Në draftin përfundimtar të miratuar, fillimisht eurodeputetët i bëjnë thirrje këshillit që t’i japë vendit statusin kandidat pa vonesa të mëtejshme, me kusht përmbushjen e reformave kyçe të përcaktuara nga komisioni
BE-ja, më larg
“Duhet vendosur një funksionim demokratik për institucionet qendrore, i rëndësishëm ky për një qeverisje demokratike”
“Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 vlerësohen sërish të jenë një test i rëndësishëm i pjekurisë së demokracisë së vendit”
Fatjona Mejdini
Parlamenti Europian miratoi dje pa asnjë ndryshim rezolutën e tij për sa u përket rekomandimeve që Shqipëria duhet të përmbushë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kështu, dje sipas “Top Channel”, Komiteti i Punëve të Jashtme miratoi me 61 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime, projektrezolutën për Shqipërinë. Në këtë draft u përfshinë dhe dy amendamentet e kreut të delegacionit të PE-së për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan, i cili kërkonte zbardhjen sa më të shpejtë të çështjes së 21 Janarit dhe përshpejtimin e procesit të dëmshpërblimit financiar për ish të përndjekurit politikë. Në draftin përfundimtar të miratuar, fillimisht eurodeputetët i bëjnë thirrje këshillit që t’i japë vendit statusin kandidat pa vonesa të mëtejshme, me kusht përmbushjen e reformave kyçe të përcaktuara nga komisioni.
Amendamentet e Kukan
Kryetari i Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan, përfshiu në rezolutën për Shqipërinë tri amendamente të rëndësishme që lidhen me ngjarjet e 21 janarit, të përndjekurit politikë dhe nevojën për funksionim demokratik të institucioneve të vendit. Në amendamentin me numër 74, Kukan kërkoi angazhimin e Shqipërisë në zbardhjen e paanshme të ngjarjeve të 21 janarit, ku humbën jetën edhe katër protestues opozitarë. “Ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011 duket se do të ndiqen pa vonesa dhe pengesa, me investigim kriminal të pavarur dhe procedura të besueshme gjyqësore”, thekson Kukan në këtë amendament të tij. Po kështu, në amendamentin e ri që mban numrin 133, Kukan kërkon zgjidhjen sa më shpejt nga qeveria të çështjes së dëmshpërblimit financiar të ish të përndjekurve, duke shprehur shqetësim për protestën e kësaj shtrese të shoqërisë shqiptare. “PE-ja është e shqetësuar rreth situatës së protestave nga ana e ish të burgosurve politikë, u bënë thirrje autoriteteve kombëtare të zbatojnë ligjin për kompensimin ekonomik të tyre”, theksohet në amendamentin e radhës së kreut të Parlamentit Europian për Ballkanin. Një tjetër amendament i shtuar nga Kukan është edhe ai me numër 7, i cili kërkon një funksionim sa më të mirë dhe demokratik të institucioneve shqiptare sipas modelit të institucioneve të BE-së dhe vlerave europiane. “Duhet vendosur një funksionim demokratik për institucionet qendrore, i rëndësishëm ky për një qeverisje demokratike në zbatim të ligjit. Kjo duhet të zbatohet nga të gjitha institucionet, duke nisur që nga Parlamenti, te qeveria, te sistemi i drejtësisë, duke përfshirë gjykatat, Prokurorinë e Përgjithshme dhe agjencitë e zbatimit të ligjit”, theksohet në këtë amendament.
Zgjedhjet dhe drejtësia
Në rezolutën e miratuar dje nga Parlamenti Europian, eurodeputetët u bëjnë thirrje të gjitha forcave politike të zhvillojnë fushatë dhe zgjedhje të lira e të ndershme dhe të punojnë së bashku për të përmirësuar klimën politike në vend. Raporti u bën thirrje autoriteteve shqiptare të sjellin legjislacionin për zgjedhjet, lirinë e tubimit, lirinë e shoqatave, dhe lirinë e medias, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ta zbatojnë atë plotësisht. Sipas tyre, zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 vlerësohen sërish të jenë një test i rëndësishëm i pjekurisë së demokracisë së vendit. Një tjetër pikë ku kërkohet progres është dhe sistemi i drejtësisë, ku eurodeputetët kërkojnë një gjyqësor të pakorruptuar, të pavarur dhe transparent. Po kështu, më shumë përpjekje kërkohen për të luftuar diskriminimin ndaj komunitetit rom, LGBT, dhe grupeve vulnerabël të shoqërisë.