“Përsëritja e të njëjtit skenar, do t’Ju bëjë edhe Ju njëherazi bashkëfajtor me të gjithë ata, Kryeministrin e Kryetarin e Partisë Suaj në radhë të parë”
Grupi i PS-së, Nishanit: Mbro sovranitetin
Deputetët e Partisë Socialiste i kërkojnë Presidentit të Republikës, Bujar Nishanit që të ndërhyjë për të ndaluar negociatat e fshehta me Athinën dhe në dëm të interesave kombëtare, përndryshe ata e cilësojnë kreun e shtetit si bashkëfajtor për cenimin e sovranitetit.
Letra
Grupi parlamentar i PS-së, me anë të një letre të gjatë, kanë fokusuar apelin e tyre institucional ndaj Presidentit të Republikës, për çështjen e marrëveshjes me Greqinë, edhe pse ata bëjnë të ditur se nuk shpresojnë te pavarësia e Nishanit si kryetar i shtetit. “Edhe pse mënyra e zgjedhjes Suaj, por edhe ushtrimi i deritanishëm i detyrës nuk lë asnjë vend për të shpresuar se Ju keni mundësi, aftësi dhe vullnet për të qenë i pavarur nga Kryeministri në ushtrim të detyrës Suaj, po Ju drejtohemi nëpërmjet kësaj letre për të shprehur shqetësimin tonë të thellë për sa vijon, duke Ju kujtuar njëkohësisht detyrimin Tuaj absolut për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht preferencës ose diktatit politik”, nis në fillim letra e Ps-së, e cila vazhdon: “Aktet Tuaja të para në detyrë, që filluan me çmontimin e çdo shprese për të rikthyer pavarësinë e gjyqësorit, duke emëruar një militant partiak si N/Kryetar të KLD-së dhe vazhduan me kanosjen serioze të pavarësisë së SHISH-it, me emërimin e një militanti të partisë ku Ju e Kryeministri militoni, janë vetëm konfirmimet e para të qasjes Suaj partiake ndaj detyrës, por njëkohësisht, janë edhe barrë që vazhdon e rëndohet me çmim të pallogaritshëm për vendin dhe qytetarët”.
Heshtja
Që në fillim të letrës, shprehet protesta e grupit parlamentar të opozitës për heshtjen e autoriteteve të Tiranës, ndaj incidentit të Athinës që ndaloi gazetarin e Top Channel-it, Marin Mema të hyjë në Greqi, duke e shpallur “non grata”. “Ajo që na fyen e na indinjon edhe më shumë, janë reagimet e dobëta e me gjysmë zëri të autoriteteve shtetërore të vendit tonë ndaj këtyre incidenteve e këtyre veprimeve që shkelin hapur të drejtat themelore të shtetasve të Republikës së Shqipërisë, e që përbëjnë njëherësh një fyerje të dinjitetit kombëtar të gjithë popullit shqiptar në këtë vit jubilar të pavarësisë së vendit tonë”, theksojnë parlamentarët e opozitës në letrën e tyre ndaj Nishanit, të cilit i bëjnë me dije: “Nuk është koha për të pritur, por është koha që Ju të përmbushni detyrimin moral e kushtetues, duke reaguar diplomatikisht, në mënyrën më energjike, ndaj çdo cenimi të të drejtave e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, çka fatkeqësisht, deri më sot, nuk ka ndodhur nga autoritetet e vendit tonë”.
Marrëveshja
Në letrën drejtuar Presidentit të Republikës, Grupi Parlamentar i PS-së vë në dukje se një marrëveshje me Greqinë është e nevojshme brenda kushteve për të negociuar dhe për të përmbushur detyrimet e ndërsjella në kushte të barabarta dhe në përmbushje të parimeve të fqinjësisë së mirë. Por opozita kërkon transparencë në çdo hap të negociatave dhe bën një paralajmërim të ashpër: “Çdo tentativë për të arritur një marrëveshje me dyer të mbyllura e mbi të njëjtat parime si ato që hodhi poshtë unanimisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese, do të ishte një shkelje e rëndë, për më tepër e përsëritur, e autoriteteve të shtetit shqiptar në kurriz të interesave kombëtare dhe sovranitetit territorial të vendit. Përsëritja e të njëjtit skenar, do t’Ju bëjë edhe Ju njëherazi bashkëfajtor me të gjithë ata, Kryeministrin e Kryetarin e Partisë Suaj në radhë të parë, që do të guxojnë të përsërisin nënshkrimin e një marrëveshjeje që cenon sovranitetin territorial të Shqipërisë në çdo centimetër katror të saj”. Ndërkaq, përveç paralajmërimeve, deputetët socialistë japin edhe opsionin e tyre për arritjen e një marrëveshjeje me vendin fqinj: “Në pikëpamjen tonë, rruga e vetme për të arritur në këto zgjidhje kalon mes respektit reciprok, të drejtë e të barabartë, larg frymës së varësisë, në përmbushje të plotë të detyrimit për transparencë ndaj publikut e qytetarëve dhe domosdoshmërisë për qëndrime të qarta, të cilat bazohen në aspiratën tonë e të fqinjëve tanë për të respektuar detyrimet ndërkombëtare dhe të fqinjësisë së mirë.
Ky është një detyrim madhor i yni para qytetarëve dhe të ardhmes së vendit tonë. Historia ka treguar se nuk kursen askënd, veçanërisht ata që harrojnë ose refuzojnë t’i shërbejnë vendit të tyre”.
Kushtetuta – “Shprehim shqetësimin tonë të thellë duke Ju kujtuar njëkohësisht detyrimin tuaj absolut për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht preferencës ose diktatit politik”
Reagimi – “Nuk është koha për të pritur, por është koha që Ju të përmbushni detyrimin moral e kushtetues, duke reaguar diplomatikisht, në mënyrën më energjike, ndaj çdo cenimi të të drejtave e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë”
Sovraniteti – “Çdo tentativë për të arritur një marrëveshje me dyer të mbyllura e mbi të njëjtat parime do të ishte një shkelje e rëndë, për më tepër e përsëritur, e autoriteteve në kurriz të interesave kombëtare dhe sovranitetit territorial të vendit”
Reciprociteti – Rruga e vetme për të arritur në këto zgjidhje kalon mes respektit reciprok, të drejtë e të barabartë, larg frymës së varësisë, në përmbushje të plotë të detyrimit për transparencë ndaj publikut e qytetarëve”