42 deputetë – Minimalisht, Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë 42 deputetë, për kuotën e 30 përqindëshit të femrave


24 – Me zgjedhjet e reja të 23 qershorit llogaritet që Kuvendi të ketë 24 deputete, 2 më shumë se aktuali


3 qarqe – Në Kuvendin e ardhshëm, tre qarqet e vendit, Gjirokastër, Dibër dhe Kukës nuk do të kenë deputetë


5 deputetë – Qarku i Tiranës, nga 32 deputetë që ka gjithsej, sipas ndarjes së zonave, 5 përfaqësues do t’i ketë femra 


Kodi Zgjedhor – PS dhe PD kanë ndryshuar Kodin Zgjedhor për barazinë gjinore, duke i hequr të drejtën KQZ-së për të refuzuar listat e deputetëve, në rast se nuk plotësohej kriteri 30% i kuotës


Gjobitjet – Partitë e mëdha preferojnë të gjobiten me miliona lekë nga KQZ-ja se sa të zbatojnë kriterin ligjor të barazisë gjinore. PS, PD, por edhe LSI nuk kanë pranuar rishikim listash, por janë gjobitur


Socialistët – Në total, PD-ja do të ketë 10 deputete, ndërsa PS-ja 14. Pra socialistët do të kenë më shumë prezencë të femrave në Kuvendin e Shqipërisë. Vetëm 3 deputete të PS-së nuk u konfirmuan sërish


Dy më shumë se legjislatura aktuale, por shkelet kuota gjinore


BLEDAR HOTI


kuvendiParlamenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, pritet të ketë 24 përfaqësues të gjinisë femërore. Dy më shumë se ky që sapo lamë, porse sërish nuk arrihet ajo çfarë kërkohet: barazia gjinore. Nga 140 deputetë që ka Kuvendi, duhet të jenë të paktën 42 deputete femra, por kjo nuk është realizuar veçanërisht nga dy partitë e mëdha. Në legjislaturën që sapo përfundoi ka pasur 22 deputete femra. Interesante janë shifrat se Qarku i Tiranës do të ketë më pak femra se në legjislaturën që sapo i mbyll. Numri i deputeteve femra mund të shkojë dhe në 25 e kjo do të varet nga numri i deputetëve që mund të marrë LSI. Nëse kjo parti merr dy mandate, atëherë Klajda Gjosha mund të jetë deputetja e 25-të e Kuvendit të Shqipërisë. Dy partitë e mëdha PS dhe PD, të cilat kishin deklaruar për të futur sa më shumë kandidate femra si emra fitues, nuk kanë arritur të përfshijnë aq sa kërkon ligji. Lista e PS-së, nga 140 kandidatë për deputetë, përmban 39 kandidatë të gjinisë femërore. Ndërsa ajo e PD-së, përmban 38 kandidatë të gjinisë femërore. Mosrespektimi i kuotës gjinore është edhe një nga arsyet që KQZ-ja mori vendimin të gjobisë partitë e mëdha PD dhe PS, por edhe LSI-në. Në përllogaritjen e bërë nga gazeta “Shqip”, rezulton se Qarku i Tiranës ka 5 deputete të sigurta, 2 i përkasin PD-së, Majlinda Bregu dhe Jorida Tabaku, ndërsa PS-ja do të ketë Vasilika Hysin, Lindita Nikollin dhe Milena Hariton. Më parë ky qark ka pasur 6 deputete. Qarku i Fierit do të ketë tre deputete: Mesila Doda e PD-së, si dhe Eglantina Gjermeni e Majlinda Bufi të PS-së. Qarku i Durrësit do të ketë 2 deputete: Albana Vokshin e PD-së dhe Klodiana Spahiun e PS-së. Elbasani, si qark i madh, do të ketë vetëm dy deputete, Evis Kushin e PS-së dhe Arbjola Halimin e PD-së, që të dyja marrin për herë të parë mandatin. Qarku i Shkodrës, Vlorës dhe Korçës do të jenë me nga 3 deputete secili. Jozefina Topalli dhe Voltana Ademi janë të PD-së, ndërsa Mimoza Hafizi e PS-së. Ndërsa në Vlorë janë Valentina Leskaj dhe Luiza Xhuvani për PS-në dhe Liljana Elmazi për PD-në. Ermonela Felaj e PS-së do të jetë deputetja e vetme për Qarkun e Beratit, ndërsa PD-ja nuk ka paraqitur asnjë emër femër në listat e saj. Në Qarkun e Lezhës, Mimi Kodheli e PS-së dhe Albina Deda e PD-së. Në qarkun e Gjirokastrës, Dibrës dhe Kukësit, dy partitë e mëdha PD dhe PS nuk kanë preferuar të vendosin kandidate, duke bërë që ato të gjobiten nga KQZ-ja me nga 1 milion lekë të reja për çdo mosplotësim kuote gjinore. Nëse kryesocialisti Edi Rama mban në fuqi premtimin se ministrat në qeverinë e tij duhet të dorëzojnë mandatin e deputetit, mund të ketë 3 deputete të tjera si Enkelejda Shkreli, Mejreme Delishi dhe Luljeta Arapi. Kjo do të realizohet nëse PS-ja vjen në pushtet, si dhe nëse zbatohet ideja që ministri nuk mund të jetë deputet. Pra deputeti që shkon ministër duhet të dorëzojë mandatin e deputetit. Në total, PD-ja do të ketë 10 deputete, ndërsa PS-ja 14. Dy ditë më parë, KQZ-ja miratoi listat e deputetëve të dy partive të mëdha. Për shkak të shkeljes së këtyre kritereve, të mosrealizimit të kuotës gjinore, KQZ-ja mori vendimet: “Partia Socialiste e Shqipërisë gjobitet me 6 milionë lekë, për gjashtë zona zgjedhore, Tiranë, Durrës, Elbasan, Kukës, Gjirokastër dhe Dibër.- Partia Demokratike e Shqipërisë gjobitet me 4 milionë lekë për katër zona zgjedhore, Elbasan, Dibër, Berat dhe Kukës.- Lëvizja Socialiste për Integrim gjobitet me 4 milionë lekë për katër zona zgjedhore, Berat, Kukës, Durrës dhe Gjirokastër”.