Gjyqtarët në Shqipëri mund të quhen pa frikë, si shtresa më e pasur e zyrtarëve shqiptarë


Përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë gëzojnë imunitet, ashtu si dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë


“Xhepat” e zyrtarëve të shtetit


Raporti


Fatjona Mejdini


Edhe pse ka kaluar një vit nga vera shumë e nxehtë elektorale e 2011-s, ende nuk janë hequr nga vëmendja e publikut anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, të cilët u bënë protagonistë, pasi me vendimin e tyre ndryshuan balancën politike dhe elektorale të qytetit të Tiranës. Thuajse të gjithë i kujtojnë relatorët e dy vendimeve kryesore: Tom Ndreca dhe Sashenka Jonuzaj. Këta zyrtarë janë dhe subjekt i deklarimit të pasurisë në ILDKP. Ndaj gazeta “Shqip” po bën publik disa pjesë nga deklarata e pasurisë e gjyqtarëve.


Gjyqtarët e ardhur nga i gjithë vendi, të cilët muajt e verës së vitit të kaluar u thirrën për të qenë pjesë e gjykimit të zgjedhjeve lokale të 2011-s, fituan shumë shpejt njohje në të gjithë vendin. Ata patën rol vendimtar në shpalljen e Lulzim Bashës si kryetar të Bashkisë së Tiranës, vendim që u shoqërua me protesta dhe kontestime të shumta. Gjithsesi gjatë këtij viti të rëndësishëm për karrierën e tyre, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor nuk kanë lënë pas dorë dhe investimet në pasuritë e tyre personale. Dy anëtarë të Kolegjit, përkatësisht gjyqtarja Dhurata Haveri dhe gjyqtari i Tiranës, Tom Ndreca, kanë investuar për blerje apartamenti. Haveri, pavarësisht se është gjyqtare e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë, ka vendosur të blejë një apartament në Shkodër me vlerë 4.7 milionë lekë. Ndërsa gjyqtari i Tiranës, Tom Ndreca, nuk e ka specifikuar në deklaratë se ku e ka blerë apartamentin e tij të ri, por thekson se ka paguar 1.5 milionë lekë si këst të parë. Një detaj interesant në deklaratat e pasurisë së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor është edhe marrja e kredive, pa pasur destinacion në lidhje me shpenzimin e këtyre parave. Një rast i tillë është edhe ai i kryetares së Gjykatës së Apelit në Korçë, Entela Prifti, e cila deklaron se ka marrë një kredi prej 70 mijë eurosh në fund të vitit 2011, pa treguar se për çfarë do të përdoren këto të ardhura. Të njëjtën gjë ka bërë dhe gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Astrit Kalaja, i cili thekson faktin se ka marrë një shumë prej 2 milionë lekësh, po pa deklaruar se pse do të përdoren këto të ardhura. Gjyqtarja e Apelit të Korçës, Myriban Mullaj, deklaron se ka marrë një kredi bankare prej 4 milionë lekësh vitin e kaluar, pa treguar se ku do të përdoren të ardhurat. Në deklaratat e pasurisë të zbardhura nga gazeta “Shqip” javën e shkuar, vihet re se gjyqtarët janë zyrtarët të cilët zotërojnë pasuri më të mëdha. Shpesh ata kanë më shumë se një apartament si dhe dyqane dhe toka bujqësore të cilat iu sjellin fitime nga qiraja. Gjyqtarët disponojnë dhe të ardhura të konsiderueshme bankare, të cilat shpesh janë në valutë të huaj. Sipas perceptimit të publikut shqiptar, sistemi i drejtësisë është një nga sistemet më të korruptuara në vend. Por duket se gjyqtarët do të vijojnë të mbajnë imunitetin që i mbron nga fillimi i procedimeve penale, pa miratimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kjo pasi mazhoranca dhe opozita nuk kanë arritur ende një konsensus në kufizimin e imuniteteve për zyrtarët e lartë, ku një shtresë e cila do të zhvishej nga imuniteti ishin dhe gjyqtarët. Ndërkaq, partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga ekzekutivi dhe reforma të tjera për sistemin e drejtësisë në vend.


 


Sashenka Jonuzaj


Paga si gjyqtare në Vlorë – 1.5 milionë lekë


Dietat nga Kolegji Zgjedhor – 95.000 lekë


Depozitë – 12.140 USD + 1.074.901 Lek


 


Dhurata Haveri


Apartament banimi në Shkodër – 4.7 milionë lekë


Blerje makine – 5.5 milionë euro


Marrje huaje – 5 milionë lekë


 


Gjyqtarja nga Vlora


Sashenka Jonuzaj, të ardhura vetëm nga pagat, bleu një “Opel”


Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Sashenka Jonuzaj, zbardh në deklaratën e saj të pasurisë dhe shumën që ka marrë secili nga gjyqtarët për zgjedhjet lokale të 2011-s. Në deklaratën e saj të pasurisë, Jonuzaj thekson se ajo ka përfituar 95.000 lekë në formë dietash nga Kolegji Zgjedhor, për sa i përket kohës rreth tremujore që gjyqtarët harxhuan për t’u marrë me procesin zgjedhor. Por opozita shqiptare i ka akuzuar anëtarët e Kolegjit Zgjedhor dhe për përfitime të paligjshme nisur nga vendimi i rëndësishëm në favor të Lulzim Bashës për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër, Jonuzaj thekson se ajo ka përfituar rreth 1.5 milionë lekë nga paga si gjyqtare e Apelit në Vlorë dhe për vitin 2011 ka blerë një automjet të ri “Opel Corsa”, me vlerë 3000 euro. Sashenka Jonuzaj deklaron se ka dy llogari të rëndësishme bankare, njërën me vlerë 12 mijë dollarë dhe tjetrën me shumën e rreth 1 milion lekëve. Ajo deklaron dhe pensionin e bashkëshortit të saj në deklaratën personale të pasurisë.


 


Gjyqtarja nga Gjirokastra


Qirjazi përfiton 7 mijë euro nga bursa e së bijës në Greqi


Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Maria Qirjazi, deklaron në deklaratën e pasurisë se vijon ende studimet e saj. Ajo ka theksuar se për vitin 2011 ka deklaruar se ka shpenzuar 1.5 mijë euro për të kryer një master profesional pranë universitetit “Justiniani I” në Tiranë. Pavarësisht se pretendohet se gjyqtarët e Apelit kanë një përgatitje të lartë profesionale, duket se këta gjyqtarë ende nuk kanë hequr dorë nga arsimimi. Qirjazi thekson se ajo ka akumuluar 1 milion lekë nga kursimet familjare vitin e kaluar. Gjyqtarja Qirjazi deklaron gjithashtu se ka arritur të përfitojë nga profesioni i saj brenda një viti, një shumë prej rreth 1.6 milionë lekësh. Familja e saj, për vitin 2011, ka përfituar edhe rreth 7 mijë euro të marra nga bursa e së bijës, e cila është studente në Athinë të Greqisë.


 


Gjyqtari i Tiranës


Tom Ndrecës i refuzohet kredia, paguan shtëpinë nga kursimet


Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Tom Ndreca, është refuzuar nga një bankë e nivelit të dytë për t’i dhënë një kredi në kuadër të blerjes së një apartamenti të ri. Në deklaratën e pasurisë për vitin 2011, Tom Ndreca deklaron se ka shpenzuar 1.5 milionë lekë nga kursimet familjare për të shlyer këstin e parë të blerjes së apartamentit, nisur nga mosaprovimi i kërkesës për kredi nga një bankë e nivelit të dytë në vend. Është interesant të shihet fakti sesi do të vijojë t’i shlyejë Ndreca këstet e kredisë për apartamentin e blerë në një kohë kur banka i refuzon dhënien e një kredie. Nga ana tjetër, gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Dhurata Haveri, deklaron se ajo ka marrë hua prej 5 milionë lekësh nga një person në kuadër të blerjes së një apartamenti në Shkodër, me vlerë 4.7 milionë lekë. Marrja e borxhit nga persona fizikë është konsideruar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, si një praktikë e rrezikshme, e cila shpesh fsheh korrupsionin.


 


Gjyqtarja e Korçës


Prifti, 70 mijë euro borxh në banka, por nuk tregon destinacionin


Kryetarja e Gjykatës së Apelit në Korçë, Entela Prifti, deklaron se ajo ka marrë në ditët e fundit të vitit 2011 një kredi prej 70 mijë eurosh. Është interesant fakti se Prifti nuk deklaron se pse e ka marrë këtë kredi të konsiderueshme, nisur nga fakti se nuk bëm të ditur të ketë bërë ndonjë investim. Por gjyqtarja e bërë e njohur nga vendimmarrja në Kolegjin Zgjedhor deklaron se po shlyen dhe një hua të ndërmarrë ndaj një personi. Për vitin 2011, Prifti thekson se ka shlyer nga kjo hua një shumë prej 1.5 milionë lekësh dhe i ka mbetur për të shlyer dhe një shumë prej 1 milion lekësh. Si pasojë e pozicionit të saj në krye të Gjykatës së Korçës, Prifti deklaron se ka përfituar rreth 2 milionë lekë nga puna e saj në këtë gjykatë, duke llogaritur dhe dietat e marra në Kolegj. Ajo thekson se ka përfituar rreth 200 mijë lekë dhe nga mësimdhënia në universitetin “Kristal” në Korçë. Gjyqtarja Prifti deklaron se ajo ka shtuar për vitin 2011 dhe të ardhura në llogaritë bankare të fëmijëve të saj.


 


Bedri Hoxha


Hua nga një person – 10.256.500 lekë


Dhënia me qira e një ambienti në Klos – 180 mijë lekë


Dhënia me qira e një apartamenti në Tiranë – 420 mijë lekë


Dhënia me qira e një ambienti në Tiranë – 600 mijë lekë


Interesa nga bonot e thesarit – 333 mijë lekë


 


Bedri Hoxha


Deputeti i PD-së, 10 milionë lekë borxhe për të larë kredinë


Deputeti i Partisë Demokratike, Bedri Hoxha, deklaron se ka marrë hua një shumë të konsiderueshme prej rreth 10 milionë lekësh për të likuiduar një kredi të marrë në vitin 2007 në një bankë të nivelit të dytë. Në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2011, deputeti demokrat deklaron se me këtë shumë të marrë hua, ai ka paguar jo vetëm pjesën e mbetur të kredisë, por edhe interesat si dhe penalitetet për pagimin me vonesë. Në pjesën e transaksioneve financiare për vitin 2011, Bedri Hoxha deklaron se disponon një shumë prej 2.2 milionë lekësh në cash, të cilat i ka kursyer nga të ardhurat në vitin 2011. Deputeti demokrat thekson se për vitin 2011 ai ka përfituar rreth 3 milionë lekë nga paga si deputet në Kuvend, duke llogaritur dhe pjesëmarrjen në komisionet parlamentare. Ai thekson se ka përfituar 180 mijë lekë nga dhënia me qira e një ambienti shërbimi në qytetin e Klosit, 420 mijë lekë nga dhënia me qira e një apartamenti në Tiranë dhe 600 mijë lekë nga dhënia me qira e një ambienti shërbimi në Tiranë. Familja Hoxha ka përfituar dhe 333 mijë lekë nga investimi në bono thesari.


 


Spartak Braho


Shtëpi banimi në Tushemisht, Pogradec – 5 milionë lekë


Autoveturë “Mercedez 320 C” – 14 mijë euro


Paga si këshilltar i LSI-së – 130 mijë lekë


Këshilltar i LSI-së


Spartak Braho, blen shtëpi 200 metër katror në Tushemisht


Këshilltari ligjor i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, deklaron se për vitin 2011 ka blerë një shtëpi banimi me sipërfaqe 200 metër katrorë dhe me vlerë 5 milionë lekë në fshatin Tushemisht të Pogradecit. Por interesant është fakti se Braho deklaron se këtë shumë të përdorur për blerjen e shtëpisë e ka marrë hua nga një person. Për vitin 2011, Braho deklaron se ka blerë dhe një makinë “Mercedes”, me vlerë 14.000 euro. Ai bën të ditur gjithashtu në deklaratën e radhës së pasurisë se nuk ka bërë asnjë ndryshim të pjesës tjetër të pasurisë së tij. Braho thekson faktin se si këshilltar ligjor pranë LSI-së në Kuvendin e Shqipërisë përfiton një pagë prej 130 mijë lekësh dhe po kështu deklaron dhe pagat e familjarëve të tij për vitin e kaluar. Brado deklaron se ai ka dy kredi në dy banka të ndryshme, për të cilat vijon të paguajë në mënyrë vjetore. Për vitin 2011, ai ka paguar 5200 euro për një kredi dhe 300 mijë lekë për kredinë tjetër.