BLEDAR HOTI – Greqia e ka ngrirë marrëveshjen e kufijve detarë. Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, në një deklaratë për median, theksoi se ka marrë garancinë nga homologu i tij Avramopulos se Greqia e ka ngrirë paktin e ujërave, pas rrëzimit të bërë nga Gjykata Kushtetuese. “Pozicioni i Shqipërisë është i qartë. Ky problem do të adresohet në frymën e Kushtetutës së vendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. I theksova mikut tim z. Avramopulos se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për ne nuk ekziston marrëveshja për detin dhe duhet të punojmë së bashku për të krijuar kushtet për të filluar negociatat për një marrëveshje të re, e cila duhet të jetë një marrëveshje që nuk duhet të kontestohet nga asnjëra palë për të qenë një marrëveshje e qëndrueshme. Ky është edhe qëndrimi im. Padyshim Dimitri Avramopulos dëgjoi qëndrimin tim dhe besoj se e respektoi në këtë drejtim dhe vura re me kënaqësi që edhe shteti grek nuk ka avancuar me ratifikimin e marrëveshjes së vjetër. Ajo është e ngrirë nga Athina, gjë që më bën të shpresoj se edhe shteti grek do të afrohet, ose do të jetë kompatibël në përputhje me qëndrimin shqiptar për adresimin e kësaj çështjeje shumë të rëndësishme”, tha Panariti. Kryediplomati shqiptar theksoi më pas se “qëndrimi i Athinës zyrtare është që çdo gjë do të bëhet në frymën e dialogut dhe marrëveshjeve dhe të konventave ndërkombëtare”. Në lidhje me ligjin e luftës mes dy vendeve, Panariti theksoi se “kjo nuk është ndonjë kërkesë e re. Unë besoj se edhe pala greke është plotësisht e ndërgjegjshme, që kemi të bëjmë plotësisht me një absurditet të pastër, përderisa të dyja vendet janë aleate në NATO, mbajtja e një ligji të tillë është tërësisht jashtë kohe, një absurd i pastër dhe unë mendoj që pala greke do të ketë vullnetin për ta abroguar”. Panariti theksoi se në takimin me homologun e tij, Dimitris Avramopulos, ai adresoi disa çështje të rëndësishme, ndërsa shtoi se takimi u konsiderua produktiv edhe nga pala greke. “Kjo ishte një vizitë e suksesshme. Edhe pala greke e cilësoi kështu, produktive dhe që projekton marrëdhëniet e së ardhmes mes dy vendeve tona. Pikërisht në këtë frymë adresova problemet që ka dosja shqiptaro-greke, që nga çështja çame dhe pronat e tyre. Në radhë të parë ne vendosëm të gjejmë një zgjidhje të shpejtë për çështjen e njohjes së certifikatave nga të dyja vendet respektive, do të punohet edhe për marrëveshjen e vulës Apostile dhe do të kemi rezultate të shpejta, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mos stërmundohen për legalizimin, por nëpërmjet një vule të thjeshtë të kapërcehen procedurat e ndërlikuara të legalizimit të dokumenteve. U arrit një marrëveshje dhe po punohet që të finalizohet, pikërisht ajo për lehtësimin e transportit urban. Ju e dini që transporti urban ka pasur vështirësi, bllokime nga të dyja palët. Z. Avramopulos u tregua shumë konstruktiv, u lidhëm edhe me ministrin e Transporteve dhe së shpejti do të ketë edhe një takim mes ministrit të Transportit të Greqisë dhe atij të Shqipërisë për ta finalizuar këtë marrëveshje, u diskutua padyshim edhe për mosrespektimin e marrëveshjes ‘Shengen’, pra për penalizimin, në këndvështrimin tim të padrejtë, të qytetarëve shqiptarë për kohën e qëndrimit të tyre. Unë ia adresova këtë qëndrim z. Avramopulos dhe gjeta mirëkuptimin e tij për të pasur një qëndrim të njësuar për respektimin e marrëveshjes ‘Shengen’ sipas detyrimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje për të dyja vendet respektive”, tha kryediplomati.
Transporti: U arrit një marrëveshje dhe po punohet që të finalizohet, pikërisht ajo për lehtësimin e transportit urban
Delavekuras: Zëdhënësi i MPJ greke theksoi se Athina i është përgjigjur Panaritit për çamët
Incidenti “Mema”: “Kërkova që të shmangen incidente të tilla”
Kryediplomati Edmond Panariti bëri të ditur se me homologun e tij grek ka diskutuar dhe për incidentin në kufi me gazetarin e “Top Channel”, Marin Mema. “I theksova z. Avramopulos që për ne është shumë e rëndësishme respekti ndaj gjyqtarëve, ndaj gazetarëve, ndaj mediave dhe shtypit dhe në këtë këndvështrim i përmenda shqetësimin tim shumë të madh për penalizimin e padrejtë me vënien e statusit të personit ‘non grata’, gazetarit të nderuar z. Marin Mema. Këtë z. Avramopulos ia thashë edhe në kontaktin tim ‘tet -a- tet’, por edhe në atë zyrtar. I theksova që ne duhet të shmangim ngjarje të tilla, se këto nuk i shërbejnë klimës së mirëkuptimit dhe dialogut dhe aq më tepër media që është përçuese e këtij mirëkuptimi dhe dialogu. Z. Avramopulos më siguroi që shteti grek do të mbetet i hapur për mediat, qytetarët, gjyqtarët dhe padyshim mori shënim për problemin që unë ia adresova në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha Panariti.