Sfida më e madhe e ILDKP-së mbetet zbulimi i llogarive bankare, të cilat depozitohen nga zyrtarët shqiptarë jashtë vendit


Kryeinspektori Adriatik Llalla ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e rasteve kur zyrtarët deklarojnë pasuri të çmuara si dhuratë


Shefi i ri i diplomacisë, më i pasuri i treshes


Qeveria


Ministri i Brendshëm – Flamur Noka


Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti, i cili pret të marrë detyrën si ministër i Jashtëm, shfaqet më i pasuri ndër emrat e rinj, të cilët pritet të jenë këtë javë ministra të kabinetit “Berisha”. Në një hulumtim të bërë nga gazeta “Shqip” mbi pasuritë e tre njerëzve të rinj që do të jenë pjesë e qeverisë, konkludon se Panariti konsideron një pasuri e cila e shquan nga dy kolegët e tjerë, Flamur Noka dhe Vangjel Tavo. Ndërsa këta dy të fundit, shfaqen modestë në deklaratat e tyre të pasurisë, por deklarojnë se kanë përfituar dhurata të çmuara nga familjarët e tyre, thënë më konkretisht vëllezërit që jetojnë jashtë vendit.


Pasuritë


Ministri i ri i Jashtëm, Edmond Panariti, deklaron se së bashku me bashkëshorten janë pronarë të tri apartamenteve, të blera gjatë në një hark të gjatë kohor. Në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive ekziston vetëm një deklaratë pasurie e tij, e cila është kryer për shkak të funksionit që Panariti mori vitin e shkuar si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Në këtë deklaratë ai thekson se zotëron një apartament 100 m2 në Tiranë dhe dy të tjerë në bregdetin e Kavajës. Por interesant është fakti se bashkëshortja e tij, Narin Panariti, deklaron shuma të konsiderueshme bankare të krijuara nga puna e saj si konsulente në disa firma prestigjioze ndërkombëtare. Ajo deklaron se ka


në pronësi gjysmën e pasurive të paluajtshme që zotëron bashkëshorti i saj dhe të depozituara në bankë vlera si 150 mijë euro, 20 mijë dollarë dhe 3 000 000 lekë. Po kështu të ardhura të depozituara në bankë deklaron dhe Edmond Panariti, me një vlerë prej rreth 400 000 lekësh. Po kjo vlerë konsiderohet tepër modeste me ato që disponon bashkëshortja e tij.


Dhuratat


Dy ministrat e rinj të kabinetit, Berisha, Vangjel Tavo dhe Flamur Noka, kanë të përbashkët faktin se kanë marrë dhurata bujare nga vëllezërit e tyre, të cilët jetojnë përkatësisht në Greqi dhe Belgjikë. Tavo, i cili pritet të marrë edhe drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, deklaron se në vitin 2001 vëllai i tij i ka dhuruar një apartament në zonën e Pireut, në Greqi. Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaron se ai ka përfituar një automjet luksoz me vlerë shtatë mijë euro në vitin 2006 nga vëllai i tij që jeton në Belgjikë. Deklarimi i dhuratave nga ana e zyrtarëve të lartë nuk është një fenomen i ri. Pak muaj më parë, drejtuesi i Inspektorit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla, u detyrua ta denonconte këtë veprim të shtuar së fundmi, me pretendimin se shpesh si dhurata paraqiten pasuritë reale të zyrtarëve të lartë, të cilat nuk mund deklarohen dot si pasojë e kontrollit të këtij institucioni. Fenomeni i dhurimit të pasurive është i përhapur gjerësisht në radhët e gjyqësorit shqiptar.


Vangjel Tavo (ministër i Shëndetësisë)



  • Shtëpi banimi – 5 000 000 lekë, pallati i ri Shallvare, Tiranë

  • Shtëpi banimi – 5 800 000 lekë, Pire, Athinë

  • Autoveturë “Land Rover” – 10 000 euro


 


Edmond Panariti (ministër i Jashtëm)



  • Apartament 100 m 2, rruga “Sitki Cico”, 1 900 000 lekë

  • Apartament 57.2 m2, Kryemëdhenj Kavajë, 1 900 000 lekë

  • Apartament 49.8 m2, Kryemëdhenj Kavajë, 35 mijë euro

  • Automjet “Mercedez Benz C-Class” – 750 000 lekë


 


Flamur Noka (ministër i Brendshëm)



  • Apartament 83.7 m – Tiranë 5 000 000 lekë

  • Vendparkimi 60 m – 1 000 000 lekë

  • Veturë tip “Mitsubishi” – 7000 euro


Pasurinë e patundshme e zotëron në masën 100%


 


Vangjel Tavo, pronar i një apartamenti në zonën e Pireut


Vangjel Tavo


Përfaqësuesi i LSI-së, Vangjel Tavo, disponon një apartament me 100% të pronësisë në zonën e Pireut, në kryeqytetin grek, Athinë. Këtë apartament Tavo deklaron se e ka përfituar nga i vëllai i tij në vitin 2001, i cili jeton në Greqi. Ish-deputeti socialist i Gjirokastrës i përket minoritetit grek në Shqipëri dhe mandati i tij është marrë pikërisht në zonën e jugut të vendit, ku jetojnë edhe minoritarët. Tavo është një deputet me disa mandate në Kuvendin e Shqipërisë të marra këto gjithmonë nën siglën e PS-së. Por vitin e shkuar ai mori vendimin për të qenë pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të drejtuar nga Ilir Meta, duke e justifikuar me faktin se nuk ishte i kënaqur nga mënyra e drejtimit të PS-së nga ana e kryetarit të saj, Edi Rama. Kjo lëvizje e grupit parlamentar duket se i dha mundësinë Tavos për të qenë dhe nënkryetar i Kuvendit, post të cilin tashmë duhet ta dorëzojë, pasi do të jetë në krye të dikasterit të shëndetësisë në vend. Tavo është me profesion mjek, të cilin e ka ushtruar në kohë të pjesshme dhe gjatë kohës që ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.


Dy vitet e fundit i është rikthyer përvojës akademike


Ministri i Shëndetësisë ka qenë pedagog në Universitetin “Kristal”


Ministri i ri i Shëndetësisë, njëkohësisht deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, ka deklaruar deri në vitin 2010 se punon si pedagog i jashtëm pranë Universitetit “Kristal” në Tiranë. Mësimdhënien me kohë të pjesshme në këtë universitet Tavo e ka deklaruar para Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për të justifikuar të ardhurat e tij të rritura. Mësimdhënien pranë këtij universiteti Tavo e ka deklaruar për herë të parë në vitin 2007, ku gjithashtu deklaron se ka filluar të japë mësim edhe në Fakultetin e Infermierisë në Tiranë. Këtë vit ai deklaron se ka përfituar një pagë prej 113 000 lekësh, nga leksionet e dhëna në këtë universitet. Në vitin 2008 shuma e përfituar nga mësimdhënia në “Kristal” është 110 000 lekë, në vitin 2009, 87 000 lekë dhe në vitin 2010, 70 000 lekë. Nuk dihet nëse Tavo vijon ende të japë mësim në këtë universitet, nisur edhe nga vendimet e fundit të marra nga prokuroria kundër këtij institucioni arsimor. “Kristali” u përfshi pak muaj më parë në një skandal të madh, si pasojë e zbulimit se djali i politikanit italian, Umberto Bossi, kishte marrë diplomë në këtë universitet pa qenë ndonjëherë prezent në Shqipëri.


Bashkëshortja zotëron gjysmën e pasurive të paluajtshme


 


Edmond Panariti, ministri që ka të ardhurat më të mëdha


Edmond Panariti


Ministri i ri i Jashtëm, Edmond Panariti, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, duket se gëzon një gjendje ekonomike të kënaqshme. Por ajo që të bën përshtypje në deklaratën e tij të pasurisë, lidhet me të ardhurat e konsiderueshme që zotëron bashkëshortja e tij, Narin Panariti. E detyruar nga ligji në fuqi të deklarojë përkrah bashkëshortit të saj, zonja Panariti deklaron se ka në pronësi gjysmën e pasurive të paluajtshme që zotëron bashkëshorti i saj. Po kështu, ajo deklaron se ka të depozituara në bankë rreth 150 mijë euro, plus rreth 20 mijë dollarë, plus 3 000 000 lekë të akumuluara nga honorare, konsulenca profesionale, mësimdhënie në universitet, udhëheqje disertacionesh, prezantime konferenca etj. Në këtë pjesë të deklarimit të pasurisë, Narin Panariti deklaron se jep konsulenca profesionale për një sërë firmash ndërkombëtare dhe po kështu është pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Shkencave të Natyrës. Por dhe Edmond Panariti deklaron se disponon të ardhura nga puna e tij në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, prej


2 267 099 lekësh dhe po kështu ka akumuluar të ardhura nga mësimdhënia në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe atë të Mjekësisë.


 


Dy ministrat kanë përfituar këste më të buta për banimin


Tavo dhe Noka kanë marrë kredi për shtëpi nga Enti i Banesave


Dy nga ministrat të cilët sapo janë zgjedhur, Flamur Noka si ministër i Brendshëm dhe Vangjel Tavo, i kanë përfituar apartamentet e tyre në kryeqytet mbi bazën e statusit ose të mbështetjes nga Enti i Banesave. Kështu, ministri Tavo deklaron se ai e ka përfituar apartamentin e tij në zonën e Shallvareve si pasojë e një kredie të akorduar nga shteti për banimin e deputetëve. Kjo kredi është marrë përpara vitit 2003, kohë në të cilën Tavo ishte një deputet i Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, Flamur Noka, deputet i PD-së, duke nisur nga viti 2009 deklaron se e ka përfituar apartamentin e tij në Tiranë nëpërmjet një kredie të marrë nga Enti i Banesave, me një kohëzgjatje prej 25 vjet dhe me vlerën 5 000 000 lekë. Këto forma përvetësimi të apartamenteve i kanë ndihmuar familjet e tyre për të përfituar këste të ulëta kredie të shtrira në një kohë të gjatë. Një listë e gjatë deputetësh të Parlamentit të Shqipërisë kanë përfituar apartamentet e tyre mbi bazë të vendimeve të marra herë pas here nga qeveritë për të lehtësuar banimin e tyre në kryeqytet, vendi në të cilën zhvillohen edhe veprimtaritë parlamentare dhe politike.


Njërën ia dhuron vëllai, tjetrën e shet më shumë se e bleu


 


Ministri i Brendshëm ka fat me autoveturat e tij luksoze


Ministri i ri, Flamur Noka, deklaron se i vëllai i tij me banim në Belgjikë i ka dhuruar në vitin 2006 një makinë tip “Mitsubishi”, e cila kap një shifër prej 7 mijë eurosh. Për sa u përket autoveturave, Noka deklaronte në vitin 2009 se dispononte dhe një autoveturë tip “Benz C Clas”, të cilën e kishte blerë në vitin 2005. Por në deklaratën e pasurisë të vitit 2010, Noka deklaron se ai e kishte shitur këtë autoveturë për një vlerë prej 10 000 eurosh. Dhuratat nga familjarët dhe madje borxhet në kesh janë prezente në një pjesë të madhe të deputetëve shqiptarë. Nga ana tjetër, zhvlerësimi i vendimit të Kuvendit që nuk i siguron deputetëve transport me autoveturë, normalisht rrit shpenzimet e tyre në drejtim të blerjes së automjeteve për lëvizje. Po kështu shihet se në deklaratat e pasurisë të deputetëve janë ulur ndjeshëm dietat e tyre që merren për udhëtimet jashtë vendit. Kjo për arsye të uljes ekonomike në vend dhe masave të forta që janë marrë në drejtim të uljes së shpenzimeve, jo vetëm për deputetët, por edhe për sa u përket zyrtarëve të lartë në të gjithë vendin.


 


4692 subjekte kanë detyrimin të zbardhin pasuritë


ILDKP-ja do të publikojë javën e ardhshme deklaratat për vitin 2011


Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive pritet të publikojë javën e ardhshme dhe pasuritë e zyrtarëve të lartë shqiptarë për vitin 2011. Në mënyrë të përvitshme këta zyrtarë janë të detyruar të bëjnë publike ndryshimet e pasurisë së tyre, pasi kanë deklaruar fillimisht dhe pasurinë e plotë që kanë në dispozicion. Aktualisht në vend zyrtarët të cilët kanë detyrimin të deklarojnë të ardhurat e tyre janë 4692 subjekte. Ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurive arrin të përfshijë një pjesë të madhe të zyrtarëve të të gjithë pushteteve në vend, ekzekutivit, legjislativit dhe atij të drejtësisë. Në mënyrë të përvitshme, ILDKP-ja hedh dhe një short të posaçëm, nga i cili 4% e numrit të total të zyrtarëve që kanë detyrimin të deklarojnë kalojnë për kontroll të plotë. Por kontroll i plotë kryhet dhe në ato raste kur vetë institucioni ka dyshime mbi mënyrën sesi janë vendosur këto pasuri dhe për transparencën e deklarimit të tyre. Po kështu ILDKP-ja nis hetimin dhe kur ka indicie nga qytetarët për fshehje të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë.


 


 


Noka


Flamur Noka mban pozicionin e sekretarit organizativ në PD dhe deputetit të Qarkut Kukës. Ai asnjëherë më parë nuk ka qenë pjesë e kabineteve qeveritare


 


Tavo


Vangjel Tavo është deputet i LSI-së dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Mandatin e deputetit në vitin 2009 e ka marrë nën siglën e Partisë Socialiste


 


Panariti


Edmond Panariti është nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe nuk është deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Asnjëherë më parë Panariti nuk ka qenë deputet