Gërdeci/ Akuza nuk fakton akuzat ndaj të pandehurve, dosja drejt pushimit
Sokol Çobo
Përpjekjet e drejtësisë shqiptare për të zbardhur tragjedinë e Gërdecit e cila u mori jetën 26 personave të pafajshëm duket se ka dështuar. Asnjë prej të akuzuarve nuk ndodhet në burg, megjithëse katër prej tyre u akuzuan për vrasje masive, trafik armësh dhe pastrim parash. Vetëm dosja e vrasjeve shkoi në gjykatë, dhe të gjithë e dinë përfundimin, ku togat e zeza rrëzuan akuzën e vrasjes masive dhe i dënuan për shkelje të rregullave në punë me pasoja.
Ndërkohë, dy dosjet e tjera, ajo e trafikut të armëve dhe pastrimit të parave ndodhen respektivisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Prokurorinë e Tiranës, të cilat kanë shtyrë në maksimum verifikimin e këtyre dosjeve. Burime nga akuza e kryeqytetit pohojnë për gazetën “Shqip” se dosja e pastrimit të parave është drejt një vendimi përfundimtar, ku mësohet se njësia Task-Forcë do të pushojë këtë procedim penal me arsyetimin se “nuk ka prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzës ndaj Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit”. Dosja ka shkuar në Prokurorinë e Tiranës nga akuza qendrore, madje mban firmën e ish-drejtorit të krimit të organizuar, Zamir Shtylla, i larguar tashmë nga sistemi i akuzës.
Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se janë të pafuqishëm për të rimarrë sërish të pandehur këta persona, pasi provat janë vetëm me dyshime. Në këto kushte, drejtësia shqiptare sërish dështon për të zbardhur një nga ngjarjet që ka tronditur opinionin publik në vitin 2008, ku bilanci ishte me 26 viktima dhe qindra të plagosur, të shkaktuar nga shpërthimi i një punishteje demontimi municionesh.
Ndërkohë, megjithëse prokuroria nuk ka dërguar dosjen e pastrimit të parave në gjykatë, kjo e fundit ka vendosur për të sekuestruar pasurinë e të pandehurit për ngjarjen e Gërdecit, Mihal Delijorgji. Gjykatat e të gjitha niveleve kanë lënë në fuqi vendimin e sekuestros preventive të 23 llogarive bankare, brenda të cilëve figurojnë rreth 900 mijë euro, 31 mijë metra katrorë truall, pa përjashtuar këtu edhe 1584 objekte të tjera banimi dhe pune.
Gjatë hetimeve të kësaj çështjeje, avokatët e të pandehurve kanë pretenduar se Delijorgji ishte administrator, pra thjesht një i punësuar pranë kompanive “Përparimi sh.a” dhe “Park Albania Construction” dhe jo pronar i tyre. Ndaj sipas tyre, këto sekuestrime nuk po i bëhen Delijorgjit, por pronarëve të vërtetë të kompanive në fjalë. Megjithëse prokuroria ka kundërshtuar këto pretendime të mbrojtjes dhe se ka pohuar se pasuria është në emër të Delijorgjit sërish nuk ka procedimin penal të pastrimit të parave në gjykim.
Akuza i druhet sërish një vendimi në favor të këtyre të pandehurve, pasi gjykata, në megaprocesin që zgjati disa vjet, ka rrëzuar disa herë prokurorinë, madje në vendimin përfundimtar është rrëzuar edhe akuza e vrasjes. Megjithatë, togat e zeza kanë lënë në fuqi vendimin e sekuestros së pasurisë të të pandehurve, duke pohuar se këto para mund të përdoren në procesin civil që kanë hapur familjarët e viktimave të Gërdecit, të cilët kanë paditur të pandehurit, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Këshillin e Ministrave për dëmshpërblim.
Shpërblimi
Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë paditur të pandehurit, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Këshillin e Ministrave dhe kërkojnë një shpërblim financiar për çdo familjar që ka humbur jetën në tragjedinë e Gërdecit
Të dhëna
Sekuestrimi
Megjithëse prokuroria nuk ka dërguar dosjen e pastrimit të parave në gjykatë, kjo e fundit ka vendosur për të sekuestruar pasurinë e të pandehurit për ngjarjen e Gërdecit, Mihal Delijorgji
Dosja
Dosja e pastrimit të parave është drejt një vendimi përfundimtar, ku mësohet se njësia Task-Forcë do të pushojë procedimin penal me arsyetimin se “nuk ka prova ndaj Pinarit, Delijorgjit dhe Minxollit
Dështimi
Drejtësia shqiptare sërish dështon për të zbardhur një nga ngjarjet që ka tronditur opinionin publik në vitin 2008, ku bilanci ishte me 26 viktima dhe qindra të plagosur