Dosjet e plota


Hetimet mbi pasuritë e trafikantëve Shpëtim Kadana dhe Vasil Bajraktari


Bledi Gilaj


Bernard Caushaj, Kreu i policiseSuperpronat e dy trafikantëve, të cilët arrijnë mbi katër milionë euro janë sekuestruar nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se ato janë krijuar nga të ardhurat e aktivitetit kriminal. Bëhet fjalë për dy çështje të nisura që në vitin 2011, fillimisht nga Seksioni i Aseteve Kriminale, të cilat kanë marrë vendimin e gjykatës ditën e djeshme dhe menjëherë këto prona i kanë kaluar në ruajtje Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Gazeta “Shqip” ka siguruar dosjen e plotë të të gjitha veprimeve hetimore që çuan në këtë sekuestrim kolosal, që dyshohet se janë në pronësi të personave të arrestuar në Itali, Shpëtim Kadana, kreu i grupit të trafikut të drogës dhe Vasil Bajraktarit, të akuzuar për trafik femrash me qëllime prostitucioni. Kadana rezulton pronar i tre bizneseve të fuqishme në Tiranë, ndërkohë që Bajraktari është pronar i shtatë apartamenteve dhe një lokali.


Dosja Kadana


Gjithçka ka nisur në fundin e vitit 2011, kur Seksioni i Aseteve Kriminale nisi hetimin administrativ ndaj Shpëtim Kadanës, i cili rezultonte se hetohej nga Zvicra për trafik droge, pasi në fillim të vitit të shkuar, ai ishte shoqëruar në këtë vend pikërisht për këtë vepër penale. Në këto kushte, asetet kriminale në Drejtorinë e Policisë së Tiranës arritën të identifikojnë tri prona të këtij personi, që sipas të dhënave, ai kishte blerë një hektar tokë afër mbikalimit të Rinasit, ku po ndërtonte një supergodinë, që mendohet se do të përdorej për hotel. Më pas, atij iu identifikua një vilë trekatëshe në Kamzë, e cila përdorej si banesë dhe lokal. Por, veç tyre, u gjet edhe një pronë e tretë, trekatëshe, në pjesën e Unazës së Re në Tiranë, ku është ngritur një lokal, tejet i njohur. Këto tri prona, sipas aseteve kriminale, ishin në pronësi të tij, pavarësisht se ishin regjistruar në emra të ndryshëm, kështu që çështja u dërgua në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Por, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk e dërgoi këtë çështje në gjykatë, me pretekstin se nuk kishte një urdhër-arresti mbi këtë person. Pas kësaj, çështja u regjistrua nga Seksioni i Pastrimit të Parave edhe për shkak të hapësirave më të shumta ligjore që ka ky seksion. Kështu, në fillim të këtij viti, çështja u referua për Kadanën në Prokurorinë e Tiranës. Nga ana tjetër, në fund të muajit shkurt, Shpëtim Kadana u arrestua në Romë të Italisë, si kreu i një organizate kriminale, e cila merrej me trafikun e kokainës nga Holanda dhe Belgjikë në drejtim të Italisë dhe Greqisë, ndërkohë që në muajin mars, drejtësia shqiptare kreu njehsimin e vendimit të drejtësisë italiane. Madje, rezultoi se hetimi ndaj tij kishte nisur që në vitin 2007, gjatë operacionit “Cezar”. Kjo e ndihmoi më shumë, prokurorinë t’i drejtohet gjykatës dhe të kërkojë sekuestrimin e pronave, të identifikuara që herët. Megjithatë, Gjykata e Tiranës nuk e pranoi vendosjen e sekuestros preventive, kështu që çështja u dërgua në Apel dhe dje u mor vendimi për një veprim të tillë, duke sekuestruar pronat, që arrijnë në vlerë mbi 2 milionë euro. Aktualisht, policia ka identifikuar disa llogari bankare të Kadanës, si dhe disa mjete, sidomos motorë, pasi rezulton se ishte i prirë pas këtyre mjeteve.


Bajraktari apeloi


E njëjta procedurë është ndjekur pothuajse edhe për Vasil Bajraktarin, i cili me vendim të Gjykatës së Tiranës është dënuar me 7 vjet burgim për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Gjykata e Tiranës ka bërë njohjen e vendimit të datës 13 prill 2007 të Gjykatës së Apelit Torino në Itali, e cila e ka dënuar me 8 vjet burgim për veprën penale të mësipërme. Sipas vendimeve penale, Vasil (Vladimir) Bajraktari nga muaji gusht 2000 ka organizuar trafikimin nga Rumania, Malin e Zi, Shqipëri e më pas në Torino Itali të shtetaseve rumune Joana Bizas dhe Joana Garbah. “Më pas këto shtetase janë keqtrajtuar duke u detyruar të ushtrojnë prostitucion dhe të gjitha fitimet janë marrë nga i dënuari dhe bashkëpunëtorët e tij, shtetasi shqiptar, Robert Ç. dhe shtetasja ruse, Natalia Straçova. Vepra penale për të cilat është dënuar Bajraktari ajo e ‘shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese’ është objekt i ligjit ‘Antimafie’” thuhet në vendimin e gjykatës. Pronat e tij u identifikuan pak kohë më parë, të cilat u publikuan edhe nga gazeta “Shqip”, për të cilat gjykata vendosi sekuestron preventive në fillim të muajit qershor. Pronat e sekuestruara arrijnë një vlerë rreth 2 milionë euro. Aktualisht, nga Seksioni kundër Pastrimit të Parave në Sektorin kundër Krimit Financiar në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës vazhdon puna dhe po kryhen hetime intensive për identifikimin e pasurive të tjera të këtyre shtetasve dhe për persona të tjerë të implikuar në këtë procedim, familjarë apo të afërm të tyre, te të cilët mund të kenë transferuar pasuritë e tyre. Sipas të dhënave, Pastrimi i Parave ka aktualisht 20 çështje të këtij lloji në procedim, të cilat priten të finalizohen gjatë këtij viti dhe që mund të arrijnë vlerën totale prej 45 milionë eurove.