Reagimit zyrtar të qeverisë shqiptare në lidhje me lirimin nga akuzat në Gjykatën e Hagës të ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij, e cila me këtë rast kërkoi të hetohej ish-Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte të njëjtën gjë kërkon edhe presidenti i vendit, Bujar Nishani.
Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të presidencës, Presidenti i Republikës, pasi ka përshëndetur vendimin objektiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që shkarkoi ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij nga të gjitha akuzat, ka kërkuar nga instancat ndërkombëtare të kryejnë një hetim të pavarur ndaj ish-Prokurores Carla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura për rolin e saj në hetimin ndaj zotit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“Zoti Haradinaj u përball dy herë me akuzat e ngritura nga ish-Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës znj. Carla del Ponte. Por ajo që po përbën lajmin më shokues këto ditë janë deklaratat e fundit të prokurorëve të njohur të kësaj Gjykate, se akuza e ngritur ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij nga Prokurorja Carla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash. Madje, ajo nuk ka marrë parasysh këshillat e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompjuterikë dhe shkarkimin e tyre nga çështja”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Më tej presidenti vlerëson se dalja në pah e së vërtetës në lidhje me këtë çështje i shërben drejtësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe besueshmërisë së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
3 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)