i hapë më tej rrugë vënies përpara drejtësisë për shpifje të imbecilëve politikë që përfaqësojnë vagabondazhin verbal në mjedisin publik”, ka deklaruar zëdhënësja Arminda Qylafku.
2 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)