Reagimi
Reagojnë personat me aftësi të kufizuara. Pak kohë nga hyrja në fuqi e rritjes së pensioneve, këshilli drejtues i kësaj shoqate deklaron se Ministria e Punës po i diskriminon ata.
“Më 1 korrik, qeveria rriti që të gjitha pagat, pensionet si edhe pagën minimale. Megjithëse është një detyrim ligjor më 1 korrik nuk u bë indeksimi i inflacionit të pagesës së aftësisë së kufizuar. Me vendimet e qeverisë 27 korrik 2010 këto pagesa nuk do të rriten më kurrë, pasi është ndërprerë indeksimi i tyre me pagën minimale, por me këto vendime është përcaktuar se këto pagesa indeksohen me inflacionin e çmimeve të mallrave të shportës. Vitin e shkuar, ky indeksim u bë në muajin gusht dhe personat me aftësi të kufizuara humbën 1 muaj, tha kreu i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara, Sinan Tafaj.
Sipas tij, megjithëse ndryshimet që u bënë statuseve tona kanë hyrë në fuqi më 29 prill, edhe nga operatorët publikë e privatë është ndërprerë çdo lloj rimbursimi për energjinë elektrike, transportin edhe komunikimin telefonik. Ende nuk ka hyrë në fuqi vendimi 404, i 20 qershorit. Në këtë vendim nuk është parashikuar rimbursimi i muajve maj, qershor, korrik, pasi nuk është përcaktuar ndonjë datë për shtrirjen e efekteve edhe vendimi hyn në fuqi 15 ditë pas shpalljes në Fletoren Zyrtare.
Kështu, rimbursimi i telefonit nga 2 mijë lekë zbret në 1 mijë lekë, ndërsa rimbursimi për energjinë elektrike bëhet 2000 mijë lekë, ndërsa është lënë jashtë pagesa e transportit. Praktikisht ajo që përfitojnë të verbrit e grupit të parë është 1000 mijë lekë në muaj.