6 janar 2009 – Në MPJ u zhvillua mbledhja e komisionit të përbashkët për çështjen e përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve


19 mars 2009 – Procedura e siglimit (paraafrimit) të marrëveshjes është bërë publike në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme


22 prill 2009 – Në këtë datë, Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjen për paktin detar për t’ia kaluar më pas për votim Kuvendit


Raporti- Ministra e Jashtme sjell si precedent Maqedoninë. “Pala greke nuk kërkon rinegocim, përplasja në gjykatat ndërkombëtare”


BLEDAR HOTI



Shteti shqiptar i trembet faktit se Greqia mund të përdorë paktin detar si argument për të bllokuar Shqipërinë në procesin e anëtarësimin në Bashkimin Europian. Një fakt i tillë jepet nëpërmjet raportit zyrtar të paraqitur nga Ministria e Punëve të Jashtme, i shpërndarë përpara se kryediplomati Edmond Panariti të zhvillonte seancën dëgjimore në komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme. Në raportin e MPJ-së bëhet e qartë ndrojtja e shtetit shqiptar ndaj Greqisë, e cila edhe pse nuk e ka ratifikuar paktin detar në Parlamentin grek, me anë të një note proteste të 2010-së të depozituar në zyrën e MPJ-së, ku bëhet e ditur se pavarësisht se Gjykata Kushtetuese shqiptare e ka rrëzuar paktin, shteti helen do ta zbatojë atë. Shqipëria i trembet faktit se Greqia mund të përdorë skenarin e Maqedonisë, ku e ka bllokuar atë për çështjen e emrit në procesin e anëtarësimit në NATO.


Skenari i parë


Në materialin prej 11 faqesh, MPJ-ja jep dhe skenarët e mundshëm të zhvillimit të ngjarjeve që lidhen me Paktin Detar. “Ringeocimi i marrëveshjes. Politikisht pak mundësi ka që pala greke të pranojë rinegocim, të paktën për afate të parashikueshme. Arsyet janë të lidhura me debatin e brendshëm politik në Greqi dhe pozicionin e vështirë në të cilin mund të vendosej shumica qeverisëse për shkak se ‘shumica e mëparshme e negocioi dhe përfundoi marrëveshjen, ndërsa shumica aktuale nuk është në gjendje ta zbatojë”, thuhet në skenarin që MPJ-ja shqiptare mendon pasojat e marrëveshjes detare.


Skenari i dytë


Skenari i dytë është ai që po zbatohet prej vitesh, ai i zbatimit të marrëveshjes detare, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka rrëzuar duke e cilësuar si antikushtetuese. “Pala greke mund ta lërë në heshtje duke vijuar respektimin nga ana e saj të vijës detare të përcaktuar në marrëveshjen e rrëzuar (siç ka njoftuar me notën verbale të datës 25 shkurt, ku çështja trajtohet si një problem i njëanshëm i palës sonë). Ky do të ishte një skenar i papërshtatshëm për palën tonë, sepse mban hapur mundësinë e shfrytëzimit të kësaj çështjeje nga ana e Greqisë në një rrethanë të caktuar ku Shqipërisë do t’i nevojitet mbështetja e Greqisë”, thuhet në faqen 9 të raportit të MPJ-së. Si precedentë Ministria jonë e Jashtme paraqet: “mosmarrëveshjet për kufirin mes Kroacisë dhe Sllovenisë, kur kjo e fundit kërkoi zgjidhje të këtij problemi pikërisht në momentin, kur diskutohej anëtarësimi në fund të negociatave i Kroacisë në BE; – bllokimi nga ana e Greqisë- për shkak të kundërshtisë për emrin kushtetues – të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe bllokimin e miratimit për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE”.


Skenari ekstrem


Skenari i tretë është cilësuar si më ekstremi nga ana e Ministrisë së Jashtme, ai i acarimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve fqinje. “Skenari më ekstrem do të ishte vështirësimi i menjëhershëm i marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë, me implikime shumë negative si në marrëdhëniet dypalëshe, ashtu dhe në proceset integruese të Shqipërisë e në disa negociata ndërkombëtare (KiE, OSBE etj). Me rrethanat e tanishme ky skenar nuk ka gjasa të ndodhë. Në takimin e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, zotin Meta me ministrin Plotësues të Jashtëm grek, zotin Droutsas, ky i fundit ka dhënë mesazhe pozitive dhe miqësore, por pala greke pret që pala jonë të marrë nismën për zhbllokuar situatën”, thuhet në raportin e MPJ-së.


Opsionet e zgjidhjes së Paktit


Ministria jonë e Jashtme jep tri opsione për zgjidhjen e çështjes së Paktit Detar, por ajo thekson se rinegocimi i marrëveshjes është diçka e zbehtë. Rinegocimi, gjykimi ndërkombëtar ose arbitrazhi. “Nëse dy palët shprehen dakord, pala jonë është e detyruar të hyjë në bisedime me një projekt, i cili mban parasysh të gjitha përcaktimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast do të duhet të ngrihet një grup pune. Në këtë rast, do të duhet të ngrihet një grupe pune ndërinstitucional, i pajisur me plotfuqinë e kryetarit të shtetit për negocim, ndjekjen e procedurave të brendshme të miratimit në përputhje me ligjin për traktatet dhe marrëveshjet, nënshkrimin, si dhe hyrjen në fuqi të saj. Mundësia për rinegocim duket shumë e zbehtë. Pala greke është shprehur zyrtarisht se ‘ka negociuar marrëveshjen në besim të mirë” dhe se ka vendosur të ‘respektojë atë që është rënë dakord midis palëve’ (nota verbale e datës 25 shkurt 2010 e ambasadës greke në Tiranë: “Greece intends to honor the Agreement”.


Gjykata e arbitrazhit apo gjykim ndërkombëtar


Zgjidhje afatshkurtër, MPJ jep dy variante gjykata e arbitrazhit ose gjykim ndërkombëtar për kufijtë detarë. “Pala greke mund t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për mosrespektimin nga ana e Shqipërisë të dispozitave të Konventës së Vjenës për të drejtën e trakateve. Argumenti i palës greke; a)negocimi është bazuar në mirëbesim dhe vullnet të mirë dhe b)legjislacioni i brendshëm nuk mund të jetë pengesë për zbatimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare-neni 27, 46, 47 dhe 66 i asaj konvente”, thuhet në raportin e MPJ-së. Mekanizmi detyrues i krijuar nga Konventa për të Drejtën e Detit, sipas raportit parashikon tre alternativa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve: Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Detit; Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) dhe Gjykatën e Arbitrazhit ad-hoc. “Çdo palë është e lirë të zgjedhë një ose më shumë mënyra me një deklaratë të shkruar që depozitohet pranë sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në çdo kohë. Vendi ynë nuk ka bërë asnjë deklaratë sipas nenit 287, ndërsa Greqia ka deklaruar se preferon Gjykatën e Hamburgut. Palët në një mosmarrëveshje nuk kanë aprovuar të njëjtat procedura, automatikisht mosmarrëveshja i nënshtrohet arbitrazhit gjithmonë nëse palët nuk bien dakord ndryshe”, thuhet në raportin e MPJ-së.


 


2 mars 2009 – Dy ministrat e Jashtëm, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis nënshkruan paktin e ri detar në Tiranë, në Kryeministri


25 shtator 2009 – Komisioni i Ligjeve nisi shqyrtimin dhe miratoi paktin, por ai u ndërpre pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pezullim


25 shkurt 2010 – Pala greke i nis një notë MPJ-së ku i bën të ditur zbatimin e marrëveshjes së firmosur ndërmjet Bakojanisit dhe Bashës


30 mars 2010 – Ministria jonë e Jashtme i dërgon një notë Greqisë ku shprehet vullneti për zgjidhjen e çështjes me mirëkuptim mes palëve


15 prill 2010 – Gjykata Kushtetuese e shpalli të papajtueshme me Kushtetutën paktin detar me Greqinë. Vendimi iu bë prezent me notë, Greqisë