Partia Demokratike sulmoi liderin e PS-së për bllokimin e procesit të integrimit të vendit, ku sipas saj mosvotimi i tre ligjeve solli mosdhënien e statusit të vendit kandidat.


“Dëgjuam këto ditë në Parlamentin Europian disa komunistë grekë, të cilët kundërshtonin me forcë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Një hap që sigurisht revolton çdo shqiptar. Por çfarë mund t’u kërkojmë ne komunistëve grekë, kur autori i vërtetë i bllokimit të shqiptarëve është një pinjoll i komunistëve, i bllokmenëve shqiptarë: Kryetari i ish-Partisë Komuniste Shqiptare, i cili edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë u tregoi shqiptarëve se është kundër të ardhmes dhe interesave të tyre. Antishqiptar duket si një epitet i rëndë, por në fund gjithsecili nga ne gjykohet për veprimet e tij dhe Rama në gjithë këto vite nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka tentuar të bllokojë të ardhmen e shqiptarëve. Bllok kundër NATO-s, bllok kundër liberalizimit të vizave dhe tani për të tretën herë radhazi bllok për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian”, deklaroi nënkryetari i grupit të PD-së, Edi Paloka.


Sipas mazhorancës dëmi i shkaktuar nuk është vetëm financiar, por edhe moral i liderit të opozitës. “Dëmi më i madh është ai moral. Dëmi i vërtetë është ai përballë miqve tanë europianë që nuk mund ta konceptojnë sesi një kryetar partie shqiptare mund të ngrihet kundër interesave të popullit të tij. Sidoqoftë, Rama nuk mund të bllokojë natyrshmërinë dhe vendi i natyrshëm i shqiptarëve është Bashkimi Europian. Ky është bllokimi i fundit që ai po u bën shqiptarëve, sepse në 2013-n, në fushatë, i ka mbetur t’u mburret shqiptarëve, siç po bën në fakt edhe tani, vetëm se është 2 metra i gjatë dhe madje pa taka. Pasi për asgjë tjetër nuk mund t’u mburret apo t’u thotë shqiptarëve se ka interesa të përbashkëta me ta. Prandaj, 2013-a do të jetë edhe viti kur shqiptarët do ta çojnë Ramën përfundimisht aty ku i takon”, tha Paloka.


16 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)