MPJ mjaftohet me njoftim të shkurtër: U fol për çështjet dypalëshe dhe TAP


Burimet bëjnë të ditur se u diskutua edhe për axhendën e takimit të tyre pas një jave në Athinë, i cili ka interes të madh në kuadër të shumë çështjeve të mbetura pezull mes dy vendeve. Çështja më e rëndësishme dhe më komplekse njëkohësisht është ajo e ndarjes së ujërave territoriale


Fatjona Mejdini


Vizita në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork i shërbeu kryediplomatit shqiptar, Edmond Panariti, për të zhvilluar një takim dypalësh me homologun e tij grek, Dimitris Avramopoulos. Takimi në kryeqendrën botërore të dy ministrave ballkanikë vjen tetë ditë përpara takimit zyrtar që ata do të zhvillojnë në Athinë. Nisur nga ky aspekt, Ministria e Jashtme shqiptare, në deklaratën e saj për shtyp, ka preferuar të theksojë faktin vetëm se dy ministrat diskutuan për procesin e integrimit dhe bashkëpunimet rajonale siç është dhe gazsjellësi TAP. Ministria e Jashtme bën të ditur se ky takim ishte në kuadër të pjesëmarrjes të ministrave në sesionin e 67 të Asamblesë së OKB-së. “Bashkëpunimi dypalësh, projekti TAP, bashkëpunimi rajonal, zhvillimet në rajon, si dhe ecuria pozitive e integrimit europian të Shqipërisë, ishin temat kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi. Ministri Panariti vlerësoi bashkëpunimin me Greqinë si një partner i rëndësishëm i Shqipërisë”, thuhet në deklaratë. Po aty shtohet se çështje me interes të ndërsjellë mes dy vendeve u lanë të diskutohen në takimin e datës 5 tetor. Në këtë kuadër, në njoftim shkruhet se ministri grek, shprehu bindjen se Greqia do të vijonte ta ndihmonte Shqipërinë në rrugën drejt BE-së. Burimet bëjnë të ditur se u diskutua edhe për axhendën e takimit të tyre pas një jave në Athinë, i cili ka interes të madh në kuadër të shumë çështjeve të mbetura pezull mes dy vendeve. Çështja më e rëndësishme dhe më komplekse njëkohësisht është ajo e ndarjes së ujërave territoriale. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare, për ta hedhur poshtë marrëveshjen e negociuar mes palëve, ka sjellë zvarritjen e procesit si dhe refuzimin e palës greke për të negociuar mbi një marrëveshje të re. Situata për Shqipërinë bëhet e vështirë në një kohë, kur shteti fqinj e ka kërcënuar me bllokim të procesit të integrimit në rast se nga pala shqiptare refuzohet marrëveshja e mëparshme. Nuk dihet nëse takimi mes dy ministrave do të sjellë kompromis mbi këtë çështje tepër delikate, por në një prononcim për “Shqip”, ish-kryeministri Pandeli Majko ka parashikuar se situata e paqartë për kufirin detar mes dy vendeve pritet të zgjasë për shumë vite. Një çështje tjetër delikate që ministri shqiptar pritet të hapë në Greqi është edhe ajo e kthimit të qytetarëve shqiptarë me origjinë çame në kufi si dhe shpallja non grata e disa gazetarëve shqiptarë për shtetin fqinj. Në një letër drejtuar ministrit Panariti, kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka theksuar se do të ishte e udhës që çështja çame të ishte një temë kryesore në takimin mes dy homologëve.