Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka tashmë 18 gjyqtarët e saj të parë, ku 5 janë të përhershëm dhe 13 janë caktuar të përkohshëm. Zgjedhja e 18 gjyqtarëve i dha fund ekzistencës së Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku me shkrirjen e saj një pjesë e gjyqtarëve kishin shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Gjykatës së Posaçme, ndërsa pjesa tjetër është transferuar në gjykatat e rretheve.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku 5 gjyqtarët e përhershëm janë Albana Boksi, Nertina Kosova, Saida Dollani, Dhimitër Lara si dhe Sokol Binaj.

Ndërkohë 13 gjyqtarët që u caktuan në mënyrë të përkohshme janë Flora Haredinaj, Ilirjana Olldashi, Irena Gjoka, Marsela Balili, Miliana Muçaj, Ardit Mustafaj, Bib Ndreca, Fran Prendi, Klodiana Kurushi si dhe Sandër Simoni.

Pas datës 19 dhjetor, Gjykata e Krimeve të Rënda nuk do të ekzistojë më duke i lënë vendin Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që pritet të marrë në dorë të gjitha dosjet e bujshme.

Në lidhje me gjyqtarët e Krimeve të Rënda që nuk shprehën dëshirë për të qenë pjesë e Gjykatës së Posaçme, janë transferuar nëpër rreth, konkretisht: Dhurata Haveri, Idriz Mulkurti, Luan Hasneziri dhe Fehmi Petku kalojnë në Gjykatën e Apelit të Durrësit, ndërsa Xhevalin Pernoca dhe Gurali Brahimllari kalojnë i pari në Gjykatën e apelit në Korçë dhe i dyti në të njëjtën gjykatë, por në Vlorë. Ndërsa gjyqtari Dritan Hallunaj kalon në Gjykatën e Tiranës.