Një ditë pas takimeve të zhvilluara në Bruksel, ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, i ka bërë apel politikës shqiptare të vijojë me frymën e bashkëpunimit për nismat që kërkojnë shumicën e cilësuar. Ai është shprehur optimist për marrjen e një përgjigjeje pozitive, megjithatë kjo varet nga fryma bashkëpunuese që do të arrihet mes palëve për ligjet që kërkojnë 2/3 e votave.
“Ajo që kërkohet është që konsensusi i madh, kompromisi i madh që u materializua në votimin për Kodin Zgjedhor të vijojë edhe me votimin më të njëjtën frymë të ligjeve të tjera që kërkojnë 2/3 e votave në Parlament”, deklaroi Panariti.
Shefi i diplomacisë shqiptare, ka pranuar se përgjigjja për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, nuk do të varet vetëm nga imuniteti. “Çështja e imunitetit nuk është pjesë e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Europian.
Është një sfidë që politika shqiptare ia vuri vetes dhe që ka të bëjë në një farë mënyre për krijimin e një bazamenti më të shëndoshë për funksionimin e sistemit të drejtësisë. Pa dyshim, mbetet një obligim për t’u realizuar. Nuk është një çështje që mban peng statusin e vendit kandidat. Statusi i vendit kandidat është një çështje shumë më komplekse që ka të bëjë me avancimin në mënyrë të njëkohshëm të reformave në të 12 prioritetet të përcaktuara, kështu që një çështje e vetme nuk mund të mbajë peng një proces të tërë”, deklaroi kryediplomati Panariti.
5 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)