Kreu i grupit të PS-së: Emrat mund t’i nxjerrim kur të jemi përballë Berishës
Fatjona Mejdini
Dy kryetarët e grupeve parlamentare të partive kryesore në vend, Gramoz Ruçi nga Partia Socialiste dhe Astrit Patozi nga Partia Demokratike, u shprehën dje parimisht dakord për sa i përket nisjes së negociatave mes tyre për çështjen e presidentit. Por ndonëse ata shprehën vullnetin për një takim të tillë, i cili duhej të ishte në nivel të kryetarëve të partive, Ruçi dhe Patozi detajuan qëndrime të ndryshme për sa u përket modaliteteve të takimit dhe kandidaturës që mazhoranca ka lajmëruar për president. I ftuar në “Top Story”, Gramoz Ruçi deklaroi se ishte kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ai që kishte përjashtuar opozitën nga tryeza për president dhe nuk ishte interesuar për të gjetur kompromis. Ruçi theksoi se Berisha kishte abuzuar me tri kërkesat e PS-së për reformat, duke e quajtur paraqitjen e tyre si kushte bllokuese. Ai theksoi se tryeza duhet të mbahej mes të gjitha partive parlamentare dhe të gjithë së bashku duhet të zgjidhnin
jo vetëm çështjen e presidentit, por edhe reformat që kërkonte Komisioni Europian për statusin. Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i ftuar në “Opinion”, theksoi se ai personalisht nuk ishte kundër një takimi mes Berishës dhe Ramës, por duhej që ky takim të mos bëhej për spektakël, por i parapërgatitur për të gjetur një zgjidhje reale për çështjen e presidentit.
Ruçi
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, theksoi dje se socialistët mund të paraqisnin kandidatura për procesin e zgjedhjes së presidentit, por kjo nuk mund të ndodhte jashtë një tryeze ku dy forcat kryesore parlamentare do të diskutonin për këtë çështje.
“Do të nxjerrim emra nëse ulemi përballë me PD-në në një tryezë për këtë çështje ashtu siç ne kemi kërkuar”, deklaroi Ruçi. Për mosmbledhjen e kësaj tryeze, e cila përveç Berishës dhe Ramës do të ulte dhe krerët e partive parlamentare, Ruçi fajësoi në mënyrë të drejtpërdrejtë Kryeministrin Sali Berisha. “Duhet të kuptohet nga të gjithë se procesi për presidentin është kushtetues, politik dhe moral. Berisha ka refuzuar takimin me Ramën dhe është fakt që kundërshtari ynë nuk e pranon dialogun”, theksoi Ruçi. Ai shpjegoi dje edhe arsyen se pse PS-ja nuk e konsideron si konsensual kandidaturën e Xhezair Zaganjorit, duke theksuar faktin se ky emër nuk ka qenë pjesë e një tryeze të madhe diskutimesh mes palëve. “Ne nuk duam që presidenti të zgjidhet me 74 vota, mes PD-së dhe LSI-së. Ne do të donim që ai të zgjidhet brenda raundit të tretë që kërkon 84 vota”, theksoi Ruçi. Gjithsesi ai theksoi se dhe nëse varianti i parë ndodhte nuk ishte fundi i botës dhe se raportin e tij në lidhje me PD-në, Ilir Meta mund ta ndryshonte edhe pas procesit të zgjedhjes së presidentit.
Patozi
Negociatori i PD-së, Astrit Patozi, deklaroi dje se ai parimisht nuk ishte kundër një takimi mes Kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama, për çështjen e presidentit. Sipas Patozit, ky takim nuk mund të bëhej vetëm për spektakël, por duhej të ishte i parapërgatitur për të gjetur një zgjidhje konsensuale. Nga ana tjetër, Patozi theksoi se ky takim nuk duhej kushtëzuar me çështje të tjera. “Ka njerëz që mendojnë se ky takim me Edi Ramën do të ishte i dëmshëm dhe do i përkeqësonte më keq negociatat, duke pasur parasysh edhe 21 janarin.
Gjithsesi unë hyj te njerëzit që dua të ketë një takim të tillë, por ai nuk duhet të jetë një shou. Nëse do të kishte një takim të tillë, ai duhet të ishte i parapërgatitur. Nëse një takim i tillë ndodh, mund të bëhet që nesër. Ky duhet të jetë një takim produktiv, por jo për fotografi. Ai duhet të parapërgatitet”, theksoi Patozi në lidhje me zhvillimet që priten të ndodhin.
