Tregtia


Përshkrimi i mediave serbe për njeriun e “Moon Storm”: I shiti armë Gedafit


BLEDAR HOTI


Presidenti serb, Tomislav Nikoliç


Slobodan Tesiç, personi i shpallur në listën e zezë së OKB-së për tregtinë e paligjshme të armëve, njëherësh kontraktues i rregullt i shitjes së armatimeve me shtetin shqiptar është një nga mbështetësit e partisë së Presidentit serb, Tomislav Nikoliç, i cili konsiderohet si nacionalist i vijës së ashpër. Ky fakt zbulohet nga disa artikuj të botuar nga vetë mediat serbe, të cilat e lidhin Tesiç si një nga mbështetësit kryesorë financiarë të ish-partisë radikale, që tashmë mban emrin Partia Progresiste Serbe. “Novi Magazin”, në një artikull të saj të datës 25 prill të këtij viti, shkruan se tregtari më i madh i armëve në Ballkan, Slobodan Tesiç ka lobuar fuqishëm pro SNS-së. “Partia Progresive Serbe, SNS, e Tomisllav Nikoliç, paraqet një mburojë politike për të paktën tri grupe të organizuara kriminale serbe: Shitje e armëve, biznesmenë që dalin nga Sigurimi i Shtetit (UDB) dhe ‘patriotët’ nga Veriu i Kosovës dhe i Metohisë”, shkruan “Novi Magazin”. Më tej, revista shkruan se “sipas burimit tonë, që dëshiron të mbesë anonim, Tesiç është në drejtimin e një fushate të fuqishme lobimi dhe me biznesmenët e sektorëve fitimprurës, me shpresën se me ndryshimin e qeverisë dhe me vendosjen e ‘regjimit të tij’ do të sigurojë kushte më liberale për biznesin”.


 


Fëmijët e Tesiç, kandidatët e Nikoliç


Slobodan Tesiç


“Novi Magazin” bën të ditur se Tesiç ishte i bindur në fitoren e Nikoliç, aq sa vendosi vajzën e tij, Danijela si kandidate për deputete, e renditur e 96-a në listën shumemërore të deputetëve të partisë SNS, të udhëhequr nga Nikoliç. Ndërsa gazeta “Blic” në një artikull të sajin të 1 majit 2012, shkruan se i biri i Tesiç, Radomir, është kandidati i SNS-së për kryetar bashkie në Kragunjevac, qyteti i lindjes së Presidentit Nikoliç. Ai ka financuar 40 milionë euro në këtë fushatë. Ndërsa sipas një hulumtimi, e bija e Tesiç rezulton të jetë e punësuar prej katër muajsh, që në qershor 2012, në zyrën e Presidentit të Serbisë, Nikoliç. Ajo është edhe këshilltare e Partisë Progresiste Serbe.


 


Biografia e Tesiç


“Novi Magazin” shkruan se “Sllobodan Tesiç është i njohur për marrëdhëniet e dyshimta me tregti armësh, municionesh dhe pajisjesh ushtarake, tregti që realizohet ose tentuar për të kryer nëpërmjet kompanisë së tij, ‘Temex’, apo nëpërmjet kompanive të lidhura ‘Melvale Coorporate’, ‘Calidus Trade’, ‘ABEX Ohër’, ‘Zahnen Limited’, ‘Delimnia’ dhe shumë të tjera”. “Tesiç erdhi në fokusin e opinionit publik vendas dhe botëror një dekadë më parë, kur ai arriti të eksportojë armë automatike të paligjshme në Liberi dhe kjo përbënte një shkelje të drejtpërdrejtë të sanksioneve të OKB-së. Pas kësaj, ai u përpoq në mënyrë të përsëritur për të eksportuar armë në zona kritike e luftës në botë, por nuk ka marrë autorizimet (lejet) e nevojshme nga autoritetet federale dhe republikane. Në fillim të kryengritjes të vitit të kaluar në Libi, Tesiç dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Dragan Kapetina, drejtor i kompanisë “Partizan Arms”, negociuan me furnizuesit zyrtarë libianë ushtarakë, që atëherë ishin ende besnikë ndaj Muhamar Gedafit. Në fillim të marsit të vitit të kaluar, Tesiç u takua me anëtarët e forcave të armatosura libiane në Tripoli, në lidhje me marrëveshjen për dërgimin e 12.000 predhave, raketave tank portative, 30.000 pushkë snajper, rreth 90 milionë copë të kalibrave të ndryshëm dhe pajisje të tjera ushtarake. Sipas deklaratave të shërbimeve të brendshme të inteligjencës, Tesiç ishte forca shtytëse e protestave në fabrikën ‘Zastava’, si në maj dhe qershor të 2011-s, me të cilën ai u përpoq për të siguruar mbështetje për biznesin e tij të armëve, të eksportit në Jemen”, shkruan “Novi Magazin”.


 


Detajet


Libi – “Novi Magazin” shkruan se Tesiç i shiti armë ushtrisë së Gedafit në kulmin e konfliktit vitin e kaluar. Për këtë, ai shkoi vetë në Tripoli


Nikoliç – Tesiç është një nga mbështetësit kryesorë financiarë të partisë së udhëhequr nga Nikoliç, SNS. Fëmijët kanë konkurruar në zgjedhje si kandidatë të SNS-së


Jemeni – Mediat serbe shkruajnë se për shkak të kontratës në Jemen, Tesiç organizoi disa protesta në fabrikën e prodhimit të armëve në Serbi, “Zastava”