Patozi, Doda dhe Bregu kundër Bashës. Shehi: Vendimi do të rishikohet në tetor


Kundërshtarët – Përveç deputetit Igli Cara, kundër bojkotit janë shprehur edhe kolegët e tij në PD si Mesila Doda, Majlinda Bregu, Astrit Patozi si dhe Roland Keta. Debatet kanë qenë tepër të ashpra mes palëve


Tetori – “Besoj se vendimi për të vijuar bojkotin parlamentar do të rishikohet hap pas hapi, dhe pasi opozita të ndërmarrë në tetor një tjetër diskutim për këtë çështje”, deklaroi kreu i LZHK-së, Shehi


Fjalimi – Fjalimi i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, që shpalli vendimin e grupit pa u diskutuar në grupin e PD-së ka qenë zanafilla e debatit mes deputetëve demokratë dhe aleatëve


Referendumi – Një tjetër çështje e debatuar mes palëve ka qenë dhe ideja e shpallur për mbajtjen e një referendumi për të kontestuar ndarjen e re territoriale që parashikon 61 bashki gjithsej


Roland Keta – “Nëse ndodh që të na dhunojnë sërish fizikisht, burra jemi ne, burra janë dhe ata, përballemi”


Edi Paloka – “Nuk shkojmë atje në Kuvend ne, do të krijojmë grupet tona të punës për të gjitha çështjet”


Mesila Doda – “Me këtë që bëjmë, bëjmë atë që bënte Rama dikur dhe ne e akuzonim për krijim të institucioneve paralele”


Fatmir Mediu – “Dua të di një afat deri kur do të vijojë ky bojkot, pasi betejën opozitare duhet ta bëjmë në Parlament”


Igli Cara – “Pavarësisht arrogancës së mazhorancës, ne duhet të jemi në Parlament, pasi aty duhet të bëhet përballja”


HERION MESI


Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama, gjate seances se pare parlamentare ne hapje te Sesionit te Trete te Legjislatures se Tete_1Shpallja apriori e bojkotit të Parlamentit që Basha e bëri në fjalimin para kamerave shkakton debate të forta në grupin parlamentar të PD-së. Mosdiskutimi paraprak mes deputetëve, por proklamimi i bojkotit, duke i vënë para faktit të kryer, ka shkaktuar debate të ashpra në mbledhjen e grupit të PD-së, e cila për rreth katër orë ka debatuar për një çështje të tillë. Pikërisht ky verdikt ka sjellë kontestimet e demokratëve si Astrit Patozi, Mesila Doda, Igli Cara dhe të Majlinda Bregut, të cilët kanë kërkuar që PD-ja të mos bojkotojë, por të zhvillojë betejën e saj në Parlament. Ndërsa kontestimet kanë ardhur dhe nga aleatët e PD-së, si Fatmir Mediu i PR-së dhe Dashamir Shehi i LZHK-së, të cilët ishin të pranishëm në mbledhjen e grupit të PD-së. Sipas burimeve në mbledhje, demokratja Mesila Doda ka kritikuar fjalën e Bashës, i cili, para se të shpallte vendimin, duhet ta diskutonte mes deputetëve të PD-së. Ajo ka kërkuar që vetëm pas një debati të brendshëm mund të merrej një vendim kolegjial. Doda mësohet se e ka kritikuar Bashën edhe për bojkotin e shkuar, pasi, sipas saj, PD-ja nuk ka pasur mundësi të mbronte ish të përndjekurit për ligjin e paraqitur nga Qeveria, shtresa e cila përbën shtratin elektoral të demokratëve. Por kryedemokrati Basha ka replikuar duke theksuar se vendimi i grupit është marrë para tre muajve dhe se i qëndron atij vendimi, ku nuk mund të jetë opozita e pranishme ku ushtrohet dhunë. “Nëse ndodh që të na dhunojnë sërish fizikisht, burra jemi ne, burra janë dhe ata, përballemi. Parlamenti është tribuna e opozitës”, – mësohet se është shprehur deputeti Roland Keta. Ndërsa Mesila Doda u ka kujtuar kolegëve se me këtë vendim po ndjekin të njëjtën linjë siç ndoqën socialistët në opozitë. “Me këtë që bëjmë, bëjmë atë që bënte Rama dikur dhe ne e akuzonim për krijim të institucioneve paralele. Vendimi u njoftua para fillimit të mbledhjes, do të ishte mirë të merrej një herë vendimi, pastaj të komunikohej”, – është shprehur Doda. I pyetur nga gazeta Shqip nëse vendimi i marrë në mbledhjen e grupit parlamentar të opozitës, ishte vendimi më i mirë i mundshëm, deputeti demokrat Igli Cara u shpreh se edhe pse ky është një vendim i imponuar nga arroganca e mazhorancës, sërish opozita duhet të jetë në Parlament. “Nuk di të them nëse ky është vendimi më i mirë i mundshëm, pasi kjo është relative. Por është një vendim i marrë nga grupi parlamentar dhe është një vendim unanim. Unë e shpreha mendimin tim në mbledhjen e sotme, dhe kërkova që pavarësisht arrogancës së mazhorancës ne duhet të jemi në Parlament, pasi aty duhet të bëhet përballja me këtë mazhorancë dhe jo jashtë Kuvendit. Gjithsesi, është një vendim që siç e thashë, u mor në uninanimitet dhe e respektoj si të tillë”, – tha Cara. Ndërsa burimet bëjnë të ditur se nisur nga këto debate, kryedemokrati Basha ka lënë të nënkuptojë se vendimi për bojkotin mund të rishikohet në muajin tetor.


Aleatët


I pari që e ka kundërshtuar vendimin e Bashës për të mos u futur në Parlament ka qenë kreu i republikanëve Fatmir Mediu, i cili, sipas burimeve brenda grupit parlamentar të opozitës, mësohet se i ka kërkuar Bashës që t’i jepet fund bojkotit, për ta ngritur betejën opozitare në Parlament, për të cilën, sipas tij, janë votuar nga qytetarët. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i LZHK-së, i cili, pavarësisht se është detyruar për të respektuar vendimin e shumicës brenda grupit, ka këmbëngulur në përcaktimin e një afati për bojkotin. Në një prononcim dhënë dje pasdite për gazetën Shqip, Dashamir Shehi bën me dije se opozita do ta bojkotojë Parlamentin deri në tetor, duke theksuar se të djathtët do të kenë një muaj kohë për të ripërcaktuar qëndrimin me Parlamentin. “Besoj se ishte një ndër mbledhjet më pozitive të zhvilluara nga grupi parlamentar opozitar, pasi u pa një frymë konstruktive e debatit mes deputetëve, ku të gjithë morën pjesë në diskutime dhe debatet ishin transparente për sa i përket shpalosjes së mendimeve. Natyrisht që vendimi i sotëm ishte logjik, pasi që kur u shpall bojkoti në korrik, asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket qëndrimit të mazhorancës në raport me opozitën. Besoj se ky vendim për të vijuar bojkotin parlamentar do të rishikohet hap pas hapi, dhe pasi opozita të ndërmarrë në tetor një tjetër diskutim për këtë çështje”,- tha Shehi. Ai është shprehur kundër edhe për mbajtjen e referendumeve lokale për reformën territoriale, duke e cilësuar si të panevojshëm dhe risk për opozitën. “Në rast të një rezultati negativ, kostoja e humbjes do të ishte mjaft e madhe për opozitën”, – tha Shehi.