Alfred Beleri, i përfshirë në ngjarjen Peshkëpisë


fredi beleriListës së kandidatëve që garojnë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, i është shtuar edhe kandidati i PBDNJ-së për kryetar në Bashkinë e Himarës, Fredi (Alfred) Beleri.  Ai rezulton se është arrestuar nga policia greke në vitin 1994, në tentativë për organizimin e një sulmi ushtarak në repartin e fshatit Peshkëpi në Gjirokastër. Ky sulm ishte i dyti pas atij të organizuar në po atë vit nga organizata greke “MAVI”, e cila vrau kapitenin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arsen Gjini. Por me vendim gjyqi ai u lirua nga akuzat. Po kështu, Fredi Beleri është dënuar nga gjykatat shqiptare për ngjarjet e Himarës në vitin 2003, ku u dhunuan ndër të tjera edhe simbolet tona kombëtare. Beleri, së bashku me katër persona të tjerë, u dënuan për veprën penale “thyerje e simboleve kombëtare”. Për këtë dënim, në vitin 2012, ata i drejtuan edhe një letër Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ku kërkonin faljen, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Kandidimin e Belerit në Himarë e ka dënuar dje edhe forumi “Djemtë e Gjirokastrës”. Kryetari i këtij forumi, Albi Koci, në një deklaratë të shpërndarë për mediat deklaroi se pjesëtari i komandos vrasëse greke në Peshkëpi shpallet kandidat në Himarë, duke sfiduar në mënyrë të hapur politikën shqiptare. “Personi akuzohet si organizatori i sulmit terrorist kryer në repartin ushtarak të rekrutëve të rinj që ndodhet në afërsi të fshatit Peshkëpi e Poshtme në Rrethin e Gjirokastrës, akt terrorist ku mbeten të vrarë oficeri Kapiteni i Parë, Fatmir Shehu, dhe ushtari Arsen Gjini”, thekson Koçi në reagimin e tij ndaj kandidimit të Fred Belerit nga PBDNJ-ja për Bashkinë e Himarës.