francesku IPapa Françesku udhëhoqi meshën e shenjtë dhe festimet e Pashkëve, të parat për të që prej zgjedhjes në krye të Vatikanit, ne 13 mars.


Ati i Shenjtë, së shpejti do të nisë edhe fjalimin e njohur si “Urbi et Orbi”, duke uruar Pashkët nga sheshi i Shën Pjetrit në të gjithë gjuhët e botës, përfshirë në shqip.


Pashka, dita që përkujton Ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit të tij, është festa më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera.


Në fjalën e tij, mbajtur në meshën e mëngjesit, Papa Françesku i apeloi mosbesimtarëve që të hapin zemrën ndaj Zotit, ndërsa i bëri thirrje katolikëve që të hedhin një hap më shumë pranë të Plotfuqishmit.


“Ngjitja e Jezusit në qiell le të hyjë në jetën tuaj. Mirëpriteni atë si një mik dhe besoni se ai është vetë jeta. Nëse e keni mbajtur deri tani larg, hapeni zemrën dhe bëheni pjesë të jetës suaj”, apeloi Papa Françesku, i pari papë jezuit dhe argjentinas, në historinë e Selisë së Shenjtë.


“Të jeni të sigurt, që nëse e bëni këtë, Jezusi do t’iu presë krahëhapur”.


Ra në sy fakti se shërbesa e mëngjesit ishte më e shkurtër se zakonisht, për shkak të preferencave të vetë Françeskut, për ceremoni më të shkurtra dhe më pak formale.


 


Imzot Rrok Mirdita dhe Presidenti Nishani urojnë katolikët


Besimtarët katolikë do të kremtojnë sot Pashkët Katolike, ditën e ringjalljes së Krishtit. Pak para mesnate fillon vigjilja e Pashkës, që në shumë raste quhet shërbesa e mesnatës.


Kryeipeshkvi Imzot Rrok Mirdita uron të gjithë besimtarët katolikë, të cilët në mesnatë kujtojnë procesionin e kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë.


“Sonte vjen shpresa. Ai që i ka mundësuar atit të shenjtë këtë kryq është ringjallur. Vjen sonte tek ne të na thotë se paqja është me ne. Krishti i mbushtë jetët tuaja me paqe. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët”, u shpreh Rrok Mirdita.


I njëjti urim vjen edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili vlerëson simbolikën dhe mesazhet që përcjell kjo festë e rëndësishme për paqen mes njerëzve.


“Pashkët mbajnë simbolika nga më domethënëset, më të bukurat e më të vlefshmet. Pashkët janë shembulli më i vyer i rrugës së mundimshme e të bukur drejt virtytit. Pashkët na kujtojnë ringjalljen, këtë mrekulli njerëzore e qiellore”, tha Nishani.