Bruksel


Komisioni i Jashtëm shton si kriter zbardhjen e 21 janarit dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve


Fatjona Mejdini


Eurodeputetët kërkuan dje në Bruksel që BE-ja të shtojë si kushte për integrimin e Shqipërisë hetimin e plotë të ngjarjeve të 21 janarit dhe po kështu zbatimin e ligjit për ish të përndjekurit politikë. Këto kërkesa u shtuan në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të PE-së nga ana e kreut të delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, gjatë diskutimit të raportit për Shqipërinë. Kukan gjithashtu i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të bëjë lëshime në lidhje me kërkesat e opozitës, në mënyrë që të mos humbet më kohë për miratimin e tri ligjeve që kishin mbetur pezull. Përreth dy orë, eurodeputetët diskutuan për situatën në Shqipëri në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat, përpara hartimit të raportit të tyre që do të kryhet më 22 nëntor në Strasburg dhe më pas do t’i kalojë Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së që do të mblidhet në fillim të dhjetorit. Në total eurodeputetët shtuan dje 53 amendime në Rezolutën për Shqipërinë, të cilat në total kapën numrin 141. Ndër amendamentet e reja, eurodeputetët pa dallime politike kërkuan që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ishin të lira e të ndershme, si një garanci për progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.


Amendamentet e Kukan


Kryetari i Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan, përfshiu dje në rezolutën për Shqipërinë tri amendamente të rëndësishme që lidhen me ngjarjet e 21 janarit, të përndjekurit politikë dhe nevojën për funksionim demokratik të institucioneve të vendit. Pavarësisht se Kukan është pjesë e grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, ku aderon edhe Partia Demokratike shqiptare, amendamentet që ai propozon mund të konsiderohen dhe tema tabu për mazhorancën shqiptare. Në amendamentin me numër 74, Kukan kërkoi angazhimin e Shqipërisë në zbardhjen e paanshme të ngjarjeve të 21 janarit, ku humbën jetën edhe katër protestues opozitarë. “Ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011 duket se do të ndiqen pa vonesa dhe pengesa, me investigim kriminal të pavarur dhe procedura të besueshme gjyqësore”, thekson Kukan në këtë amendament të tij. Po kështu, në amendamentin e ri që mban numrin 133, Kukan kërkon zgjidhjen sa më shpejt nga qeveria të çështjes së dëmshpërblimit financiar të ish të përndjekurve, duke shprehur shqetësim për protestën e kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare. “PE-ja është e shqetësuar rreth situatës së protestave nga ana e ish të burgosurve politikë, u bënë thirrje autoriteteve kombëtare të zbatojnë ligjin për kompensimin ekonomik të tyre”, theksohet në amendamentin e radhës së kreut të Parlamentit Europian për Ballkanin. Një tjetër amendament i shtuar nga Kukan është edhe ai me numër 7, i cili kërkon një funksionim sa më të mirë dhe demokratik të institucioneve shqiptare sipas modelit të institucioneve të BE-së dhe vlerave europiane. “Duhet vendosur një funksionim demokratik për institucionet qendrore, i rëndësishëm ky për një qeverisje demokratike në zbatim të ligjit. Kjo duhet të zbatohet nga të gjitha institucionet, duke nisur që nga Parlamenti, te qeveria, te sistemi i drejtësisë, duke përfshirë gjykatat, Prokurorinë e Përgjithshme dhe agjencitë e zbatimit të ligjit”, theksohet në këtë amendament.


 


Pronat – Eurodeputeti Nikola Kontis ka përshirë në rezolutën për Shqipërinë një amendament, i cili i kërkon qeverisë implementimin e strategjisë për zgjidhjen e çështjes së pronësisë


 


Eurodeputeti rumun


Severin: Korrupsioni, jo për rivalitet politik


Eurodeputeti rumun, Adrian Severin, përfshiu dje në rezolutën për Shqipërinë një amendament, i cili e detyron qeverinë shqiptare të rrisë nismat kundër korrupsionit dhe mospërdorimin e tij për rivalitet politik. “Duhet theksuar nevoja për të mos e transformuar luftën kundër korrupsionit për rivalitet politik në Shqipëri”, theksohet në amendamentin e Severin. Një pjesë e madhe e amendamenteve të vendosura nga eurodeputetët në rezolutën për Shqipërinë thekson nevojën për rritjen e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nga ana e qeverisë shqiptare. Shumë eurodeputetë e shikojnë këtë luftë si të barabartë me përpjekjet që po bën Shqipëria për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar.


 


Eurodeputetja sllovene


Fajon: Të merren masat për të mos u rikthyer vizat


Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila u bë e njohur për shkak të lobimit të fortë që bëri për liberalizimin e vizave në Shqipëri, shtoi dje një amendament në rezolutën për vendin tonë, ku kërkoj që qeveria të merrte masa të rrepta për të mos lejuar që ky proces të shkatërrohej. “I bëj thirrje qeverisë dhe të gjitha agjencive të jenë strikt në masat ndaj udhëtimit pa viza në zonën Shengen. Ata duhet ta konsiderojnë të rëndësishme të informojnë qytetarët për limitet që ka ky udhëtim”, thekson Fajon në amendamentin e saj, duke shtuar që liberalizimi i vizave është një nga arritjet më të mëdha të vendit në rrugën drejt Europës. Ajo kërkoi që kjo arritje të mbrohej me fanatizëm nga ana e qeverisë shqiptare.